Zbardhet mbledhja e parë në drejtimin kryetarit Ilir Meta. Ja vendimet që u morën

448
Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot mbledhjen e parë nën drejtimin e kryetarit të ri, e cila nisi me diskutimin dhe shqyrtimin e informacionit të përgatitur nga Inspektorati i KLD mbi problematikat që lidhen me rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Në përfundim të diskutimeve, Këshilli, shprehu gatishmërinë për të dhënë kontributin e tij brenda kornizës ligjore në fuqi në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjin e Posaçëm i Apelimit, me qëllim përshpejtimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve.
Në kuadër të nismës së Presidentit të Republikës, për të raportuar mbi ndjekjen e detyrave të vendosura nga KLD, për procedurat që duhet të ndiqen nga Gjykatat, në çështjet e lëshimit të urdhrave të mbrojtjes, për viktimat e dhunës në familje, anëtarët e Këshillit pasi shqyrtuan informacionin e ardhur nga Inspektorati, vendosën që në mbledhjen më të afërt të analizojnë informacionin që i është kërkuar Gjykatave nën juridiksionin e KLD-së në lidhje me çështjet që lidhen me fenomenin shqetësues të dhunës në familje. 
Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, anëtarët e KLD-së shqyrtuan raportin e Ministrisë së Drejtësisë mbi kryerjen e hetimit administrativ për verifikimin e procedurave të lëshimit të urdhrit të mbrojtjes nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier për shtetasen L. R.
Duke mbajtur në konsideratë ndjeshmërinë që ka në opinionin publik fenomeni i dhunës në familje, Këshilli vendosi të kryej një inspektim tematik për gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Fier, E. S.
Më tej mbledhja vijoi me miratimin e programit të punës për përfundimin e vlerësimeve profesionale për periudhën 2010-2012.
Gjithashtu, me konsensusin e anëtarëve të Këshillit u caktua Gerd Hoxha, si përfaqësues i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Komisionin Shtetëror për Ndihmën Juridike.
Sigal