LSI mbush 13 vjet, Kryemadhi: Qeveria e vogël do ketë korrupsion të madh, “luftë” frontale

507
“Përgjegjësi Sociale”, ishte motoja nën të cilën të rinjtë e LSI dhe LRI në rrethe zhvilluan takime në ditën e përvjetorit të partisë së tyre
Lëvizja Socialiste për Integrim ka festuar ditën e djeshme 13-vjetorin e krijimit të saj. Në këtë ditë të shënuar për LSI, kryetarja Monika Kryemadhi bashkë me përfaqësues të tjerë të kësaj force dhe të rinj kanë mbjellë pemë në zonën e Fushës së Aviacionit në Tiranë. “LSI u krijua si një forcë e re politike që solli ndryshime në jetën politike shqiptare, jo vetëm në politikë, por dhe në rini, sepse në thelb kishte rininë. Sot e kujtojmë këtë ditë themelimi me dashuri të madhe dhe përgjegjësi sociale, ndryshe nga festat e zakonshme. Në këto 13 vite LSI u rrit si forcë politike, në më të mirat e saj, sfidat e sakrificat që kaloi gjatë kësaj kohe. Jemi rritur e forcuar më shumë”, tha ajo. Gjatë aktivitetit të organizuar me këtë rast, Kryemadhi u shpreh e bindur, se qeveria e vogël do të ketë korrupsion të madh dhe “u betua” për luftë frontale dhe të ashpër në Kuvend kundër qeverisë. Më tej Kryemadhi ka theksuar, se LSI është e vetmja parti politike që shënoi rritje në këto zgjedhje dhe që do të jetë në mbështetje të plotë të interesit të çdo qytetari të vendit, duke bërë opozitë të vërtetë. “LSI, do të marrë të gjitha përgjegjësitë e saj ndaj qytetarëve për një luftë politike në Kuvend, me nisma politike dhe me alternativa konkrete për interesin e qytetarëve”, tha ajo. 13-vjetori i themelimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim u shoqërua me aktivitete sociale edhe në rrethe të vendit. Nën moton “Përgjegjësi Sociale”, strukturat e LSI-së dhe LRI-së dhe anëtarët e kësaj force politike në rrethet e vendit, kanë zhvilluar aktivitete të shumta të karakterit social; në drejtim të ruajtjes së mjedisit dhe mbështetjes së kategorive të ndryshme sociale. Dega e LSI-së Lezhë në kuadër të nismës “Përgjegjësi Sociale”, por edhe duke pasur në fokus më shumë se kurrë luftën kundër dhunës në familje, së bashku me LRI-në e Lezhës organizoi një aktivitet simbolik sensibilizues në maternitetin e Lezhës. Duke i dhuruar një trëndafil çdo nëne dhe duke iu drejtuar me një letër të personalizuar secilës, LSI dhe LRI Lezhë apeluan shoqërinë shqiptare për më shumë vëmendje, më shumë përkujdesje për nënat dhe gratë shqiptare. Ndërkohë në qytetin e Elbasanit, anëtarët e LSI dhe LRI-së janë angazhuar në një aktivitet të karakterit mjedisor për pastrimin e përroit të Zaranikës. Po në kuadrin e nismës “Përgjegjësi Sociale”, strukturat e LSI dhe LRI të Pogradecit kanë vizituar shkollën “Amaro Tan”, që në gjuhën rome përkthehet “Vendi Ynë”, duke shërbyer ushqimin dhe u kujdesur për përmirësimin dhe pastrimin e ambienteve rreth kësaj shkolle. Të rinjtë e LRI në Qarkun Gjirokastër kanë zhvilluar gjithashtu një aktivitet sensibilizues kundër dhunës së grave. LRI dhe LSI e Fierit, ashtu si edhe në Tiranë është angazhuar në një nismë për mbjelljen e pemëve, ndërsa të rinjtë e LRI-së së Beratit iu përgjigjën nismës “Përgjegjësi Sociale” duke u angazhuar për lyerjen e pemëve të parkut të këtij qyteti.
Sigal