Meta dhe Mogherini: “Një Shqipëri e stabilizuar dhe konstruktive i shërben më mirë stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal”

448
Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti sot Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, njëkohësisht Zv. Presidente e Komisionit Evropian, znj. Federica Mogherini. Kryetari i Kuvendit z. Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian në avancimin e Shqipërisë drejt hapjes së bisedimeve për anëtarësim dhe në veçanti për asistencën e dhënë në kuadër të reformave kyçe. Në këtë drejtim u theksua rëndësia e avancimit pa vonesa me zbatimin e reformimit të sistemit të drejtësisë në frymën e bashkëpunimit politik e institucional dhe në respekt të plotë të Kushtetutës së miratuar me konsensus. Z. Meta u shpreh se “një reformë e bazuar në kushtetutë e rrit besueshmërinë e procesit dhe e përshpejton zbatimin më cilësor të saj” me qëllim që Shqipëria të ketë mundësi t’a luftojë më mirë korrupsionin, krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme dhe për të krijuar një klime më të favorshme për investimet e huaja. Gjatë takimit, z. Meta dhe znj. Mogherini diskutuan gjithashtu edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon duke ndarë bindjen e përbashkët se një Shqipëri e stabilizuar dhe konstruktive i shërben më mirë stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
Sigal