Mediat: Franca dhe Gjermania bien dakord për ndalimin e mëtejshëm të zgjerimit të BE-së

667
Sigal

Bashkimi Europian do të ndryshojë rregullat e negociatave për anëtarësim duke nisur edhe me Serbinë, një vend që është një hap përpara vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Gazeta “Novosti” shkruan se në samitin e majit 2020, BE-ja do të prezantojë dokumentin ku parashikohen disa modele që sërish përqendrohen te partneriteti i privilegjuar në vend të zgjerimit të mëtejshëm të bllokut.

Sipas gazetës në fjalë metodologjia e re është diskutuar mes Francës dhe Gjermanisë, dy vendet kryesore të BE-së.

Marrëveshja mbi rregullat e reja mendohet të adoptohet nga Këshilli i Europës në marsin e vitit 2020 dhe një ndër idetë është ai që quhet integrimi sektorial, që do të thotë se pas mbylljes së një kapitulli, vendi përkatës hyn në sistemin e BE-së në fushën përkatëse në vend se të presë anëtarësim të plotë.

P.sh nëse mbyllet kapitulli i transportit, vendi përkatës përfiton fondet në këtë sektor. Një tjetër model është ai norvegjez që parashikon në vend të anëtarësimit do të ofrohet anëtarësimi në dy institucione kyç, Bashkimi Europian për Tregëtinë e Lirë dhe Zonën Ekonomike Europiane, ku bëjnë pjesë Islanda, Lihtenshtejni, Norvegjia dhe Zvicra, që nuk janë anëtarë të BE-së.

Ky propozim shënon një ndryshim kursi nga BE-ja që vendosi politikën e standardeve si kriter pranimi. Tashmë asnjë vend nuk pranohet më brenda pavarësisht standardeve duke krijuar de faco një mur të ri në Europë e cila me këto rregulla ripërkufizon veten sipas ndarjeve klasike.