Meta në Durrës: Angazhimi ynë për konsensus për reformën në drejtësi është historik, pa ne do ishte hapur sherr për 20 vjet

Gazeta Telegraf/ 

Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta mori pjesë në një
takim me strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Durrës

Sigal

Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta mori pjesë në një
takim me strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Durrës. Të pranishëm
në këtë takim ishin edhe Ministri i Mjedisit, z. Lefter Koka dhe Zv.Ministrja e
Arsimit dhe Sportit, znj. Nora Malaj.

Duke folur para të pranishmëve, z. Meta tha se
mbështetja për LSI-në vjen nga mesazhi pozitiv dhe fakti që kjo forcë politike
ka treguar se është një faktor për stabilitetin e vendit. Kryetari i LSI-së
theksoi se mesazhi pozitiv në politikëbërje kërkon që përmes bashkëpunimit ta
çojë politikën përpara dhe ta vërë në shërbim të njerëzve.

“Është një përkrahje dhe simpati që në radhë të
parë mendoj se vjen nga mesazhi pozitiv i LSI si faktor stabiliteti. LSI ka
treguar se është faktor për stabilitetin e vendit. Së dyti, LSI si mesazh
pozitiv në bërjen e politikës që kërkon përmes bashkëpunimit, përmes dialogut,
përmes arsyes, logjikës, qëllimeve të mira, ta çojë politikën përpara dhe ta
vërë në shërbim të njerëzve. Nuk është një forcë konfliktuale, e lodhshme,
stresuese e kështu me radhë. Angazhimi ynë për konsensus për reformën në
drejtësi është historik. Sepse po të ishte bërë pa konsensus do të ishte hapur
një sherr i paparë për 20 vjet në vendin tonë. Angazhimi ynë edhe për shumë
çështje të tjera të rëndësishme ka qenë tregues i përgjegjshmërisë sonë”, –
theksoi Kryetari i LSI-së.

Gjithashtu, z. Meta e vuri theksin te forca e
LSI-së, që është te respekti për njerëzit si edhe te përgjegjshmëria në
politikë, duke treguar korrektesë me të gjithë.

“Forca e LSI-së mendoj se është tek mesazhi i saj
pozitiv, është tek politika e saj me vendin tonë, është tek respekti për
njerëzit. Kjo është shumë e rëndësishme që ne jemi gjithnjë korrekt me ta dhe
mbi të gjitha është tek rinia, tek pjesëmarrja e gjerë e saj. Ne jemi të
përmbajtur dhe shumë të përgjegjshëm edhe në politikë. Sepse është e thjeshtë
ta humbasësh qetësinë, të bësh një veprim të nxituar, por pastaj të duhet kohë
për ta korrigjuar. Njerëzit duan besim, njerëzit duan seriozitet, njerëzit duan
më shumë qëndrueshmëri. LSI është në një moment shumë pozitiv sepse është një
forcë gjithnjë e qëndrueshme dhe në rritje. LSI të jetë një forcë në vitin 2017,
e cila vërtetë të jetë një garanci shumë herë më e madhe se sa është sot, që
vendi të mos përjetojë konflikte të panevojshme, por njëkohësisht edhe reforma
të nxituara, të cilat në vend që të zgjidhin problemet e vjetra, shpesh
krijojnë edhe probleme të reja dhe të panevojshme”, – vijoi Kryetari i LSI-së,
teksa nënvizoi: – “Mendoj se për këtë garanci është fuqia në rritje e LSI,
organizimi i saj, pjekuria e saj dhe aftësia e LSI-së për të reflektuar
gjithmonë. Dhe reflektimi vjen nga procesi i komunikimit, i hapjes, i
përfshirjes së qytetarëve pasi në fund fare ata janë gjykatësit më të mirë të
secilit prej nesh dhe gjykimin e bëjnë me votë dhe zakonisht nuk kanë gabuar”.

Ndërkaq, në fjalën e mbajtur në këtë takim z. Meta
kërkoi që kjo periudhë para zgjedhjeve të 6 nëntorit të shfrytëzohet për të
përmirësuar përfaqësimin e LSI-së në të gjitha nivelet, ndërkohë që vlerësoi
maturinë e LSI-së.

“Të përqendrohemi te zgjedhjet e 6 nëntorit në
LSI. Ta shfrytëzojmë gjithë këtë kohë derisa të zhvillohet Konventa, e cila do
të zgjedhë ekipin e ri drejtues për të përmirësuar në funksionimin e LSI, në
përfaqësimin e LSI si forcë qeverisëse, në përfaqësimin e LSI-së në të gjitha
nivelet kombëtare dhe vendore. Kemi shumë për të dhënë si Lëvizje Socialiste
për Integrim, si një forcë e re, por edhe si një forcë e pjekur, që ka nxjerrë
mësime nga fushatat, nga përfaqësimi i saj i deritanishëm”, – deklaroi Kryetari
i LSI-së.