Mustafaj: Ja pse Rama sulmon LSI. Nuk më shqetësojnë partitë e Topallit dhe Patozit

284
Sigal

Besnik Mustafaj, ish-ministër në Qeverinë Berisha dhe ish-deputet i PD, tha se akuzat dhe sulmet e Edi Ramës ndaj LSI kanë lidhje me faktin se baza e socialistëve po i bashkohet partisë së drejtuar nga Monika Kryemadhi.

Mustafaj tha se LSI ka treguar se nuk mund të asgjësohet. Lidhur me kalimin e disa figurave të LSI-së në krahun e PS-së, Mustafaj theksoi se kjo ka të bëjë me llogaritë personale politike që këto individë kanë bërë.

“Lefter Koka, ish-ministër dhe deputet, i është bashkuar PS për llogari politike personale, por baza e socialistëve, pra votues të PS, po i bashkohen LSI, dhe mendoj se ky është problemi që ka sot Edi Rama me këtë parti”, tha Mustafaj.

Sipas tij, në 2008 u tentua asgjesimi i LSI-së, përmes ndryshimeve Kushtetuese që u propozuan nga Edi Rama dhe u miratuan më pas nga Sali Berisha.

“Ishte një veprim që u bë në atë kohë për ta asgjesuar këtë parti dhe nuk u arrit”, tha Mustafaj.

Lidhur me koalicionin PD-LSI, Mustafaj tha se bashkëpunime të tilla kanë ndodhur edhe më parë, madje skema të tilla i kemi sot edhe në Gjermani.

“Siç janë majisur raportet mes LSI dhe Edi Ramës, mendoj se janë të pamundura mundësitë që këto dy parti të bashkëpunojnë mes tyre.

PD ka bashkëpunuar me LSI në qeverisjen 2009-2013. Gjithashtu në 1992 ka qenë në koalicion me socialdemokratët. Pra mendoj se një bashkëpunim në 2021 nuk është një risi apo diçka që ndodh për herë të parë”, tha Mustafaj.

Sipas tij, e gjithë e djathta është e bashkuar rreth PD me një qëllim të përbashkët: largimin e Edi Ramës.

“Partitë e reja janë ende të paidentifikuara elektoralisht. Unë s´mund të them se partitë e Astrit Patozit dhe Jozefina Topallit janë parti që janë krijuar nga Edi Rama. Mendoj se nëse Topalli dhe Patozi hyjnë në parlament, mendoj se nuk është votë që shkon dëm, apo i shërben Edi Ramës. Përkundrazi nvse ata votues që nuk votojnë PD për x arsye, do të qëndrojnë në shtëpi apo do hedhin votën për Ramën, atëherë mendoj se ky është problemi”, tha Mustafaj.