Monika Kryemadhi zbardh programin madhor të LSI për zgjedhjet e 25 prillit

222
Sigal

LSI prezanton programin për zgjedhjet parlamentare dhe 5 prijoritetet për 5 muajt e parë të qeverisjes pasi shqiptarët janë në kufijtë e mbijetesës. Programi ynë do realizojë: Rimbursimin 5% të çdo blerje nga qytetarët; “Bebe për bebe” nga 1000 USD në lindje deri në 25 mijë USD në momentin e riprodhimit; 1% taks për arsimin për 200 kompanitë më të mëdha; rritja e shkollave profesionale dhe pagesa për praktikat; si dhe TVSH 0% për prodhimet bujqësore dhe blektorale.

 

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi: LSI e angazhuar për përjashtimin nga çdo taksë për familjet me të ardhura nën 35 mijë lek në muaj

Prioritet i programit tonë punësimi i mirëpaguar, rimëkëmbja ekonomike dhe mirëarsimimi i brezit të ri!

Monika Kryemadhi, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim  prezantoi dje programin e partisë me të cilët futet në zgjedhjet e 25 prillit. Në një mbledhje të organizuar me të gjithë anëtarët e LSI-së, Kryemadhi u shpreh se LSI-ja ka pesë prioritete, ku ndër te tjera, përmendi  bonusin për bebet që tha se do të jetë 1 mijë dollarë për çdo të sapolindur. Sipas Kryemadhit, në momentin që ky fëmijë i lindur të shkojë 25 apo 30 vjeç dhe të jetë gati për të krijuar familjen, do të marrë edhe 25 mijë dollarë ndihmë. Kryemadhi tha më tej se LSI-ja do të ketë një program rimbusimi dhe se çdo qytetari do t’i kthehet mbrapsh 5% për çdo shpenzim që do të bëjë, me përjashtim të shpenzimeve që kryhen në entet publike. Kryetarja e LSI-së shtoi më tej se Shqipëria do të furnizohet gjithmonë me produkte shqiptare, duke premtuar program edhe në bujqësi. Mëso dhe Fito është një tjetër pikë e programit, që sipas Kryemadhit, duke rritur numrin e shkollave profesionale dhe gjithashtu duke përmirësuar kurrikulën profesionale të tyre, me parimin e gërshëtimit të arsimit profesional me marrjen e dijeve teorike duke mundësuar që gjatë vitit shkollor nxënësit edhe të mësojën, por edhe të zhvillojnë praktika pune të paguara në të njëjtën kohë.

Shqiptarët, në kufijtë e mbijetesës

Sot të gjitha familjet shqiptare po mundohen për të mbijetuar, po përpiqen për të gjetur punë apo për të ulur koston e lartë të jetesës. Ne tashmë e dimë që shumica shqiptarëve janë më keq se 4 vite më parë, paguajnë më shumë taksa se 4 vite më parë, çmimet janë shumë më të larta se 4 vite më parë.  Pra, shqiptarët përballen sot me një qeverisje jo vetëm që ka dëmtuar shtetin dhe ekonominë e tyre deri në palcë.

Arroganca dhe paligjshmëria  kanë dëmtuar rëndë institucionet vendimmarrëse

Arroganca dhe paligjshmëria  kanë dëmtuar rëndë institucionet vendimmarrëse dhe të pavarura, edhe duke injoruar dhe shkelur Kushtetutën dhe shkatërruar institucionet e pavarura, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e shtetit. Kjo sjellje e Rilindjes ka dëmtuar rëndë besimin dhe shpresën e shqiptarëve dhe kështu dëmtoi edhe besimin tek demokracia e cila ishte frymëzuesja e rinisë shqiptare në vitet 90’ për përmbysjen e diktaturës dhe për të krijuar një sistem të ri. Në këto 4 vite shqiptarët jetojnë më keq se ç’kanë jetuar 4 vite më parë pjesa dërmuese e rinisë shqiptare po humbet  shpresën nëse nuk e ka humbur tashmë.

Nevoja e ndryshimit

Prandaj sot me shumë se kurrë lind nevoja e ndryshimit, i cili vjen me votë por edhe me ndërgjegjësim dhe duke sjellë besim tek njerëzit. Njerëzit kanë nevojë për besimin që  ngjall shpresën  dhe kjo shpresë e dërmuar nga keqqeverisja mund të kthehet vetëm duke folur me njerëzit me një program dhe plan të qartë dhe real që ne si Lëvizje Socialiste për Integrim e kemi tashmë prezent për ta prezantuar dhe ofruar të gjithë qytetarëve. Kemi një program i cili ka në thelb të tij punësimin, një punësim të mirëpaguar, rimëkëmbjen e ekonominë dhe arsimin e brezit të ri, ku rinia jonë duhet të jetë konkurruese jo vetëm në tregun e punës por edhe në fushën e teknologjisë dhe inovacionit me vendet fqinje dhe pse jo rajonin tonë dhe pse jo edhe më gjerë në të gjithë botën. Është Koha për ndryshim dhe shqiptarët kanë nevojë për një ndryshim të shpejtë dhe të menjëhershëm.

