Monika Kryemadhi, kryetare e LSI: Kryeministri Rama i zhytur në batakun e kriminalitetit është frymëzuesi i shkatërrimit të Shqipërisë

530
Sigal

Edi Rama dhe veglat e tij po mundohen t’u heqin shqiptarëve edhe një nga pak të drejtat që u kanë mbetur, të drejtën e protestës. Me kërcënime, keqpërdorimin e policisë, me gjuhën vulgare me të cilën iu drejtohet banorëve të “Unazës së Re”, ai më kot përpiqet të ndalë qytetarët të kërkojnë të drejtën e tyre. I zhytur në batakun e kriminalitetit, frymëzuesi i shkatërrimit të Shqipërisë, çdo ditë shpik beteja dhe heronj imagjinarë me synimin e vetëm që të tërheqë vëmendjen nga protesta, e cila çdo ditë e më shumë gërryen themelet e pushtetit të krimit dhe oligarkëve. Fryma e rebelimit popullor është frika më e madhe e diktatorëve dhe si e tillë ajo e tmerron Edi Ramën, që prej muajsh vetëm menaxhon krizat e deputetëve të tij të inkriminuar dhe të klientëve të tij, që pasurohen me paratë e shqiptarëve. Kryeministri i krizës, i rraskapitur nga skandalet e njëpasnjëshme tashmë ndodhet në grahmat e fundit të despotizmit të tij politik. Çdo minute, çdo orë dhe çdo ditë proteste kundër qeverisjes së tij është një tullë më pak në themelet e rrënuara të qeverisë së rilindjes. Asnjë dredhi politike, asnjë marrëveshje apo pazar i bërë jashtë syve të publikut, asnjë media e blerë apo e shitur, madje as mungesa apo pavarësia e institucioneve të drejtësisë nuk mund të ndalë rebelimin e qytetarëve, të cilët nuk kërkojnë asgjë më shumë se të drejtën që u jep kushtetuta.