“Mos na fusni në një “thes” me ministrat, na lini jashtë “fshesës” së “Vetingut”

463
Pas shpjegimit të fjalës “Veting”, me frikën e humbjes së vendeve të punës sipas shprehjes popullore se “Bashkë me të thatin, digjet dhe i njomi”, pastrueset zgjodhën grupet nismëtare dhe krijuan urgjent shoqatën e tyre “Pastrueset qelibare të ministrive të qelbura me korrupsion”, në të cilën nuk pranuan të futen pastrueset e kryeministrisë, duke abstenuar me motivin “Ne jemi në drejtimin e duhur”…
Lajmi u përhap dhe qarkulloi bujshëm nëpër korridoret e kryeministrisë e të ministrive të “Rilindjes”, se gjoja procesi i “Vetingut” do të niste edhe nga kryeministria dhe ministritë, duke përfshirë gjithë punonjësit e administratave të tyre pa dallim qofshin ministra, zv/ministra, sekretare, këshilltarë, drejtorë, nëndrejtorë, nëpunës, shoferë, recepsionistë, marangozë, hidraulikë, kafexhinj, elektricistë e pastruese. Duke qenë se ambasadorët e SHBA-BE, kanë deklaruar që “Vetingu” do të bëhet vetëm për punonjësit e drejtësisë, lajmi për “Veting” edhe nëpër ministri u quajt “fals”. Por e besuan, mbasi nga ky lajm u trembën edhe ministrat dhe u futën në panik gjithë zyrtarët, të cilët nisën t’i “qanin hallin” dhe t’i deklaronin “pastërtinë” njeri-tjetrit. Pasi mësuan kuptimin e fjalës “Veting”, që do të thotë “pastrim i të korruptuarve” me largim nga puna, pastrueset e ministrive reaguan me acarim. Pasi komunikuan me koleget e çdo ministrie me “VIBER”, për t’i shpëtuar “Vetignut” pastrueset vendosën të distancohen hapur nga zullumet e zyrtarëve. Mirëpo duke qenë se “Vetingu” nuk e ka si kriter vlerësimi “distancimin moralo-publik” por kalon në “filtër” pa dallim gjithë punonjësit e institucionit nga ministri e deri tek pastrueset, ato menduan për zgjidhje tjetër “shpëtuese” përballë rrezikut të largimit nga puna! Shefat juridikë e të burimeve njerëzore nëpër ministri, u sqaruan pastrueseve se “Vetingu” nuk bën dallime estetike, politike e familjare, por “i fut të gjithë në një thes”, duke i ngarkuar “me përgjegjësi kolektive”, mbasi sipas “Vetingut” edhe punonjësit e ministrive pa të drejtë vendimi vule e firme përshihen në “fshesën” e këtij procesi “pastrimi”, si persona që kanë parë e dëgjuar për abuzimet e shefave dhe zyrtarëve, por që nuk i kanë denoncuar ato. Pas shpjegimit të fjalës “Veting”, me frikën e humbjes së vendeve të punës sipas shprehjes popullore se “Bashkë me të thatin, digjet dhe i njomi”, pasi vlerësuan dhe analizuan me përgjegjësi profesionale e morale-politike të secilës kolege, të bindura se janë të gjitha qelibar, pastrueset zgjodhën grupe nismëtare dhe krijuan urgjent shoqatën e tyre “Pastrueset qelibare të ministrive të qelbura me korrupsion”, në të cilën nuk pranuan të futen pastrueset e kryeministrisë, duke abstenuar me motivin “Ne jemi në drejtimin e duhur”. Qysh në mbledhjen e parë, kryesia doli me një “Letër të Hapur”, drejtuar dy ambasadorëve të SHBA-BE në Tiranë, zoti Lu dhe zonjës Vllahutin, duke u kërkuar të respektojnë dinjitetin dhe pastërtinë e figurës së tyre si pastruese të pavarura nëpër ministri, në përputhje me “Draftin e Venecias”, për të mos i përfshirë ato në procesin e “Vetingut”, ndërkohë që u deklaruan mbështetjen e tyre të plotë e pa kushte, që “Vetingu” të bëhet nga ndërkombëtarët e nëse lind nevoja edhe me “asistencën informuese” të pastrueseve. Ja “Letra e Hapur” e pastruesve, drejtuar ambasadorëve Lu e Vllahutin…
“Mos na fusni në një “thes” me ministrat, na lini jashtë “fshesës” së “Vetingut”
I nderuar zoti ambasador i SHBA, Shkëlqesia Juaj, zoti Donald Lu!
