Mazhoranca rrëzon dekretin me forcën e kartonit por jo argumentat e Presidentit, tarifat e gjyqësorit mbeten të larta

507
Kuvendi i Shqipërisë, ka miratuar ligjin nr.98/2017, datë 02.11.2017, “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”. Në zbatim të kërkesave të kushtetutës ky ligj i është përcjellë Presidentit për tu shprehur me dekret.
Rezulton se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në përmbushje të kompetencave të tij Kushtetuese, të parashikuara në nenin 85 pika 1, dhe 93 të Kushtetutës, pasi ka vlerësuar me kujdes përmbajtjen dhe parashikimet e dispozitave të ligjit nr.98/2017 “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”, në krahasim me parimet e mbrojtura nga Kushtetuta e vëndit, është shprehur me Dekretin nr.10656, datë 22.11.2017, me të cilin ka vendosur “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.98/2017 “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”, duke rekomanduar përpos të tjerave dhe, rishqyrtimin e këtij ligji, së bashku me projektligjin e “Ndihmës Juridike”.
Dokumenti mbi arsyet e kthimit për rishqyrtim të këtij ligji, ku janë parashikuar në mënyrë shteruese argumentet kushtetues, i është paraqitur Kuvendit sëbashku me Dekretin nr.10656, datë 22.11.2017.
Duke shqyrtuar dokumentin e arësyeve të kthimit të ligjit rezulton se Presidentit i Republikës, e ka mbështetur vendimarrjen e Tij, bazuar në këto argumenta kryesor;
Së pari, niveli i tarifave, i parashikuar në ligjin nr.98/2017 “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”, është bërë në mungesë të një studimi të thelluar dhe, në krahasim me tarifat e sotme, ka një rritje drastike dhe të menjëhershme të tyre, gjë e cila paraqet rrezik të lartë, për vështirësimin e aksesit në drejtësi të shtresave në nevojë. 
Së dyti, mekanizmat e parashikuara në këtë ligj për mbrojtjen e shtresave të pamunduara të shoqërisë për të përballuar tarifat e reja gjyqësore, nuk janë të përshtatshme, pasi mungojnë dispozitat e qarta që garantojnë mbrojtjen e nevojshme. Dispozitat e miratuara në këtë drejtim nuk garantojnë sigurinë ligjore. 
Së treti, parashikimet e këtij ligji nuk ndihmojnë në mënyrën e duhur për zgjidhjen e problematikës së financimit të pamjaftueshëm të sistemit gjyqësor, megjithëse ky ligj parashikon rritjen e tarifave në shërbim.
Për këto çështje në dokumentin arësyetues që shoqëron dekretin është dhënë në mënyrë të qartë dhe ezauruese arësyetimi kushtetuese duke bërë edhe referenca në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, se përse ky ligj shkel parimet e mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Më datë 12.12.2017, Komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, ka marrë në shqyrtim Dekretin e Presidentit të Republikës, nr.10656, datë 22.11.2017, dhe pas debateve në lidhje mbi këtë çështje dhe argumenteve pro dhe kundër, me shumicën e votave të maxhorancës komisioni ka vendosur : “Rrëzimin e Dekretit të Presidentit”.
Nga debatet dhe argumentat mbi të cilat u mbështet vendimarrja e shumicës në Komisionin e Çështjeve Ligjore, u duk qartë se argumentat e paraqitura nga maxhoranca nuk mundën të rrëzonin gjetjet, konstatimet dhe vlerësimin kushtetues të Presidentit të Republikës.
Edhe nga deputetë të maxhorancës në Komisionin e Ligjeve u vlerësuan se arësyet e kthimit të ligjit janë vetëm të karakterit kushtetues, që mbrojnë dhe garantojnë të drejtat themelore të çdo qytetari, sidomos të shtresave në nevojë të shoqërisë, për akses të garantuar në sistemin gjyqësor, si dhe për mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë, por ndërkohë prej tyre u cilësua se tashmë me miratimin e ligjit për ndihmën juridike kjo gjë mund të konsiderohet e kaluar.
Edhe pse Komisioni i Çështjeve Ligjore në Kuvend, ka rrëzur dekretin e Presdentit, po vet ky Komision në mbledhjen e zhvilluar sot, de fakto ka pranuar një nga rekomandimet e dhëna nga Presidenti i Republikës, në arësyet e kthimit e ligjit, duke e bërë pjesë të shqyrtimit në të njëjtën kohë në të njëjtën seancë edhe Projektligjin tjetër “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”.
Ndërkohë sa i takon arësyeve të tjera në lidhje me tarifat gjyqësore që sic pranohet nga vet anëtarët e maxhorancës, tashmë janë rritur ndjeshëm, këto tarifa nuk ndryshuan, dhe argumentat e Presidentit për ti rivlerësuar ato, me qëllim uljen e tyre, dhe garantimin e aksesit në sistemin e drejtësisë, nuk janë pranuar.
Ngelet për tu parë se sa do të cënohet në praktikë aksesi në drejtësi i shtresave në nevojë nga tarifat e reja gjyqësore që do të aplikohen, të cilat janë rritur në mënyrë drastike.
Sigal