Ndarja nga jeta e Maksim Cikulit, Basha: Mik i çmuar, reformator i spikatur, humanist i pashoq!

73

Nga Lulzim Basha

Jam i tronditur nga lajmi për largimin e parakohshëm nga jeta të mjekut, profesorit, politikanit, dhe mikut tim të çmuar, Maks Cikuli. Ngushëllimet e mia më të ndjera Zanës, Julianit dhe Sarës për humbjen e bashkëshortit dhe babait të tyre të dashur. Me mendje e zemër gjendem sot pranë tyre dhe gjithë miqve të Maksit në këtë ditë zie.

Profesor Cikuli e vuri gjithë jetën e tij në shërbim të shëndetit të njerëzve, si mjek, si profesor, si deputet dhe si ministër i shëndetësisë.

Ai ishte një nga reformatorët e spikatur që e udhëhoqën Shqipërinë në rrugën e çlirimit nga diktatura komuniste drejt ndërtimit të institucioneve demokratike dhe të ekonomisë së tregut të lirë. Dy herë ministër Shëndetësie, në vitet 1994-1998 e 2005-2008, profesor Cikuli kontribuoi në tranzicionin e sistemit të shëndetësisë dhe mbështeti investimet e mëdha në ndërtimin e sallave bashkëkohore kirurgjikale dhe sistemit të spitaleve rajonale.

Maks Cikuli spikat si model i urtësisë politike dhe angazhimit inetelektul duke u dalluar në jetën parlamentare të vendit për kultivimin e dialogut dhe debatit civil si dhe mbrojtjen e pakompromis të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve. Partia Demokratike është e nderuar që ka patur në radhët e veta njërin nga themeluesit e pluralizmit në Shqipëri, simbol të angazhimit shoqëror, të profesionalizmit, të dijes dhe të humanzimit.

Në këtë ditë zije kur familja ka humbur njeriun e saj më të shtrenjtë, qytetaria kujton me repektin më të madh modelin e intelektualit, shoqëria jonë nderon humanistin e pashoq, demokratët njërin nga përfaqësuesit e tyre të shquar dhe unë një mik të çmuar e të paharrueshëm. U prehtë në paqe!