E nderuar Ambasadore e BE, Shkëlqësia Juaj, zonja Romana Vllahutin! 
Kemi ndjekur me shumë vëmendje e përgjegjësi qytetare zhvillimet e fundit, lidhur me reformën e suksesshme kushtetuese, që lidhet me revolucionarizimin e drejtësisë në Shqipëri, sukses që është vetëm kontributi Juaj historik, për të cilin ne pastrueset qelibar të ministrive të qelbura në korrupsion dhe “gjëra të tjera qejfi”, që nuk na i lejon morali t’i themi, mbasi jemi shqiptare, ju deklarojmë mbështetjen tonë të plotë për Ju, në hapat në vazhdim. 
Por nuk mund të pranojmë asesi, që “Vetingu” Juaj revolucionar e largpamës, të na përfshijë “në një thes” me ministrat, sekretaret, zëvendësministrat, drejtorët e zyrtarët dhe me ca shoferë të tyre sekserë që kanë “bërë namim” në korrupsion. Nisur prej faktit, që ne jemi pjesë e administratës publike me status “Nëpunës të DAP”, ndjejmë që pozicioni ynë zyrtar si pastruese, na krijon shansin fleksibël që gjatë pastrimit nëpër zyra e korridore, të dëgjojmë, të shohim e të prekim me dorë çdo fjalë e letër që shkruhet nëpër ministri. Por kemi dëgjuar këto ditë, se edhe ne pastrueset do të përfshihemi në procesin e “Vetingut”, duke na ndëshkuar me largim nga puna për “përgjegjësi kolektive”. Këtë na e argumentuan Drejtorët Juridikë dhe ata të Burimeve Njerëzore të ministrive, të cilët i besojmë sepse janë me diploma “Kristali”! 
Të nderuar ambasadorë Lu e Vllahutin! 
Përse të na vihet edhe ne pastrueseve “damka” e korrupsionit, kur ajo u përket shefave tanë?! Ne e konsiderojmë njollosje të padrejtë që na bëhet, që “bloza” e korrupsionit e shefave tanë në ministri, të na nxi faqen e bardhë që kemi! Ju të nderuar ambasadorë, kur keni ardhur në zyrat e ministrave për “çështje pune”, patjetër që na keni parë duke pastruar zyrat e korridoret dhe jo duke vulosur, apo e firmosur letra, as duke biseduar “kokë më kokë” apo në telefon me deputetë, me sekretare, me biznesmenë e bosë të huaj, siç bëjnë shefat tanë! 
Duke qenë me funksion publik e zyrtar “pastruese”, ne pastrueset e ministrive Ju bëjmë thirrje, të ndani “bykun nga gruri” dhe të mos na përfshini në “fshesën” kolektive të “Vetingut” komplementar e bashkëkohor, që do të zbatoni! Ka një përputhje konsistente mes profesionit tonë elokuent tonë dhe misionit tuaj adekuat: Ne pastrojmë zyrat nga pluhurat, ndërsa ju pastrojini ato nga zyrtarët e korruptuar! 
Të nderuar zoti Lu dhe zonja Vllahutin! 
