Ministria që na duhet, për të mos mbetur llaç e tulla!

566
Artan FUGA

A do të lindi bebja e vdekur, apo do të jetë vitale? Kur mediet po hamendësojnë për strukturën e ministrive dhe ministrat e ardhshëm të qeverisë të mandatit të dytë të Edi Ramës, për vete kam një kriter bazë vlerësimi: A do të jetë ajo, një strukturë dikasteriale që do të vazhdojë ta lërë Shqipërinë e gjorë pas shekullit të 21-të, pra larg botës së sotme të qytetëruar, pra në epokën e hurit dhe të zjarrit e të litarit apo do ta futë atë në botën e sotme postmoderne të digjitalizimit. Them “për vete”, sepse jemi ne si qytetarë që “ftohemi në qeverisje”, humbasim kohën kot me gjëra për të cilat kemi paguar të tjerë të merren, meqë nuk kuptohet se përse opozita që është bërë si Guomindani, nuk paraprin me propozime, por hesht dhe s’bëzan. Mbetet e mbyllur te bishtnizmi duke ndjekur agjendën që i imponon qeveria. Pra, na duhet, Shqipërisë i duhet, një ministri e fuqishme telekomunikacionesh. Se të kesh një ministri transporti, kur nuk kemi as trena, as anije, vetëm rrugë për faqe të zezë, pra të kesh ministri për rrugët e asfaltit dhe ziftit, dhe mos kesh ministri për rrugët e bulevardet e telekomunikimit digjital, kjo do të ishte pikë e zezë, bebja do të lindte e vdekur. Ministri e telekomunikacioneve, e novacionit teknik dhe e kërkimit shkencor. Kjo e ndan shapin nga sheqeri. Se jemi në gjendjen kur të udhëtosh nga Selaniku në Gjirokastër, apo nga Bari në Vlorë, teknikisht nuk është thjesht një udhëtim në hapësirë, por edhe në kohë, atje shekulli i 21-të, këtu i 19-i dhe drejt origjinave të njeriut.

Një dikaster:
 Që do të ngërthejë politikat publike ndaj informacionit; 
 Që do të jetë fuqia publike për administrimin e spektrit të frekuencave një pasuri më e madhe sa nafta dhe gazi të marra së bashku; 
 Që do të hartojë e ndjekë reformat gjigante që duhen bërë në digjitalizimin e ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, 
 Që do të hapi perspektiva për novacionin në financa, ekonomi, kulturë duke i numerizuar ato, 
 Që do të administrojë rrugët e flukseve të informacionit, 
 Që do të jetë lideri i numërizimit të tregtisë, arsimit, shkencës, sipërmarrjeve, si edhe do të jetë rregullatori i start-upeve, dhe i gjithë jetës virtuale në Internet, e cila ka mbetur si pyll i shkretë ku brigandët bëjnë ligjin në një botë pa rregulla, norma dhe etikë.
 Që ta bëjë kërkimin shkencor në Shqipëri të jetë efikas dhe jo një llomotitje delirantësh dogmatikë. 
Përndryshe mbetëm te brick and mortar, një treg prej mishi e kockash si në pazarin e Ksamilit ku vjen kasapi dhe ia ngul hanxharin qengjit të varur në pemë dhe currilat e kuqe përhapen mbi bar, rërë dhe gurë. Ne jemi ende te materialja kur bota noton në virtuale. Pse dru me pre hesapi, jemi ne?!
Sigal