Milo: Protesta kundër Ruçit si kryetar i Kuvendi, e bëjnë opozitën artificiale

506
Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo e cilëson të habitshme dhe artificiale protestën e parashikuar për t’u mbajtur në seancën e parë plenare të këtij sesioni parlamentar, kundër zgjedhjes së Gramoz Ruçit në krye të këtij institucioni. I ftuar në një emision televiziv, Milo tha se Ruçi është një figurë me përvojë në jetën parlamentare shqiptare. “Më duket e habitshme dhe artificiale, nuk më ngjan se është në taban ky veprim opozitar për të kontestuar zgjedhjen e një njeriu me kaq përvojë parlamentare.

Kush mund të vijë në krye të parlamentit shqiptar, nëse nuk do jetë një person me një përvojë të tillë? Duket e rëndomtë kjo lloj proteste ndaj zgjedhjes së Ruçit në postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë”, u shpreh Milo. Sa i takon rolit të opozitës në sesion e ri parlamentar, Milo tha se është me rëndësi që të respektohet institucioni i Parlamentit, dhe të mos kthehet në një arenë akuzash e përplasjesh, siç ndodhi në 4 vitet që lamë pas. Ai tha se pritet që në 4 vitet e ardhshme të kemi një opozitë të fortë, dhe që do të japë ide konstruktive.“Mendoj se do të ketë një opozitë të fortë. PD dhe LSI besoj se do të përpiqen të bëjnë një opozitë të fortë, secili me tezat e tij. Por fortësia dhe agresiviteti i opozitës në Parlament, duhet të përqendrohet më tepër në paraqitjen e alternativave ndaj projekteve të qeverisë, dhe jo të shndërrohet Parlamenti në një arenë akuzash e përplasjesh, siç ndodhi në 4 vitet që lamë pas. Nëse do ketë një sjellje të opozitës si ajo e 4 viteve që shkuan, do të thosha se Parlamenti nuk do të jetë në lartësinë e duhur, si ajo që kërkon dhe pret populli shqiptar. Duhet respektuar institucioni i Parlamentit. Opozita duhet të japë ide konstruktive”, u shpreh Paskal Milo.
Sigal