Mircea Perpelea: Reforma Zgjedhore, si kusht për integrimin

523
Sigal

Ambasadori rumun: Reforma zgjedhore është mes kushteve për konferencën ndërqeveritare
Reforma Zgjedhore është mes kushteve për konferencën e parë ndërqeveritare të negociatave mes Shqipërisë e Bashkimit Europian, ndërsa ndryshimet janë dërguar në Venecia nga presidenti Meta. Ambasadori rumun, Mircea Perpelea, i pyetur për këtë çështje në Korçë, tha se duhet të ketë një harmoni midis realitetit në Shqipëri, ligjeve dhe vendimeve këshillimore që jep Komisioni i Venecias. “Venecia ka një status konsultativ, por nuk është vendimmarrës, është këshilluese. Duhet pasur harmoni midis realitetit në Shqipëri, ligjeve, dhe vendimit këshillimor të komitetit të Venecias.” Hollanda e ka cilësuar të njëanshëm ligjin zgjedhor dhe ka paralajmëruar bllokim të rrugës integruese të Shqipërisë, qëndrim që diplomati rumun nuk pranon ta komentojë. “Nuk mund të flas për pozicionin e Hollandës. “Në demokraci secili ka të drejtën e vet, natyrisht që vendimin kanë për ta marrë institucionet e komunitetit europian.” Personalisht thotë se Shqipëria ndodhet në një fazë tranzitore, ndërsa shtoi se beson që në një afat të shkurtër do të arrijë standardet evropiane. “Unë mbështes që Shqipëria të ketë një sistem ligjor europian, sepse është vend europian. Natyrisht sot jemi edhe para një faze tranzitore të Shqipërisë dhe mendoj që Shqipëria, në afat të shkurtër, do të arrijë të gjitha standardet europiane”.