Nard Ndoka: Më 25 prill 2021 me Referendumin popullor do të rivendoset dinjiteti institucional dhe përfaqësimi politik

356
Sigal

Nard Ndoka, kryetari i PDK

I vetmi problem për demokracinë dhe shqiptarët  ka qenë dhe mbetet vetëm Edi Rama. Një anadollak që ka kapur çdo pushtet, i zhytur në korrupsion, arrogant, i pa përgjegjshëm dhe problematik për të gjithë

 Më 25 Prill do rivendoset dinjiteti institucional dhe  përfaqësimi politik

Lorenca Bejko

-Zoti Ndoka, cili është vlerësimi juaj për aktualitetin politik?

– Është situata më e rëndë në historinë plurale. Një Kryeministër problematik dhe një mazhorancë e degraduar. Krizë ekonomike, politike, institucionale e morale. Pa sistem drejtësie funksionale, pa Gjykatë Kushtetuese, Kuvend një partiak, Bashki pa zgjedhje, që drejtohen nga kryetar të zgjedhur pa garë, këshilla bashkiakë  të një partie. Më keq se kaq, nuk ka qenë kurrë më parë!

– Çfarë parashikoni ju pas 25 prillit 2020?

-Pa diskutim që do të ketë rrotacion politik. Opozita ka arritur të rikthejë besimin tek qytetarët, të rrisë shpresat dhe të rikthehet si alternativë qeverisëse, duke marrë realisht përgjegjësi për qeverisjen e vendit. Lulzim Basha e ka mundur tashmë Edi Ramën, politikisht dhe moralisht. Z. Basha ka treguar përgjegjësi për vendin, duke dhënë kontribut për detyrat tona, në raport me integrimin e vendit në BE. Lulzim Basha në fakt sot, është pikë referimi nga institucionet ndërkombëtare dhe partnerët tanë strategjikë  SHBA e BE! Të gjithë presin 25 Prillin për konfirmimin me vote të Lulzim Bashës si Kryeministër.

– Si ju duket angazhimi juaj politik, duke qenë në opozitë?

– Angazhimi përveç Kuvendit, i cili ka humbur çdo lloj vlere institucionale, është i përditshëm me kontakte me qytetarët, me strukturat tona partiake, me kandidatët për deputetë. Periudha jashtë Kuvendit na ka shërbyer që të prekim nga afër problematikën e qytetarëve, e familjeve në nevojë, të grupeve të interesit dhe çdo ndjeshmëri të qytetarëve që ne përfaqësojmë, por edhe të atyre që janë braktisur nga qeverisja.

-Si është përfshirja e rinisë shqiptare në politikë?

-Edi Rama dhe “Rilindja” e tij kanë një përgjegjësi të madhe politike e morale, për të gjithë të rinjtë dhe familje të tëra, që i kanë detyruar të braktisin vendin. Rinia dhe profesionistët e emigruar kanë qenë dëmi më i madh për vendin. Opozita ka arritur të krijojë shpresë e besim, që të frenojmë largimin, por edhe të krijojmë hapësirat e duhura që ato të marrin pjesë në politikë sot dhe nesër të kthehen të gjithë ata që u larguan nga keqqeverisja dhe arroganca e politikës.

-A janë vënë në pikëpyetje institucionet e Shqipërisë  nga tërmeti, pandemia, papunësia dhe mjerimi i shqiptarëve?

– Ne kemi sot parlamentin më jo përfaqësues që vendi ka patur në 30 vite pluralizëm. Një Kuvend një partiak, pa debate, pa kontroll mbi qeverinë, pa ide, por me ushtarë të nënshtruar përballë padronit të tyre politik, Edi Rama. Shpresoj se më 25 Prill të rivendoset dinjiteti institucional dhe i përfaqësimit politik. Në fakt i vetmi problem për kulturën demokratike dhe rregullat e sistemit, ka qenë dhe mbetet vetëm Edi Rama. Një anadollak që ka kapur çdo pushtet, i zhytur në korrupsion, arrogant, i pa përgjegjshëm dhe problematik për të gjithë! Largimi i tij detyrë dhe përgjegjësi kombëtare për të gjithë!

– Fushata e parakohshme zgjedhore a e ka tensionuar edhe më shumë klimën politike?

