Nasip Naço: “T’i japim besim drejtësisë dhe të kërkojmë drejtësi prej saj”

503
Sigal

Nënkryetari i Kuvendit Naço, kërkon bashkëpunimin e opozitës për miratimin e ligjit të Gjykatës së Lartë

Në seancën e djeshme të Parlamentin nënkryetari i Kuvendit Nasip Naço, kërkoi më shumë bashkëpunim për miratimin e ligjit të Gjykatës së Lartë. Ai është shprehur se: “Çdo shqiptar që sot ka interes të shohë dhe dëgjojë debatin tonë në këtë sallë parlamenti do të trishtohej. Do të trishtohej, madje edhe do të zemërohej. Si është e mundur që ne të gjithë së bashku të mos gjejmë gjuhën e përbashkët për një ligj kaq të rëndësishëm si ky për Gjykatën e Lartë? Përse ne duhet të nxjerrim çdo herë nga një shkop për t’ia futur njëri-tjetrit poshtë rrotave, për një komunë, qark apo bashki? Në emër të kujt? Në emër të qytetarëve? Në emër të demokracisë? Apo në emër të interesit të vogël të çastit. Kjo më duket vërtetë e trishtueshme”. Ai ka kërkuar që politika të mos ndërhyjë në ligjin e hartuar për këtë gjykatë. “Kolegë të nderuar në këtë sallë, folën dhe arsyetuan, por shumë pak për të mos thënë aspak në atë çka sjell ky ligj, por vetëm mbi politikë, vetëm për komunën, vetëm për qarkun, apo vetëm për një investim të munguar. Unë mendoj se politika nuk duhet të hyjë në ligjin për Gjykatën e Lartë. Kjo nuk i takon asnjë pale politike në veçanti, por i takon dhe u shërben shqiptarëve dhe vetëm shqiptarëve që edhe ne t’i japim besim drejtësisë, por edhe të kërkojë drejtësi prej saj” shtoi nënkryetari Naço. Ai kërkoi kolegëve të tij deputetë që të gjejnë gjuhën e përbashkët, rrugën e komunikimit e të bashkëpunimit mes njëri-tjetrit, pikërisht në emër të atyre njerëzve që përfaqësojnë. Ndër të tjera ai në fjalën e tij që ka mbajtur ka kërkuar që të harrohen kushtet, apo ligjin e matrapazit, më jep këtë, të të jap atë. “Jemi në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe shumë pranë marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Si do t’i presim këto dy ngjarje të mëdha? Si qindra shqiptarë, apo politikanë  të dikurshëm, që i bënin atentate njëri-tjetrit, edhe në sallën e parlamentit? A nuk mundet që për një moment, ne të dalim nga hullitë politike, nga fortesat tona të ngjyruara dhe të mendojmë thjesht si shqiptarë për Shqipërinë?

Kjo do të ishte edhe puna më e mirë që do të realizonim në sytë e bashkatdhetarëve tanë, në sytë e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe në sytë e historisë”, tha Naço. Në mbyllje të fjalës së tij ai kërkoi dhe njëherë votën për miratimin e ligjit. “Ndaj, duke e miratuar bashkërisht  ligjin për gjykatën e lartë tregojmë në këtë mënyrë edhe vullnetin tonë për një politikë jo konfliktuale. T’i japim edhe njëherë besim drejtësisë, por sigurisht duke kërkuar çdo ditë prej saj vendime të drejta dhe të bazuara në ligj” u shpreh nënkryetari Naço.