Dakordërsi me partnerët opozitarë për taksën e sheshtë 9 për qind

Lëvizja Socialiste për Integrim ka hartuar politika specifike me efekt të shpejtë dhe të drejtpërdrejt për të krijuar mundësinë e punësimit të mirëpaguar dhe për të ulur koston e jetesës dhe sigurisht për të rritur standardin për jetën në familjet shqiptare.  Punësimi dhe ekonomia janë prioritet për ne dhe të panegociueshme. Çlirimi i ekonomisë nga monopolet, ulja e taksave te larta qe po i marrin frymën ekonomisë dhe familjeve shqiptare, krijimin e zonave të lira ekonomike ku do të mbështesim drejt për së drejti krijimin e çdo vendi pune për të rinjtë dhe profesionistët do ta kthejnë Shqipërinë shtëpinë e investimeve. Kemi rënë dakord për taksën e sheshtë 9%, por ne si Lëvizje Socialiste për Integrim angazhohemi për përjashtimin nga çdo taksë për çdo familje ose person me të ardhura nën 35 mijë lekë të reja në muaj.

Do të realizojmë një reformë tërësore në arsim, me 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto

Me programin Garancia Rinore do të mbështesim sipërmarrjen e lirë të profesionistëve të rinj në Fushën e teknologjisë dhe inovacionit, prandaj dua të ndalem tek të rinjtë tanë, të cilët përballen me sfida të mëdha si papunësia, kosto e jetesës shpopullimi dhe integrimi në BE. Një sistem arsimor cilësor që prodhon profesionist dhe jo kartonë diplomash, është  zgjidhja për të garantuar për punën e mirëpaguar, për të krijuar besimin se ardhmja për rinjtë është këtu, që të qëndrojnë këtu, ta konsiderojnë Shqipërinë shtëpinë e tyre dhe për të përgatitur qytetarë për të ardhmen si qytetarë evropianë.  Prandaj, ne do të realizojmë një reformë tërësore në arsim, duke paguar në mënyrë dinjitoze mësuesit tanë që janë ata që edukojnë brezin e ri dhe duke e lidhur  shkollën, me biznesin, dhe me tregun e punës.   Ne do  të mbështesim realisht arsimin me 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Do të masivizojmë programin Mëso dhe Fito dhe do të investojmë në kërkimin shkencor dhe inovacion

Ne do të  vendosim  Taksën e të Ardhmes në 1% e fitimit të 200 aktiviteteve apo kompanive të të mëdha.  Kjo e bën të mundshme, të prekshme për të realizuar atë reformë në arsim që është e domosdoshme. Do të masivizojmë programin Mëso dhe Fito, që profesionistët e rinj të punojnë dhe fitojnë pranë  biznesit, ndërsa mësojnë në shkollë. Do të investojmë në kërkimin shkencor dhe inovacionin, që të rinjtë te tregojnë talentin e tyre dhe që shoqëria të konkurrojë në ekonomi me dinjitet si me fqinjët, ashtu edhe me botën.

Mbështetje me 1 mijë dollarë për çdo bebe

Mbështetja për familjen është një nga çështjet tona kryesore. Kjo ka të bëjë me programin nga bebja në bebe. Për çdo fëmijë që lind, ne do të i ofrojmë një garanci prej 1 mijë dollarësh dhe në momentin që ky fëmijë do të ketë mundësinë të krijojë familjen e tij e të bëhet me fëmijë, pas 25-30 vitesh, ai do të ketë rreth 25 mijë dollarë që të ndihmojë dhe krijojë familjen e tij.  Ashtu edhe për mbështetjen ekonomike të gruas, fuqizimin e saj e cila është themeli i edukimit të brezit të ri, do të jetë një nga prioritetet tona kryesore.

Zero % TVSH në të gjithë zinxhirin e prodhimit, do të mbrojmë prodhimin vendas!

