Meta pret Stančič, Sllovenia gati të jap ekspertizë teknike në procesin e integrimit

454
Kryetari Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta priti sot Ambasadoren e re të Sllovenisë znj. Lea Stančič të cilës i uroi mirëseardhjen në Tiranë dhe suksese në misionin e saj të ri. 
Kryetari i Kuvendit z. Meta i vlerësoi marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe Sllovenisë si të shkëlqyera dhe shprehu vullnetin për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike mes dy vendeve mike. 
Ambasadorja e Sllovenisë në Shqipëri znj. Lea Stančič shprehu kënaqësinë e saj për fillimin e detyrës së re dhe e falenderoi z. Meta për mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë në intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht ato në planin ndërparlamentar. 
Z. Meta shprehu mirënjohjen gjithashtu për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj procesit të integrimit evropian të vendit tonë, si dhe ndaj vendeve të tjera të rajonit, duke veçuar këtu kontributin e veçantë slloven në zhvillimet demokratike dhe ekonomike në Kosovë. 
Ambasadorja Stančič nënvizoi në përfundim se Sllovenia është e gatshme të ndajë me Shqipërinë ekspertizën e saj teknike në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe në këtë drejtim vuri në dukje se Sllovenia ndjek me vëmendje progresin substancial të Shqipërisë në rrugën e nisur të reformave.
Sigal