Ndryshimet në Kod, Unioni i prokurorëve: Cenon pavarësinë dhe zbeh fuqinë e SPAK

443
Prokurorët në të gjithë vendin nuk janë dakord me disa ndryshime të përfunduara në Kodin e Procedurës Penale. Ata i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese
Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, në të paktën 20 nene nuk janë pritur mirë nga Unioni i Prokurorëve të Shqipërisë. Për këtë qëllim ata i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me qëllim shfuqizimin e këtyre 20 neneve, për të cilat janë të bindur se shkelin rëndë të drejtën kushtetuese. Ndryshimet e miratuara kanë hyrë në fuqi në 1 gusht 2017. Ata japin edhe argumentet për të gjitha kërkesat e depozituara. Sipas tyre, në rastet e konflikteve ndërmjet normave me fuqi të ndryshme juridike, norma me fuqi më të lartë pra Kushtetuta ka epërsi. Sipas Unionit, me ndryshimet e reja të kodit, Prokuroria e Posaçme dhe Njësia e Posaçme Hetimore për ndjekjen penale dhe hetimin e veprave të korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështjeve penale janë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm. Këtu ka një shkelje të rëndë të Kushtetutës, pasi, sipas përfaqësuesve të organit të akuzës, Prokuroria është i vetmi organ që ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Ajo është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin, si dhe ndjekjen penale, sipas ligjit. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në këtë dispozitë kushtetuese nuk vendos kufizime për sa i përket kompetencave që duhet të ushtrojë organi i prokurorisë. Po ashtu, formulimi i kësaj dispozite kushtetuese paraqitet si një dispozitë e qartë dhe ezauruese, dhe si e tillë, duhet interpretuar në mënyrë strikte e të zbatohet drejtpërdrejtë pasi në këtë dispozitë nuk është parashikuar mundësia e kufizimit të funksioneve të prokurorisë me anë të ligjeve, qoftë edhe Kodit të Procedurës Penale. Veç kësaj ngritja e SPAK, sipas unionit të prokurorëve, cenon ndarjen e pushteteve. Ligjvënësi, ekzekutivi dhe gjyqësori janë të ndarë, efektivisht të pavarur dhe midis tyre duhet të ketë një balancë. Çdo institucion i secilit pushtet gëzon kompetencën sipas këtij qëllimi. Përmbajtja konkrete e kësaj kompetence varet; nga fakti se cilit pushtet i përket institucioni, nga vendi i tij midis institucioneve të tjera dhe nga raportet e tij me ato të institucioneve të pushtetit shtetëror. Në përputhje me detyrat që u ka ngarkuar Kushtetuta, secili prej tyre është i pajisur me pushtet të mjaftueshëm, gjë që i jep mundësinë të marrë vendime në mënyrë të lirë e të pavarur. Asnjë organ apo institucion tjetër, në përbërje ose jo të njërit prej tri pushteteve, nuk mund të ndërhyjë në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve, që sipas rastit, do të përbënin objektin qendror të veprimtarisë së organeve apo institucioneve të tjera kushtetuese. Veç të tjerash unioni i prokurorëve pretendon se krijimi i Prokurorisë Speciale, jo vetëm cenon pavarësinë e organit të akuzës, por dhe prek direkt garancitë në lidhje me emërimin, lëvizjen dhe imunitetin.
Deklarata e plotë e Unionit
Kërkesa për shfuqizimin e disa neneve të ligjit nr 35/2017 për disa ndryshime të Kodin e Procedurës Penale të ndryshuar ka si qëllim të vetëm të mbroj organin e prokurorisë si një organ i pavarur për të qenë në të njëjtën linjë me qëllimin e Reformës në Drejtësi për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale për të kontrolluar gjithë vendimmarrjen e prokurorisë nga gjyqtarët e seancës paraprake me siguri që do pas-sjellin pashmangshmërisht zvarritje të tejskajshme të procedimeve penale, uljen e fuqisë së prokurorisë në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zbehjen e fuqisë së prokurorisë speciale SPAK. Kërkesa për të shpallur antikushtetues të disa neneve të Kodin e Procedurës Penale vjen si një kërkesë emergjente për të mbrojtur pavarësinë e prokurorisë si një organ që do të ketë në të ardhmen peshën kryesore kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Unioni ka vlerësuar në çdo hap përpjekjet politike për reformën në drejtësi por kjo kërkesë nuk cenon aspak këtë reformë duke synuar vetëm dhe vetëm si u deklarua me lart moscenimin e rregullimit kushtetues për prokurorinë për të qenë në lartësinë e pritshmërive në kuadër të reformës në drejtësi.
Sigal