Komisioni i Venecias shqyrton më 14 tetor zgjedhjet e 2019-s

206
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Komisioni i Venecias do të shqyrtojë më 14 tetor 2021, kërkesën nga Gjykata Kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit të vitit 2019. Gjykata Kushtetuese ka pezulluar gjykimin dhe vendosi t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë mendim lidhur me padinë e Shoqatës së Bashkive, e cila kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Sipas njoftimit të Komisionit të Venecias, çështja do të shqyrtohet, pas kërkesës së Kushtetueses për të adresuar juridiksionin mbi kushtetutshmërinë e procesit për zgjedhjet lokale të vitit 2019.

Komisioni i Venecias

Më 9 korrik 2021, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri kërkoi një opinion për të adresuar në veçanti juridiksionin mbi kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor dhe ndërlidhjen e parimeve themelore kushtetuese të periodicitetit të zgjedhjeve lokale dhe pluralizmit politik, në marrëdhënie me zgjedhjet lokale të vitit 2019. Drafti duhet të paraqitet për miratim nga seanca e 128-të plenare e Komisionit të Venecias. Çështja do të shqyrtohet nga data 14-16 tetor. Trupa gjykuese u ka kërkuar palëve në gjyq të dërgojnë nga një pyetje që t’i adresohet Komisionit të Venecias. Gjykata Kushtetuese ka shpjeguar vendimin e saj për të kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias, lidhur me kushtetutshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit të vitit 2019. Përmes një komunikate për media, ata kanë lënë të kuptohet se ka vendosur ta sqarojë situatën, pasi ka parë “keqinterpretime dhe keqinformim” të opinionit publik lidhur këtë çështje. “Objekti dhe çështjet për të cilat u vendos të kërkohet ky opinion janë të ndryshme nga çështjet e trajtuara në opinionet e mëparshme të Komisionit të Venecias, të cilat Gjykata Kushtetuese pa dyshim i mban gjithmonë në konsideratë”. Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim më 23 qershor, kërkesën e shoqatës së Bashkive për shfuqizimin si antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe ripërsëritjen e tyre.