Mori varenë për të shembur piketën e TEC, Meta: Dhuna që përdoret për të zbuar banorët e Roskovecit, meriton përgjigje…

50
Sigal

Presidenti i Partisë së Lirisë, i cili gjatë një takimi me strukturat e tij në Roskovec mori varenë për të shembur një nga piketat e TEC-it dhe bëri thirrje për marrjen e armëve, u shpreh se po përdoret dhunë për të larguar banorët nga zona.

Meta theksoi se kjo dhunë meriton përgjigje të organizuar dhe heroike nga banorët e Roskovecit për të mbrojtur tokën e tyre.

Ai ngriti pikëpyetje se pse kompania greke nuk investon në shtetin e saj për të ndërtuar TEC-it, por ka zgjedhur pikërisht këtë zonë.

“Sepse mafia ka kapur shtetin. Rama kur u kërkoi votat e quajti Toskana, ndërsa tani do të ndërtohet një TEC që do të eksportojë energji elektrike në Greqi. Pse kjo kompani greke nuk investon në Greqi, por do të investojë në një zonë tepër pjellore ku janë ndërtuar qindra hektarë sera e biznese agro-bujqësore.

Është dhuna që përdor shteti për t’i zbuar nga vendi i tyre, meriton përgjigje të organizuar dhe heroike nga ata banorë për të mbrojtur tokën e tyre, investimet e tyre, të ardhmen e fëmijëve të tyre, në mënyrë që ata banorë të mos largohen dhe të shkretojnë një nga zonat më pjellore dhe të begata të Shqipërisë”, tha Meta.

Deklarata e Presidentit të Partisë së Lirisë, zotit Ilir Meta

Faleminderit!

Është kënaqësi të jem sot në këtë konferencë edhe me kolegen e re në Kryesinë e Partisë së Lirisë, zonjë Jasmina Memelli, dhe njëkohësisht të bëj sot dhe prezantimin e saj, si zëdhënëse e Presidentit të Partisë së Lirisë për mediat, dhe këshilltare për mediat.

Zonja Jasmina Memelli është gazetare e cila e ka ushtrua këtë profesion për gati 12 vite, dhe besoj se ka të gjithë eksperiencën e duhur, për të paraqitur qëndrimet e Partisë së Lirisë, e sidomos të Presidentit të Partisë së Lirisë në raport me mediat, me të gjithë kolegët dhe koleget gazetare.

Duke e falenderuar që pranoi të jetë zëdhënësja e Presidentit të Partisë së Lirisë.

Doja të përqëndrohesha në temën që kemi përzgjedhur për sot, e cila po bëhet një shqetësim gjithnjë e më i madh, pikërisht për faktet e pastrimit të parave të pista sidomos në Tiranë,  që ulërasin para syve të shqiptarëve.

Por, dhe që kanë pushtuar edhe të gjitha mediat ndërkombëtare prestigjoze.

Sepse, ndërtimi pa kriter dhe i shfrenuar i kullave dhe i pallateve, nga qendra në periferi, I mbi 52 mijë apartamente të shitura por të pabanuara nga askush, ndërkohë që çmimet vazhdojnë të çmenden dhe qeratë janë të papërballueshme, njëkohësiht edhe rrëzimi përtokë i kursit të këmbit të Euros, të gjitha këto janë prova shumë të qarta, të këtij aktiviteti kriminal të përmasave të jashtëzakonshme.

Në kryeqytetin e vendit më të varfër të Europës, të pensioneve më të ulëta të Ballkanit,  të rrogave më të ulëta të Ballkanit,  kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme, dhe një familjeje të re i duhet mbi 70 vite për të blerë një apartament.

Kur shqiptarët nuk kanë mundësi të blejnë një shtëpi në Tiranë, atëhere si shpjegohet ky bum ndërtimesh dhe këto çmime stratosferike?

