Meta: Ne duhet t’i japim fund braktisjes së Shqipërisë nga të rinjtë

464
Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim me banorë të Njësisë administrative Vaqarr në Tiranë
LSI vazhdon të zhvillojë takime të shumta me të rinjtë dhe banorë të tjerë në të gjithë vendin. Në fokus të saj në këtë fushatë elektorale duket se janë pikërisht brezi i ri, për të cilin ajo është shprehur se janë ata që do të gjenerojnë brezat e vjetër në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë ditës së djeshme kjo parti organizoi një takim me banorë të Njësisë administrative Vaqarr në Tiranë. I pranishëm në këtë takim ishte edhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Ndonëse është zgjedhur në krye të shtetit, detyrë të cilën e merr në 24 korrik, Meta është shprehur se e ka detyrim moral që në çdo takim të përshëndetë mbështetësit e tij duke i dhënë kurajë dhe kërkuar edhe një herë votën për të dalë forcë e parë. Në fjalën përshëndetëse ai tha se të rinjtë duhet të kenë mundësitë që të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu dhe të mos mendojnë që të braktisin vendin. “Ne duhet t’i japim fund braktisjes së Shqipërisë nga të rinjtë, sepse ikja e një të riu është një brengë për çdo familje, ndërkohë që mundësitë janë që të gjithë të kenë një punë të mirëpaguar këtu dhe të kenë një shans për ta ndërtuar të ardhmen e tyre këtu pranë familjeve të tyre”, – deklaroi mes të tjerash Ilir Meta, teksa theksoi se pa energjinë, pa entuziazmin dhe pa pasionet e të rinjve Shqipëria nuk mund të shkojë përpara. 

I pranishëm në këtë takim ishte edhe kandidati për deputet i kësaj partie në qarkun e Tiranë, Luan Rama. Ky i fundit njëkohësisht nënkryetari i LSI-së, tha në fjalën e tij se LSI si forcë e rinisë, garanton barazinë e shanseve për gratë dhe vajzat.

“LSI si forcë me një fuqi rritjeje shumë të madhe, si forcë e rinisë, si forca që garanton barazinë e shanseve për gratë dhe vajzat për nënat dhe motrat tona është në këto zgjedhje ajo që ka shansin, përgjegjësinë dhe detyrimin të dalë si forcë e parë politike”, – u shpreh Luan Rama, duke theksuar se është koha për të mos e humbur shansin që LSI i ofron Shqipërisë. “Është koha për të mos e humbur shansin që LSI i ofron Shqipërisë! Është koha për të mos e humbur shansin që LSI-ja i ofron çdonjërit prej nesh, për t’u bërë pjesë e kësaj lëvizjeje, që është LSI-ja, të lëvizim gjithë Shqipërinë nga bataku i krizës dhe konfliktit për ta çuar Shqipërinë në ëndrrën evropiane që të rinjtë e këtij vendi të punojnë këtu dhe të mos presin të gjejnë një hapësirë për të shkuar gjetiu”, – shtoi Luan Rama.

Gjithashtu, kandidati për deputet i LSI-së, tha se ky është morali dhe modeli që ofron LSI me listën e vet të kandidatëve, me angazhimin si edhe me përgjegjësinë që ka treguar deri më sot.
Sigal