Edhe Shqipëria nuk i ka shpëtuar variantit më të ri të koronavirusit. Ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu lë të kuptohet se në vend ka disa raste të variantit Delta në qarkullim. Në një intervistë me gazetarin Lutfi Dervishi në emisionin Përballë, Manastirliu tha se ISHP ka patur një sinjalizim të pazakontë në disa mostra laboratorike.
” Edhe Shqipëria është alertuar tashmë prej disa javësh për variantin e ri Delta. Në laboratorin e ISHP që është një laborator reference në ditët e fundit ka patur një sinjalizim po themi në mostrat laboratorike të vlerësuara nëpërmjet metodës PCR të një sinjali të pazakontë. Pra në disa mostra të vlerësuara, të cilat çojnë në një dyshim për qarkullimin e variantit Delta edhe në vendin tonë. Por për të patur 100% siguri për qarkullimin e këtij varianti duhet sekuencimi genomik i cili realizohet në një lavorator reference në Gjermani. Dhe mostrat janë duke u përgatitur për tu çuar në këtë laborator. Por e vërteta është që ka një sinjal të pazakontë.” – tha Manastirliu.
Varianti Delta në vend do të rris numrin e infektimeve ndaj Manastirliu thotë se mund të shtohen kufizimet për hyrjen në Shqipëri.
“Nëse do të kemi një alert të shtuar në raport me impaktin që ka ky variant edhe në shëndetin e popullatës në raport me hospitalizimet apo fatalitetet, padyshim që do të jetë komiteti i ekspertëve i cili do të marrë edhe masat në vijim.” – tha Manastirliu në Përballë.
Shqipëria nuk ka ende një plan për vaksinimin e fëmijevë +12 kundër Covid-19.
Më tej gjatë intervistës, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se objektiv parësor vijon të mbetet vaksinimi i grupeve të riskuara.
“Komiteti i imunizim është një komitet që vlerëson kur vaksinohen edhe grupet e tjera përveç atyre të riskut. Por ashtu sikurse OBSH apelon ne duhet që të sigurojmë mbrojtje efektive për grupet e riskut. Objektivi ynë parësor është vaksinimi i grupeve të riskuara, pra atyre që kanë sëmundje bashkëshoqëruese. Ato që kanë një moshë e cila më pas futet në grupmoshën e riskut dhe shkakton sëmundshmëri të lartë dhe fatalitete gjithashtu. Padyshim edhe duke vajtur tek grupmishat 12, 18 në momentin që ky komitet do të shprehet për këtë ne jemi të gatshëm. Janë më shumë se 3 milionë vaksina të cilat tashmë janë të kontraktuara.” – theksoi Manastirliu.
Projekti për ndërtimin e fabrikës prodhuese të vaksinave kundër koronavirusit në Shqipëri është në hapat e tij të parë.
Gjthashtu në vazhdim të intervistës, Manastirliu sqaroi se ndërtimi i kësaj fabrike është prioritet ndaj qeveria po i krijon të gjitha kushtet.
” Është patjetër një ndër ato prioritete që ne kemi me tregun farmaceutik që në Shqipëri të mundet pra që veç prodhimit të barnave dhe të manifakturës apo fabrikave të prodhimit të barnave të ketë mundësi të prodhohen dhe vaksinat. Apo dhe ku të kryhen proçese të ndryshme të përgatitjes së vaksinave. Ky është një projekt i cili është në hapat e tij të parë por që ne, kryeministri Rama e ka vendosur në prioritetet për ta çuar përpara duke krijuar të gjithë mundësitë për ta ndërtuar këtë fabrikë, për të krijuar kushtet për ndërtimin e saj. E cila të sigurojë një prodhim të vaksinave jo vetëm për tregun vendas por duke pasur një qasje edhe më të gjerë, një qajse për rajonin. Pa dyshim që një ndër prioritetet tona në raport me sigurimin jo vetëm të vaksinave por edhe me sigurinë e barnave është edhe bashkëpunimi me agjencinë turke ku shumë shpejt do të finalizojmë edhe një memorandum binjakëzimi me ta. “





















