Mirush Kabashi: S’më del inati, Teatri është Meka e kulturës shqiptare

547
Sigal

Edhe mbrëmë artistët vijuan protestën kundër projektligjit të qeverisë për shembjen e Teatrit Kombëtar. Në fjalën e tij aktori i njohur Mirush Kabashi dha arsyet e tij pse është kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe pranon rikonstruktimin e tij. “Problemin mos ta trajtojmë në baza shembujsh e shifrash, por në baza parimesh. Nëse merrej një vendim duhej marrë i diskutuar me komunitetin e artistëve, nëse duhet të rikontruktohet ky teatër apo të ndërtohet një nga e para. Nëse bien dakord duhet të jetë në projektin që do bëhet e gjithë sipërfaqja e teatrit ekzistues. Për mua ky duhet të rikonstruktohet si teatër, se ka një histori të lavdishme, ky teatër është Meka e kulturës shqiptare. Veliaj u përpoq të na kujtojë se është rritur buxheti për kulturën, por ne i kujtuam se Kosova e ka dy herë më të madh buxhetin për kulturën, ndërsa Maqedonia 3-4 herë. Është një turp për politikën shqiptare që ne artistëve na kanë imponuar një ligj diktatorial, se nuk më del inati në këtë mes. Ne atëherë konsideroheshim ndihmës të partisë në edukimin e masave, se ajo bënte politikën për artin dhe artistët duhet të prodhonin një art të lustruar socialist, jo realist. E sot pas 30 vitesh, politikat e artit i vendos qeveria në mbledhjet e qeverisë. Nuk duhet të ketë politikë qeveritare apo partiake për artin, ai duhet t’i nënshtrohet vetëm Kushtetutës,” tha Kabashi.