Meta takon ambasadorin e Kuvajtit: Në fillim të vitit heqim vizat për investitorët

423
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Ambasadorin e ri të Shtetit të Kuvajtit, Fayez Mishari Al-Jassim, të cilit i uroi mirëseardhjen në Shqipëri dhe suksese në detyrën e tij të re.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh se Kuvajti përfaqëson një vend mik të veçantë për Shqipërinë dhe populli shqiptar është mirënjohës për mbështetjen e pakursyer të Shtetit të Kuvajtit në vite. Në këtë drejtim Meta theksoi se Kuvendi i Shqipërisë inkurajon rritjen e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, duke evidentuar edhe heqjen e regjimit të vizave për shtetasit kuvajtianë në fillim të këtij viti, si një masë lehtësuese për investitorët kuvajtianë.
Ambasadori i ri i Shtetit të Kuvajtit, Fayez Mishari Al-Jassim shprehu kënaqësinë e tij për fillimin e misionit të ri diplomatik në Shqipëri dhe nënvizoi se duke çmuar marrëdhëniet e ngushta me Shqipërinë dhe miqësinë që ekziston mes dy popujve, Ambasada e Kuvajtit do të intensifikojë përpjekjet e saj në funksion të rritjes së bashkëpunimit ekonomik mes Kuvajtit dhe Shqipërisë, me fokus rritjen e nivelit të investimeve dhe fluksit të shkëmbimeve njerëzore e tregtare. Në përfundim u nda bindja e përbashkët se intensifikimi i shkëmbimeve ndërparlamentare mes dy vendeve do t’i shërbejë konkretizimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Sigal