Ministeriali i Ekonomisë në Tiranë, Mete takon ambasadoren e Francës: Mbështetje për Shqipërinë

14
Sigal

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, priti në takim zyrtar ambasadoren e Francës në Tiranë, Catherine Suard, në pararendje të Ministerialit të Ministrave të Ekonomisë, pjesë e Procesit të Berlinit.

Në këtë takim u vlerësua niveli i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve dhe u theksua potenciali për forcimin e mëtejshëm të tyre në të ardhmen.

Gjatë takimit, ministri Mete vuri theksin te rëndësia e mbështetjes së vazhdueshme që Franca ka dhënë për Shqipërinë dhe për reformat që Qeveria shqiptare ka ndërmarrë në rrugën e saj të transformimit dhe zhvillimit ekonomik.

Në mënyrë të veçantë, Mete vlerësoi rolin që Franca ka dhënë në Procesin e Berlinit dhe në forcimin e bashkëpunimit ekonomik të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Më tej, u diskutua në lidhje me Ministerialin e ministrave të Ekonomisë që do të mbahet në Tiranë më 26 shtator, ecurinë e zhvillimit të projekteve të ndryshme ekonomike dhe promovimin e interesit të kompanive franceze për të investuar në Shqipëri.

Ambasadorja Catherine Suard uroi Mete për detyrën si ministër i Financave dhe Ekonomisë dhe shprehu angazhimin për vijimin e mbështetjes për vendin tonë, në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian dhe Procesit të Berlinit.

Takimi me ambasadoren e Francës i paraprin atij që ministri i Financave dhe Ekonomisë, Mete pritet të zhvillojë së afërmi me ministrin e Deleguar përgjegjës për Tregtinë e Jashtme, Atraktivitetin dhe Francezët jashtë vendit, Olivier Becht.