Presidenti Meta i ftuar në emisionin “A Show” të gazetarit Adi Krasta ka hedhur edhe njëherë poshtë në mënyrë kategorike të gjitha zërat që pretendojnë lidhur me një ndikim në vendimmarrjen e tij, të bashkëshortes Monika Kryemadhi, njëherazi kryetare e LSI-së.
Në mënyrë të prerë Meta ka deklaruar se “Me Monikën kemi dy axhenda të ndryshme. Vendimet si President unë i marr vetëm si rezultat i bindjes sime përsa i takon Kushtetutës, interesit kombëtar dhe interesit publik”, – ka garantuar Kreu i Shtetit.

PJESË NGA INTERVISTA

Gazetari: Dua t’ju bëj një pyetje për zonjën Kryemadhi. Hillari Klinton në momentin që donte të konkurronte për postin e Presidentes së SHBA-ve bëri një lloj ndarjeje, bëri një dallim me bashkëshortin e vet që kishte një, dy, tre karakteristika të mira apo të këqija. Kjo u mor dhe u përdor në një film serial “Good ëife” (Gruaja e mirë) ku personazhi kryesor për të konkurruar për Prokurore të Përgjithshme bëri një ndarje, një lloj dallimi apo ndryshimi të hapur publik midis saj dhe bashkëshortit i cili ishte Guvernator. Në momentin e parë kur Ju u bëtë President i Republikës dhe zonja Kryemadhi mori drejtimin e LSI-së ajo tha se: “Zoti Meta bëri ca gabime dhe ka ca të meta dhe unë mendoj që ne kemi disa ndryshime me njëri-tjetrin”. Që të jem i ndershëm me ju, unë këtë nuk “e haj”.

Presidenti Meta: Ky është mendimi juaj, mund të jetë perceptimi juaj apo provokimi juaj, kjo nuk është shumë e rëndësishme. Unë do të jap përgjigjen time. Lidhur me Monikën, ajo ka karrierën e saj, që është e jashtëzakonshme, pavarësisht se është një karrierë pak e mbetur në hije për shkak të ekspozimit tim më të madh.

Së dyti, të gjithë ata që na njohin të dyve nga afër e kuptojnë që ne jemi dy njerëz të ndryshëm, pavarësisht se kemi një familje dhe fuqia e kësaj familjeje qëndron te komplementariteti. Nuk qëndron te fakti që jemi e njëjta gjë dhe mendojmë në të njëjtën mënyrë dhe konformohemi me njëri-tjetrin. Me Monikën kemi dy axhenda të ndryshme.

Gazetari: Përplasen ato në ndonjë mënyrë?

Presidenti Meta: Ato edhe përplasen, por secili ka rrugën e vet dhe ka axhendën e tij.

Gazetari: Ju doni të më thoni mua që në shtëpi ju personalisht nuk flisni kurrë për LSI-në?

Presidenti Meta: Mund të them që ne prej kohësh kemi pasur dhe kemi mendime të ndryshme për çështje të ndryshme politike. Madje edhe në kohën e LSI-së kemi pasur pikëpamje të ndryshme për shumë çështje, dhe për fat të keq, koha i ka dhënë të drejtë asaj.

Por për pozicionin aktual një gjë mund ta them me bindje dhe për këtë nuk më intereson shumë se kush e beson dhe kush nuk e beson, vendimet si President unë i marr vetëm si rezultat i bindjes sime përsa i takon Kushtetutës, interesit kombëtar dhe interesit publik.

Dhe mund të them që kam mjaft vërejtje gjithashtu për opozitën në tërësi, pavarësisht se cila forcë politike, sepse këtu nuk dua të bëj dallime. Nëse shumë shqiptarë largohen nga Shqipëria kjo nuk është përgjegjësi vetëm e qeverisë dhe qeverisjes, por kjo është edhe përgjegjësi e opozitës dhe e mënyrës se si ajo reagon ndaj problemeve në vend dhe sa i jep shpresë njerëzve.