Me ftesë të Nishanit, Jahjaga në Tiranë. Takohet dhe me Ramën, Metën e Bashën

448
Situata e shqiptarëve në Luginën e Preshevës vijon të mbetet një shqetësim për shtetin shqiptar.
Kreu i Shtetit, Bujar Nishani, në konferencën e përbashkët me homologen kosovare Atifete Jahjaga e cila po qëndron për një vizitë dy ditore në vendin tonë, tha se përkundër premtimeve dhe angazhimeve që ka marrë nga zyrtarë të lartë serbë ende nuk është bërë asgjë për përmirësimin e kushteve ekonomiko-sociale të tyre.
Nishani: “Sa i takon çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës unë e kam shprehur dhe herë të tjera dhe vazhdoj ta shpreh me forcë. Ne mbetemi të shqetësuar për situatën e tyre, veçanërisht në aspektin ekonomik dhe social. Personalisht në takimet që kam pasur me autoritetet më të larta, përfshirë kryeministrin Vuçiç gjatë vizitës së tij në Tiranë kam adresuar këtë shqetësim për të fokusuar edhe në çështje konkrete, qoftë në njohjen e diplomave të studentëve nga Lugina e Preshevës që kanë studiuar në Shqipëri dhe ende nuk po gëzojnë të drejtat që u takojnë. Edhe për çështje të tjera të zhvillimit ekonomik-social dhe zgjerimit të kësaj hapësirë për shqiptarët. Kam marrë angazhime dhe premtime të gjera nga ana e autoriteteve serbe që unë ende pres që ato të jetësohen në praktikë. Jemi në fazën e premtimeve nga autoritetet serbe, për të cilat shteti shqiptar do të vazhdojë të kërkojë me ngulm të realizohen në praktikë si e drejtë fondamentale e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës”.
Marrëveshja Kosovë-Serbi, asosacioni
Dy Presidentët vlerësuan marrëveshjet e arritura në Brukse, në kuadër të dialogur Prishtinë-Beograd.
Nishani: “Është një marrëveshje mjaft transparente dhe e qartë që nuk cënon aspak sovranitetin dhe ushtrimin e sovranitetit të autoriteteve të shtetit të Kosovës në territorin e saj. Është një pranim de facto i pavarësisë së së Kosovës nga ana e Serbisë”.
Jahjaga: “Është në kuadër të vazhdës së marrëveshjeve të arritura në proçesin e dialogut me Serbinë. Proçesi i dialogut ka për qëllim lehtësimin dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshja e arritur është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Arritja e marrëveshjes dhe krijimi i asosacionit do të kontribuojë në përfshirjen e mëtejshme në jetën institucionale të komunitetit serb që jeton në këtë pjesë të republikës së Kosovës”.
Të pyetur rreth rolit të shqiptarëve në rajon, Jahjaga dhe Nishani dhanë këtë koment:
Jahjaga: “Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të pavarura. Dy shtetet tona po ecin në rrugën e integrimeve europiane dhe euroatlantike dhe kjo është mënyra më e mirë faktorizimin në rajon. Të dy vendet jemi të interesuara që të zhvillojmë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe po punojmë në mënyrë aktive që të jemi faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon. Zhvillimi ekonomik do të ndihmojë patjetër në ecjen përpara”.
Nishani: “Shqiptarët janë faktor kyç për stabilitetin, sigurinë dhe presporitetin e Ballkanit, pasi janë të vendosur pothuajse në të gjitha hapësirat e rajonit. Shqiptarët e kanë konfirmuar që janë qytetarë me identitet të fortë kombëtar dhe kulturor, janë njerëz që kurrë nuk kanë qenë prishës të rendit dhe sigurisë së rajonit, nuk kanë qenë kurrë agresiv ndaj askujt”.
Jahjaga në Tiranë, takohet dhe me Ramën, Metën e Bashën
Pas takimit me Nishanin, axhenda e Presidentes së Kosovës ka vijuar me nje takim me kryeparlamentarin Meta, për të vijuar me kryeministrin Rama në 12:45.
Jahjaga gjithashtu do të mbajë edhe një fjalim në seancën e sotme të Kuvendit në orën 15:30.
Takimet në ditën e parë të vizitës do ti përmbyllë me kryebashkiakun Veliaj në 16:30.
Ndërkohë dita e dytë e qëndrimit të Jahjagës në vendin tonë nis me një takim me shefin e selisë blu, zotin Basha në orën 07:45.
Pas takimit me Bashën, Presidentja e Kosovës do të udhëtojë drejt Beratit, ndërsa vizitën do ta përmbyllë me një vizitë në Shkodër.
Sigal