Në emër të dinjitetit dhe qelibarllëkut tonë gjatë zbatimit të detyrës si pastruese ministrie, ne anëtaret e shoqatës “Pastrueset qelibare të ministrive të qelbura me korrupsion”, ju deklarojmë se kemi detyrimin, fuqinë dhe mirësinë të gjendemi çdo moment krahë jush jo thjeshtë si shoqatë me anëtarë “dele” sa për të mbajtur parullat në protestat e inciuara prej jush, por si energji vitale bashkëpunuese për të realizuar me sukses procesin e “Vetignut” në zyrat e qeverisë! 
E deklarojmë gatishmërinë tonë për T’ju mbështetur, paçka se Ju nuk zhvilluat asnjë takim paraprak me ne pastrueset e ministrive, si “grup interesi” që punojmë mes vështirësive akute dhe ekstreme për të “qepur gojën” dhe “për të mbajtur mendjen në vend” nga ato që shohim e dëgjojmë përditë gjatë pastrimit që u bëjmë korridoreve e zyrave të ministrave e drejtorëve, ku shikojmë mbi tavolina letra e dëgjojmë biseda për “gjëma e bëma” të mëdha korrupsioni që ata bëjnë!
Mbetemi në pritje të njoftimit Tuaj institucional, për bashkëpunim me kontributin tonë modest në përmbylljen potenciale të procesit të “Vetingut” duke iu ofruar “asistencë informacionesh”!
Me vlerësim
Shoqata “Pastrueset qelibare të ministrive të qelbura me korrupsion”
————————————————————————— 
-2 –
Ministria e Brendshme, përgjigje policive: “Kur të mblidhen lekët e hashashit, do t’u paguajmë orët shtesë”
Konflikti i kupolës drejtuese të Ministrisë së Brendshme me Sindikatën e Policisë, lidhur me pagesat e pa shlyera të policëve për shërbimet suplementare në orët e natës dhe për pagesat shtesë për pjesëmarrje në aksione të rrezikshme anti-krim në terren, duket se po merr një zgjidhje konkrete. Kërkesave telefonike, denoncimeve mediatike dhe letrave zyrtare të bëra e të dërguara në ministri prej sindikatës së policisë, drejtuesit e Ministrisë së Brendshme i janë përgjigjur konkretisht, duke bërë policët “të fërkojnë duart” prej besimit, se më në fund do të marrin pagesat për orët shtesë dhe për orët e vështirësive të shërbimit të natës e të pjesëmarrjes në aksione. Dhe duket se “shenjat janë të mira”, mbasi paçka se është premtim, ka një bazë reale brenda këtij premtimi, që mbështetet në një “burim të fuqishëm” e konkret financiar, që Policia e Shtetit e ka në dorë plotësisht, sepse e menaxhon vetë! Në një letër drejtuar Sindikatës së Policisë, ministria njofton me entuziazëm, se pagesat e pa shlyera të policive që kanë marrë pjesë në aksione të rrezikshme në terren, si dhe pagesat e policëve për orët shtesë dhe vështirësitë gjatë shërbimit të natës, do t’u jepen shumë shpejt. Sipas letrës që i ka shkuar Sindikatës së Policisë, thuhet se këto pagesa do të bëhen sapo të mblidhen lekët e hashashit nëpër zona, i cili tashmë është në fazën e korrje-shirrje-paketimit dhe brenda muajit gusht, sipas “kontratave” do të çohet për shitje në treg. Më tej, letra e ministrisë sqaron, se çdo komisariat policie, ka bërë llogaritë e pagesave të pa shlyera, në përputhje të plotë me listën emëroe të policëve dhe shumat përkatëse të cilat do t’u shlyhen sapo të vijë “prurësi i parë” i lekëve të hashashit. Po kështu, në letër bëhet me dije, se është menduar e vendosur, që policëve të angazhuar me shërbim “në fermat e hashashit” nëëpr zonat malore, t’u paguhet edhe një shpërblim shtesë për vështirësi në sigurinë e jetës dhe aktivitetit të kultivuesve të “licencuar” të drogës!
Përparim HALILI
Sigal