Shndërrimi i Tiranës në një lavatriçe gjigande të pastrimit të parave, po ndodh para syve tanë, po tërheq vëmendjen e mediave kryesore botërore, si RAI 3, BILD dhe së fundmi edhe të prestigjozes britanike “The Times”.

Zgjidhja e vetme e kësaj situate kriminale është që ligji duhet të veprojë me ashpërsi dhe në kohë, për të ndëshkuar këtë proces shkatërrimtar të ekonomisë, të biznesit të ndershëm që mbyllet, dhe po falimenton për shkak të pastrimit të parave në Tiranë.

Kur të gjithë flasin për këtë fenomen shkatërrimtar për ekonominë e vendit, SPAK. e vetmja strukturë e ngritur posaçërisht për të luftuar krimin e organizuar dhe pastrimin masiv të parave, hesht.

Kullat në mes të Tiranës, që pastrojnë para ditë dhe natë, i shohin gazetarët deri nga Londra, ndërsa SPAK. vetëm qindra metra larg nuk i sheh dhe nuk lëviz gishtin.

SPAK. është sot struktura më “perfekte” për të mos luftuar pastrimin e parave, dhe mosndëshkuar kriminalizimin e shtetit dhe të ekonomisë nga paratë e narkotrafikut.

Nga SPAK. nuk ka asnjë hetim proaktiv, megjithëse opozita dhe mediat kanë bërë publike fakte të rënda, por asnjë pastrues parash nuk është ndaluar e jo më të jetë dënuar.

E kundërta ka ndodhur me mosveprime të qëllimshme dhe bllokime hetimesh, duke i krijuar pastrimit të parave një ambient perfekt për të vepruar të pandëshkuar dhe të paprekur.

Veprimet propagandistike dhe me regji të SPAK., që merret me arka sardelesh apo shpikje ngjarjesh mediatike, si dhe goditja e opozitës me regjinë e “Rilindjes”, dhe në funksion të axhendave politike elektorale të Edi Ramës, e kanë shndërruar SPAK. në drejtimin e Dumanit,  në një parti politike të jashtëligjshme prokurorësh, aleatë dhe ortakë të Edi Ramës.

Ndaj SPAK. nuk sheh as kullat në mes të Tiranës, as aferat e tjera të tmerrshme korruptive dhe kriminale të Qeverisë, të Edi Ramës dhe të Erion Veliaj.

Ndaj mbyll sytë kur vijojnë pagesat për inceneratorët fantazmë, apo kur “Rilindja” u hap udhën projekteve kriminale, si ndërtimi i termocentralit në Roskovec, ku “varenë” për të shembur atë,  duhet ta kishte marrë i pari SPAK., fill pasi banorët e mrekullueshëm, të një prej zonave më të begata dhe më pjellore të Shqipërisë, ku fermerët kanë investuar sakrifica e 30 viteve të jetës së tyre, dhe punës së tyre në emigracion dhe në vend, po shkatërrohen dhe helmohen në mënyrë të qëllimshme.

Varfërimi i shqiptarëve dhe përqëndrimi i ekonomisë rreth oligarkisë së Edi Ramës, mbetet i vetmi qëllim dhe projekt i Qeverisë.

Përqëndrimi i ekonomisë vetëm tek ndërtimi dhe narko-kullat, dhe njëkohësisht favorizimi i oligarkisë zhvatëse, kanë thelluar papunësinë, mjerimin dhe përjashtimin social, kanë mbyllur qindra mijëra vende pune, duke dëmtuar rëndë biznesin e ndershëm, turizmin, bujqësinë e blegtorinë dhe dëmtuar rëndë mirëqenien e familjeve të thjeshta shqiptare.

Pesë prioritetet e Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus, jo vetëm i japin fund dramës së shpopullimit, por edhe shpërblejnë punën, njerëzit e punës dhe meritokracinë, mbështetin prodhimin vendas, garantojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe e shndërrojnë Shqipërinë, nga një gropë importi, në një fuqi eksportuese në rajonin tonë. Faleminderit!