Meta takohet me Drejtorin Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të Institutit Demokratik Amerikan, Robert Benjamin

408
Sigal

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim,
z. Ilir Meta zhvilloi një takim me Drejtorin Rajonal për Evropën Qendrore dhe
Lindore të Institutit Demokratik Amerikan (NDI), z. Robert Benjamin me të cilin
diskutuan mbi bashkëpunimin e ngushtë mes NDI dhe LSI.

Z. Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen
dhe asistencën e vyer të NDI në drejtim të konsolidimit të demokracisë së
brendshme partiake, forcimit të transparencës dhe rritjes së pjesëmarrjes së të
rinjve dhe grave në politikëbërje, kryesisht me fokus në fusha prioritare për
Shqipërinë si energjia, arsimi dhe mbrojtja e mjedisit.

Z. Benjamin vlerësoi angazhimin e Lëvizjes
Socialiste për Integrim në drejtim të rritjes së parametrave të transparencës
partiake, dhe në veçanti për hapat konkretë të ndërmarrë në drejtim të
financimit të aktiviteteve partiake dhe shprehu angazhimin e NDI për të hartuar
një program konkret bashkëpunimi për të ofruar ekspertizën dhe praktikat më të
mira ndërkombëtare në Shqipëri.

Z. Meta theksoi se LSI dëshiron të jetë model
për transparencën financiare dhe në këtë kuadër vlerësoi ekspertizën e
Institutit Demokratik Amerikan për të krijuar bashkarisht një kulturë
bashkëkohore të transparencës politike në Shqipëri, sipas standardeve më të
zhvilluara botërore.

Duke ndarë bindjen për rëndësinë që ka
zhvillimi i politikave koherente dhe të rolit primar të mirë-qeverisjes, z. Meta
dhe z. Benjamin u shprehën se fokusimi në fuqizimin e pjesëmarrjes politike të
të rinjve dhe të grave në politikëbërje dhe në vendimmarrje duhet mbështetur më
tej, veçanërisht në drejtim të forcimit të kapaciteteve në përgatitje të
zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Kryetari i LSI z. Meta shprehu vlerësimin këtu
për mbështetjen e pakursyer që NDI i ka dhënë Lëvizjes Rinore për Integrim
(LRI) dhe vuri në dukje se me rritjen e hapësirave nevojshme për një
pjesëmarrje më aktive të grave dhe të rinjve në politikëbërje, do rritet edhe
cilësia e vendimmarrjes dhe e qeverisjes, të cilat duhet të jenë afër
qytetarëve dhe kërkesave gjithnjë në rritje të tyre.

Në përfundim, z. Meta theksoi se LSI do të
punojë edhe më ngushtë me Institutin Demokratik Amerikan në funksion të
përmirësimit të standardeve të demokracisë së brendshme partiake, dhe më gjerë
në drejtim të demokratizimit të mëtejshëm të institucioneve legjislative dhe
vendimmarrëse në vend.