Kur ende rrugët tona , madje edhe ato nacionale janë në një gjendje të mjerueshme, pa standarde, pa sinjalistikë rrugore, pa asnjë mbikalim dhe nënkalim, pa barriera anës rrugëve, por me shesh rrethe edhe në të ashtuquajtur “autostradë”, sikurse është aksi rrugor Durrës- Fier, ministria e Transportit përgatit një projektligj që ti japë një grand prej 150.000 euro një kompanie greke, që kjo të përgatitë tarifat e Taksimit Rrugor në Shqipëri.
Arsyetimi i Haxhinastos përse duhet taksimi rrugor
Ministri Haxhinasto, duke pranuar dështimin e politikave të tij, në lidhje me përmirësimin e standardeve të rrugëve në Shqipëri, justifikohet se Shqipëria është ndër të paktat vende të rajonit, qytetarët e së cilës, nuk paguajnë asnjë detyrim monetar për përdorimin e rrugëve. Kësisoj, e gjithë barra i bie shtetit. Sepse sipas minsitrit Haxhinasto, fondi që shteti vë në dispozicion për mirëmbajtjen e rrugëve, është sa 1/3 e shumës që nevojitet. Mirëpo ministri Haxhinasto harron se drejtuesit e mjeteve paguajnë taksë për rrugët, dhe këto taksa në vlerë monetare janë miliona euro të përvitshme. Pyetja është: Ku shkojnë këto para që paguajnë drejtuesit e automjeteve, derisa rrugët janë në gjendje të mjerueshme?
Tenderat e përmirësimit të rrugëve ngarkohen me miliona euro, rrugët përkeqësohen
Ndonëse shteti vë në dispozicion 1/3 e fondeve për përmirësimin e mirëmbajtjes së rrugëve, prapëseprapë rrugët mbeten në gjendje të mjerueshme, sepse ministri Haxhinasto më shumë interesohet për tenderat që jepen për mirëmbajtjen e rrugëve, se sa për cilësinë e punimeve të kryera. Për këtë arsye, ministri Haxhinasto ka hartuar një projektligj ku kërkohet që qytetarët të paguajnë për shfrytëzimin e pasurisë publike, siç është rruga. Shifrat e detajuara i përcolli dje në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese Argita Totozani, Drejtore e Integrimit në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës.
Grand 150.000 euro grekëve për të studiuar tarifat e taksimit të rrugëve
“Qeveria shqiptare do të ketë një strategji dhe hartën e rrugëve që mund të taksohen, e cila do të përdoret më pas për mirëmbajtjen e tyre. Egnatia Odos do të jetë kompania që të hartojë ketë strategji, përmes një granti prej rreth 150 mijë eurosh të siguruara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Harta e inventarizuar e rrugëve,që do të jenë me pagesë do të jetë gati në fund të këtij viti”, tha Totozani. Në përfundim Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si administrator i fondeve grant të siguruara nga BERZH-i, nga burimet e veta, nën fondin e veçantë të aksionarëve, për Strategjinë e Taksimit Rrugor në Shqipëri”.

















