Vendi ynë humbet gati 200 milionë dollarë në vit nga vjedhjet e energjisë. Pra, vjedhja dhe humbja mbeten dy nga pikat kyç të kësaj situate të vështirë në treg. Nëse zyrtarisht thuhet se 45, 04 % e energjisë nuk paguhet, të dhëna të tjera jo zyrtare bëjnë të ditur që kjo shifër shkon deri në 72 %. Sigurisht, që pesha më e madhe vjen nga vjedhja që bëhet nga konsumatorët, ku një pjesë e mirë e tyre janë bizneset. Por, përderisa buxheti i shtetit financon çdo vit vjedhjet që qytetarët i bëjnë energjisë elektrike, kjo do të thotë që për paaftësi të ministrit të Energjetikës z. Damian Gjiknuri, kjo energji do të paguhet sërish nga taksat që gjithsecili prej nesh, paguan çdo ditë. Problematika e humbjeve të energjisë është një nga problemet më shqetësuese të paraqitura edhe në raportin e ERE-s për vitin 2013. “Nga këto monitorime rezultuan problematika të shumta dhe të ndryshme në lidhje me performancën e CEZ Shpërndarje dhe shërbimet që ajo duhej t’i kryente në sasi dhe cilësi te konsumatorët e energjisë elektrike. U vu re një përkeqësim i rezultateve financiare të kompanisë, reduktim i ndjeshëm i investimeve për fuqizimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Në veçanti u vu re një përkeqësim i ndjeshëm i njërit prej treguesve më të rëndësishëm të aktivitetit të kompanisë, që është treguesi i humbjeve të energjisë elektrike siç është rritja e ndjeshme e humbjeve joteknike”, thuhet në raport. Po pse nuk paguhet energjia elektrike në vend? Përdorimi i CEZ Shpërndarje si mënyrë për të shpërblyer militantët me poste e me detyra drejtuese, është një nga pikat kyçe të mosfunksionimit të këtij institucioni, e drejtuar (menaxhuar) tashmë nga ministria e linjës. Ministri i linjës z. Gjiknuri ka servirur në krye të këtij institucioni të rëndësishëm të energjetikës shqiptare, drejtues që sipas burimeve të sigurta, edhe firmat nëpër shkresa i venë nëpër zyrat e tyre private dhe jo në institucion. Epo nuk mund të bësh menaxhim të tillë dhe të pretendosh të dalësh nga kriza vetëm duke bërë reforma të sforcuara të kërkuara nga FMN-ja, pa reformuar një herë mentalitetin e atyre që drejtojnë këtë sektor jetik të ekonomisë shqiptare me një impakt kaq të madh social. Nga ana tjetër, janë dhe politikat populiste të politikës shqiptare të cilët në këmbim të votave “lejojnë” një pjesë të mirë të qytetarëve shqiptarë të mos e paguajnë energjinë, e cila po vijon të zbatohet dhe sot. Ndjeshmëria sociale që ka energjetika i frikëson pushtetarët të zbatojnë ligjet në fuqi, që të marrë energji ai që paguan. Duke pasur frikën e rebelimit të masës së gjerë të popullsisë, por duke dëshiruar shumë dhe votat e tyre, shteti ka ngecur në këtë vorbull duke u zhytur thellë e më thellë. Statusi i paqartë juridik i CEZ Shpërndarje dhe sot e kësaj dite (shtetëzimi nuk është bërë ende, gjë që duhej bërë që me largimin e kompanisë cceke) duhet të sqarohet një herë e mirë që qeveria ta marrë nën kontroll dhe që të bëjë të mundur në këtë mënyrë edhe kontrollin e saj nga KLSH, pasi në këtë mënyrë çdokush mund të jetë pjesë e 72 %-it jozyrtar dhe ne taksapaguesit të shlyejmë detyrimet për hajdutët e pasurisë shtetërore.



















