Meta takon Hahn e Hunko: Do të përmbushim kushtet për hapjen e negociatave

474
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në kuadër të një vizite pune në Berlin, zhvilloi një takim me deputetin e CDU/CSU dhe njëkohësisht zëdhënës për politikën e jashtme të CSU-së, Florian Hahn. Gjatë këtij takimi Meta dhe Hahn biseduan mbi marrëdhëniet Gjermani-Shqipëri, bashkëpunimin me Landin e Bavarisë, mbi rritjen e shkëmbimeve midis dy vendeve dhe nxitjen e investimeve, veçanërisht atyre bavareze.
Meta theksoi se reformat e rëndësishme që Shqipëria ka ndërmarrë, dhe veçanërisht reforma në drejtësi, do të krijojnë një klimë më të mirë për investimet e huaja dhe se Shqipëria ofron mundësi të mëdha për investitorët e huaj.
Meta dhe Hahn diskutuan edhe për sfidat e integrimit evropian dhe ato të sigurisë, për krizën e refugjatëve dhe për rolin e Shqipërisë në rajon.
Gjithashtu, gjatë qëndrimit të tij në Berlin, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit në një takim nga Sekretari i shtetit në Ministrinë Federale të Punës dhe Çështjeve sociale, Jörg Asmussen, me të cilin diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit profesional dhe në veçanti mbi mundësitë e punësimit të ligjshëm në Gjermani.
Vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu rritjes së bashkëpunimit në kuadër të procesit të Berlinit dhe projektet rajonale.
Kryetari i Kuvendit, Meta theksoi se integrimi i rajonit është një domosdoshmëri që kërkon reforma të thella dhe se Gjermania mbetet partner kryesor për Shqipërinë, si për zhvillimin ekonomik ashtu dhe për avancimin e integrimit evropian.
Në vijim të takimeve të tij në Berlin, Kryetari i Kuvendit, Meta u takua me deputetin gjerman, z. Andrej Hunko, Raporter për Shqipërinë në Këshillin e Evropës.
Kryetari Meta dhe Raporteri i KiE, Hunko vlerësuan arritjet e deritanishme të Shqipërisë dhe progres-raportin e fundit të Komisionit Evropian.
Kryetari i Kuvendit Meta shprehu bindjen se Shqipëria do të përmbushë të gjitha detyrimet që burojnë nga progres-raporti, me qëllim hapjen e negociatave për anëtarësim në BE gjatë vitit të ardhshëm.
“Shqipëria po ndërmerr reformat e duhura dhe do të përmbushë të gjitha detyrimet e saj që lindin nga progres-raporti. Tashmë jemi vend kandidat i BE-së dhe po punojmë për hapjen e negociatave gjatë vitit të ardhshëm. Në këtë drejtim energjitë janë përqendruar në pesë prioritet kyçe. Edhe progres-raporti i fundit i Komisionit Evropian vlerësoi progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë. Por çështja kyçe tani mbetet reforma ne drejtësi si një kusht për hapjen e negociatave me BE. Për këtë është bërë punë e madhe, edhe nga ekspertët e Bashkimit Evropian dhe aktualisht jemi në momentin kur një draft propozimesh për ndryshime kushtetuese i është dërguar Komisionit të Venecias. Mendoj se ky do të jetë një moment i rëndësishëm për Bashkimin Evropian për të nxitur hapjen e negociatave me Shqipërisë”, tha ndër të tjera Meta gjatë takimit me Hunko.
Sigal