“Në Korçë mbi 100 të rinj marrin deri në 4 mijë euro pagë”, deputeti sfidon publikisht kryeministrin Rama

277
Sigal

“Në Korçë janë të paktën 100 të rinj që fitojnë nga 1000 deri në 4000 euro në muaj. Ata kanë gjetur punë në internet.” Kjo deklaratë e kryeministrit Edi Rama ka shkaktuar shumë reagime në rrjetët ditën e sotme.

Skeptikëve i është bashkuar edhe deputeti i opozitës, Andi Përmeti. Përmes një reagimi në facebook, Përmeti thotë se kryeministri ka gënjyer dhe i bën edhe një sfidë publike.

“Rama sot deklaroi se të paktën 100 të rinj në Korçë paguhen nga 1000-4000 euro në muaj për punen e tyre në internet. Njesoj si me aeroportin e Kukësit, njësoj si me aeroportin e Vlorës, njesoj si me rindërtimin e shtëpive të rrezuara nga termeti, Edi Rama tha diçka sa për të thënë, u tall me të rinjtë korçarë, të cilët kanë vështiresi të gjëjnë punë me rrogë minimale, e jo më të sigurojnë 4000 euro rrogë mujore. Rama sot gënjeu dhe unë e sfidoj publikisht të provojë kërë që ka deklaruar.”, – shkruan ai.

Përmeti thotë se Rama nuk mund të fshihet as pas alibisë se kanë të ardhura të padeklaruara, përderisa di me saktësi se sa të rinj kanë një punë të tillë.

“Sipas Edi Ramës janë të pakten 100 të rinj që paguhen nga 1000-4000 euro në muaj. Pra nëqoftese e përllogarisim me mesatare, del që 100 të rinj të paguhen me 2000 euro në muaj (perafersisht). Pra pagesa hyrese për këta të rinj është 200.000 euro ne muaj ose 2.4 milion euro në vit. Z. Rama nëqoftëse nuk kë gënjyer të sfidoj të publikosh pagesën e taksave dhe tatimeve për 2.4 milion euro të ardhura të këtyre të rinjve. Sigurisht nuk mund të fshihesh mbas pretendimit që është punë e padeklaruar në internet sepse ju e dinit, madje ju e dinit saktësisht edhe numrin e të punësuarve edhe sa paguhen, pra ose është vetëpunësim i deklaruar (siç e parashikon ligji) ose ju thjesht gënjeni. Unë jam në pritje…, edhe të rinjtë korçarë që enden rrugeve në kërkim të një pune me pagë 200 euro.”, – shkruan deputeti.