Le të flasim tani për bujqësinë, që është një nga pikat kryesore, pasi gjysma e popullsisë jeton me këtë sektor, ku shumica e tyre janë në prag të mbijetesës, e ndërsa shqiptarët shpenzojnë rreth 80% të pagës së tyre për ushqim, vetëm rreth 30% e kësaj kërkese prodhohet dhe mbulohet nga prodhimi vendas. Me planin tonë, kjo situatë do të ndryshojë. Ne do të garantojmë mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët shqiptarë për të rritur prodhimin. Një paketë e dedikuar financiare do të investohet për të mundësuar uljen e kostove të inputeve bujqësore dhe të naftës. Ndërsa fermerët do të mbështeten për njësitë e prodhimit, shqiptarët do të ushqehen me produkte MADE IN ALBANIA. Ne do të vendosim 0% TVSH në të gjithë zinxhirin e prodhimit dhe do të mbrojmë prodhimin vendas, në mënyrë që shqiptarët të ushqehen më mirë dhe më lirë.  Ne do të mbështesim industrinë ushqimore, e cila do të dëshirojë të krijojë mundësinë e vendeve të reja të punës që do të jenë jo vetëm dinjitoze, por edhe vende pune të mirëpaguara, sepse do të kemi një mundësi për të krijuar hapësira edhe për eksportet me prodhimet bio.

LSI-ja e mban gjithmonë fjalën e dhënën

Na ndajnë 90 ditë nga 25 prilli. Data e ndryshimit të pritur nga shqiptarët dhe i cili është i domosdoshëm në këtë situatë që gjenden familjet shqiptare ky është programi që në thelbin e tij ka prioritete kryesore të LSI për të cilat ne angazhohemi sot në emër të gjithë anëtarësisë sonë por dhe në emër të të gjithë mbështetësve tanë që e kanë votuar dhe do ta votojnë LSI në 25 prill. Sepse ne mbajmë fjalën, ne i mbajmë njerëzit, i mbështesim dhe i japim mundësinë për të qenë vetvetja dhe për të qenë ai brez i ri që është prezent dhe ka dëshirë të jetojë në Shqipërinë dhe ta kthejë Shqipërinë në shtëpinë e tij.

Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve

Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve dhe ne do të bëjmë të mundur që ta kenë shtëpinë e tyre.  Ne siç e kemi mbajtur fjalën që do të ju japim të rinjve e të rejave mundësinë për të qenë në politikë dhe e kemi mbajtur në këto 17 vjet të krijimit të LSI-së dhe këtu përballë kam Anxhelën e cila ka lindur në 6 shtator të 2004, ditën që ka lindur LSI-ja. Kjo është motoja jonë për të fuqizuar fëmijët, familjen e shqiptarëve për të krijuar një shtet të shqiptarëve që në thelb të ketë familjen. Erisa e ka nisur jetën e saj në politikë si vajzë e re, gjimnaziste dhe tani është nënë e 2 fëmijëve. Kjo pra është LSI-ja që u ofron të rinjve dhe të reja mundësinë që të ndikojnë në jetën e vendit.

5 prioritetet per 5 muajt e parë të qeverisjes nga progami madhor i LSI

1- Programi i rimbursimit 5% të vlerës së çdo blerje, me përjashtim të shpenzimeve që kryhen në entet publike. Çdo qytetar do t’i kthehet mbrapsh 5% për çdo shpenzim që do të bëjë.

2- Mbështetje për familjet e reja dhe rritje të lindshmërisë. Programi nga “Bebja në bebe” duke krijuar fondin për çdo fëmijë të lindur që do ti kthehet në momentin që riprodhon vetveten. 1000 USD fond fillestar deri në maturim rreth 25.000 USD. Në momentin që një bebe lind, në emër të tij hapet një fond investimi prej 1000 USD, i cili vendoset në një fond investimesh dhe i kthehet bebes në momentin që ai riprodhon vetveten. Kur ai bëhet prind. Duke patur parasysh se mosha mesatare që ai riprodhohet është llogaritur rreth 25 vjec. Mund të jete edhe me shume prej interesave të fondit të investimit.

3- 1% Taksa e të Ardhmes për arsimin për 200 kompanitë më të mëdhatë.

4- Të masivizojë programin “Mëso dhe Fito”, duke rritur numrin e shkollave profesionale dhe gjithashtu duke përmirësuar kurrikulën profesionale të tyre, me parimin e gërshëtimit të arsimit profesional me marrjen e dijeve teorike duke mundësuar që gjatë vitit shkollor nxënësit edhe të mësojën, por edhe të zhvillojnë praktika pune të paguara në të njëjtën kohë.

5- TVSH 0% për prodhimet bujqësore dhe blegtorale Made in Albania; Pajisja me Kartën e Fermerit me zbatimin e së cilës bëhet zbritja automatike e pagesës së TVSH-së për imputet bujqësore, (plehra kimik, fidanë, fara, naftë), për rimbursimet dhe subvencionet.