Mediu këmbëngul: 10 arsye për të ikur nga qeveria “Rama”

462
Kryetari republikan shpjegon pse ministrat teknikë, të propozuar nga opozita, duhet të japin dorëheqjet
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, renditi 10 arsye për të cilat ministrant teknikë, të propozuar nga opozita, duhet të largohen nga qeveria. Në një koment, Mediu u është përgjigjur edhe politikanëve brenda opozitës, të cilët shpreheshin se ministrat teknikë duhet të presin mbylljen e mandatit të qeverisë në muajin shtator për t’u larguar. Ai shpreh bindjen se edhe reforma kushtetuese apo zgjedhore që është pjesë e marrëveshjes, kërkon që opozita të jetë e përgatitur për një reformë kushtetuese që garanton parimin “check and balance”, kufizon dhe zvogëlon qeverisjen në shërbim të lirisë e të drejtës së qytetarëve dhe reforma zgjedhore t’i kthejë të drejtën e zgjedhjes votuesve. “Këto dy reforma kërkojnë një punë teknike dhe politike të jashtëzakonshme, në mënyrë që të shmangim spontanitetin e të përfundojmë si reforma e drejtësisë”, thotë Mediu.

Vlerësimet e Mediut
Së pari, vendimin për vazhdimin në këtë qeverisje me ministra teknikë duhet ta vendosim dhe ta gjykojmë si deputetë dhe opozitë së bashku, qoftë edhe për faktin se kemi qenë së bashku në fushatë dhe do jemi së bashku në opozitë dhe Parlament. Nuk kam asnjë dëshirë për protagonizëm, por pa dyshim as për konformizëm.

Së dyti, meqenëse argumenti kryesor që ngrihet është juridik dhe politik, le t’i shohim me radhë. Nga pikëpamja formale juridike është e vërtetë që ministrat duhet të rrinë në funksion dhe t’i dorëzojnë detyrën ministrave pasardhës. Por është po kaq e vërtetë se po nga pikëpamja formale juridike, ministrat janë të tillë, jo vetëm sepse dekretohen nga Presidenti dhe miratohen nga qeveria, por sepse janë anëtarë të Këshillit të Ministrave, të drejtuar nga Kryeministri dhe kryejnë nën drejtimin e tij dhe në përputhje me ligjin detyrat e tyre funksionale. Është fakt tashmë publik që Rama si Kryeministër, asnjë ditë të vetme nuk i ka pranuar, konsideruar apo të bashkpunojë me ta si ministra, madje edhe në mbledhje të rëndësishme ku është detyrim të jenë prezent për shkak të detyrës së tyre funksionale, Rama i ka përjashtuar tërësisht. Në një marrëdhënie të tillë, çdo ministër minimalisht jep dorëheqjen, që është një akt personal me fuqi juridike.

Së treti, marrëveshja nga pikëpamja politike konsistonte në ngritjen e një “task force”, e cila do të garantonte një vullnet optimal për zgjedhjet dhe do të kontrollonte apo do të mundësonte transparencë në zgjedhje, mospërfshirjen e administratës dhe mundësisht frenimin e blerjes së votës apo intimidimin e votuesve. Rama që në fillim, jo vetëm personalisht, por dhe gjithë ministrat e tij përgjegjës kanë bojkotuar apo sabotuar. Asnjëherë të vetme, ata nuk kanë qenë prezent në këto takime.

Së katërti, raporti paraprak i OSBE/ODIHR për zgjedhjet ka përmendur si shkelje të rënda, përfshirjen e administratës në zgjedhje, intimidimin e votuesve dhe blerjen e votës, pavarësisht angazhimit serioz të ministrave teknik, të cilët e patën të vështirë, për të mos thënë të pamundur të kryenin funksionet e tyre në një administratë të kontrolluar dhe urdhëruar nga Rama. Pra Rama nuk i’u përmbajt asnjë angazhimi për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe në asnjë rast nuk bashkëpunoi me ministrat teknikë, edhe pse e kishte dhe e ka detyrë ligjore dhe kushtetuese. 

Së pesti, në vazhdim të argumentit politik opozitar në qëndrimin kundër korrupsionit dhe trafiqeve, është evidente se në sektorë që varen nga këto ministri vazhdon abuzimi. Megjithë përpjekjen e ministrave tanë, ata e kanë të vështirë, për të mos thënë të pamundur të ndalojnë këto abuzime. Vazhdon trafiku i drogës, krimi dhe korrupsioni.

Së gjashti, OSBE/ODIHR do të nxjerrë raportin përfundimtar dhe opozita duhet të përgatisë raportin e saj me të gjitha faktet për manipulim për t’ia percjelle OSBE/ODIHR. Raporti duhet të përgatitet zonë për zonë elektorale me fakte dhe jo thjeshtë nga zyrat e ministrave teknikë.

Së shtati, për ata që nuk e dinë apo kanë harruar, dua t’u kujtoj, meqenëse nuk jemi për herë të parë në opozitë, se si kemi arritur të denoncojmë me sukses zgjedhjet e manipuluara të vitit 2001, me një aksion të mirëorganizuar opozitar në çdo nivel, me çdo procesverbal, shkelje dhe për rezultatin morëm dhe mbështetje ndërkombëtare.

Së teti, për sa kohë pranohet që Rama nuk do që ta mbledhë “Task forcën”, atëherë çfarë presim? Nëse jane evidentuar çështje të rënda manipulimi nga ministrat teknikë, çfarë presim t’i bëjmë publike? Ne duhet t’i kishim bërë ato me kohë. Ështe më shumë se naive të presim Ramën që të thotë se zgjedhjet janë blerë dhe kanë probleme!!!

Së nënti, politika është qëndrim dhe opinion, nuk është thjeshtë burokraci apo marrëdhënie teknike. Nëse nisur nga qëllimi i drejtë për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme, ne i dhamë mundësi kundershtarit tonë të na konsideronte pa të drejtë pjesë të qeverisjes, duhet të reflektojmë dhe sa më parë të rimarrim pozicionin tonë opozitar. 

Së dhjeti, Rama ka deklaruar publikisht që ministrat teknikë duhet të ikin dhe ai nuk pranon asnjë marrëdhënie me ta. Pse duhet të presim shtatorin dhe të mosveprojmë menjëherë për t’u larguar nga një qeveri dhe kryeministër që ka manipuluar zgjedhjet. 
Sigal