– Në fakt ka një frymë pozitive për Opozitën e Bashkuar, besim dhe shpresë, kjo ka ardhur për shkak të qëndrimeve tona në raport me Kuvendin, denoncimi i aferave korruptive të qeverisë, por kryesorja është besimi tek alternativa e Opozites, për ekonomine, biznesin, taksat, rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe karburantit, etj. Krizë e thellë, që ka zhytur vendin në kaos dhe pasiguri. Qeverisje që ka humbur besimin e qytetarëve, duke thelluar krizën me korrupsionin galopant me koncensionet dhe PPP-të, duke zhytur vendin në borxhin më të lartë, në raport me prodhimin e brendshëm.

– Klima e acaruar politike,  a ndihmon në një proces normal të zgjedhjeve politike?

– Kemi një reformë zgjedhore të miratuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, rast unikal në 30 vite pluralizëm, që rregullat e lojës i miraton njëra palë! Gjithsesi, ne jemi të gatshëm për përballjen më 25 Prill. Ka disa përmirësime dhe garanci për procesin, kontrolli biometrik, hapja dhe numërimi i kutive të votimit në 30% të territorit, rrisin garancitë e kontrollit në mënyrë maksimale. Opozita do të marrë të gjitha masat për kontrollin dhe përballjen në këto zgjedhje, nuk ka asnjë justifikim për nesër, por vetëm triumf dhe fitore ndaj së keqes më të madhe “Rilindjes”!

– Reforma e re zgjedhore e miratuar njëanshmërisht nga ky parlament, sa mund të ndikojë në zgjdhjet?

– Në fakt reforma ka bërë hapa cilësorë përpara, së pari duke pastruar vetveten, por akoma jo politikën. Sot drejtësia kontrollohet nga Rama, por shpresojmë se me largimin e tij do të çlirohet edhe drejtësia nga kthetrat e politikës. Nuk jam i kënaqur në mënyrë maksimale, por ka shpresë se realisht, shumë shpejt do të kemi një drejtësi funksionale dhe të pavarur. Çdo ditë e më tepër forcohen dhe kompletohet trupa e sistemit të drejtësisë, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese.

– Nga janari 2021 hyn në fuqi një sistem i ri për udhëtimin në Zonën Shengen. A i penalizon ky sistem qytetarët shqiptarë?

– Është një lajm mjaft i keq, që penalizon lëvizjen e lirë me procedura burokratike dhe mjaft problematike. Për qytetarët shqiptarë ka masa shtesë edhe në raport me vendet e rajonit, ky është një ndëshkim, kryesisht për keqqeverisjen dhe rritjen e numrit maksimal të azilkërkuesëve.

– Si e ka menaxhuar qeveria pandeminë?

– Qeveria dështoi totalisht në dy dramat e mëdha kombëtare, si me tërmetin dhe pandeminë. Një KM demagog, i cili më tepër u përpoq të përfitoje politikisht, se sa të ofrojë ndihmë për familjet e goditura nga tërmeti. Një vit më pas, akoma kemi familje që jetojnë në kushte mizerabël dhe pa shpresë. Shteti i ka braktisur dhe dhunuar ato, me akte propagande dhe demagogji deri në neveri për të gjithë. Pandemia tashmë është një problem për sistemin shëndetësor dhe për jetën e të gjithëve, jemi në mëshirë të fatit. Kemi një kryeministër aventurier dhe të papërgjegjshëm, drejtues të politizuar të sistemit shëndetësor, që më shumë duan partinë se qytetarët e këtij vendi. Menaxhimi i pandemisë një tregues alarmant, që Edi Rama duhet të largohet një orë e më parë nga pushtetllëku i tij arrogant!

– Çfarë mendimi keni për kryeministrin Rama?

– Edi Rama ka humbur drejtpeshimin si lider politik, si KM, por edhe si njeri normal. Pushtetin personal e ka kthyer në qëllim kryesor dhe në këtë sens, sulmon këdo që e kritikon, këdo që shikon si pengesë, sulmon gazetarët, mjekët që mendojnë ndryshe na ai, sulmon Opozitën, trillon, shpif dhe harton çdo plan djallëzor për të ruajtur pushtetin e tij abuziv. Tashmë ai ka frikë, të ikë nga pushteti, ka frikë nga pushteti që ka krijuar, ka frikë edhe nga vetja.

– Çfarë do t’i kerkoje kryeministrit Rama, një mesazh eksluziv për të?

– Premto ato që je i sigurtë që do t’i realizosh! Përzgjidh ekipin më të mirë të mundshëm për drejtimin e vendit!