Meta në krahun e Ramës, kundër Berishës

496
Sigal

LSI bëhet sërish faktor kryesor për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Pas ngërçit të krijuar në 6 gusht në Parlament, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta bëri dje sfidën e radhës nga bregdeti i Vlorës, kur u shpreh kundër idesë së referendumit për ndryshimet kushtetuese. “Rruga më e mirë dhe efikase, është konsensusi parlamentar”, -tha dje Meta, duke mbështetur idenë e kreut të PS-së Edi Rama, të shprehur një ditë më parë, kur kërkoi bashkëpunim me maxhorancën për miratimin në parlament Brenda shtatorit të ndryshimeve kushtetuese. Nuk është hera e parë që Meta del kundër maxhorancës, ku bën pjesë. Por dalja kundër këtë radhë duket se ka një domethënie edhe më të thellë. Darka në Gjirin e Lalzit me Edi Ramën që më së shumti i quajt një “darkë e gabuar” duket se ka lënë pas një jehonë që vazhdon. Dy javë më parë Edi Rama dhe Ilir Meta kanë ndenjur kokë më kokë për rreth një orë e gjysmë gjatë ceremonisë mortore për Arbën Xhaferrin në Tetovë. Duket se efektet e këtyre takimeve midis liderëve po japin frytet e veta. Meta e ka parë që ideja e referendumit është e parealizueshme, ndaj dhe ka vendosur të qëndrojë në krahë të opozitës, pavarësisht se ky qëndrim bie ndesh me qëndrimin e Berishës. Por katër votat e LSI-së janë deçisive për fatin e maxhorancës, ndaj dhe pritet që edhe Berisha të ndryshojë qëndrim, duke pranuar jo vetëm kushtet e Metës, por edhe pjesën më të madhe të kërkesave të Ramës. Më tej, burime nga LSI-ja bëjnë me dije se qëndrimi për imunitetet do të jetë një test për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. LSI e lakmon postin e lartë të kryeprokurorit dhe me sa duket ka për t’ia arritur qëllimit. Nëse PD mori kreun e KLD-së dhe kreun e SHISH-it, pse LSI të mos marrë kryeprokurorin?, arsyetojnë në partinë e Metës. Por për këtë, Metës i duhet mbështetja e Ramës, të cilën duket se e ka siguruar gjatë dy takimeve të fundit me shefin e selisë rozë. Natyrisht që, të gjitha këto manovra politike, marrëveshje në kulisa, do t’i shërbejnë marrjes së statusit të kandidatit për në BE në tetor, por mbi të gjitha rikofigurojnë aleancat për zgjedhjet e ardhshme. Harta e politikës është në ndryshim e sipër.

Meta kundër Berishës: “Imunitetet të hiqen në Parlament”

Ilir Meta dhe Sali Berisha, ndonëse aleatë kryesorë në qeverisje, duket se ndajnë qëndrime të ndryshme sa i përket rrugës që do të ndiqet për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Një ditë pasi Kryeministri Sali Berisha, deklaroi se maxhoranca do të ndërmarrë procedurat e referendumit brenda dy javëve të para të shtatorit 2012, kreu i LSI-së, Ilir Meta deklaroi se çështja duhet të zgjidhet në Kuvend.  “Rruga më e mirë dhe efikase, është konsensusi parlamentar”, ka thënë Meta në një aktivitet të të rinjve të LSI-së në plazhin e Jalës. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i ka bërë sërish politikës për të votuar heqjen e imunitetit në funksion të marrjes së statusit kandidat. I pranishëm në hapjen e kampingut të LRI-së në Jalë, Meta u shpreh se, nuk duhet të humbet më kohë, por t’i jepet shqiptarëve statusi kandidat për në BE.