Maska skadoi, tani duhet të sillemi si shtet i varfër

515
Sigal

Nga Andi Bushati 

Nëse apeli i Edi Ramës për armëpushim do të kishte qenë i sinqertë, ai do të përbënte thirrjen e duhur për këtë moment.

Kur pandemia botërore mund të na kanosë edhe më keq se Italia fqinje, është krejtësisht e pavend të debatosh për grabitjen kolosale të koncesioneve të rilindjes, për arsyet e vërteta të eksodit të mjekëve, për fabulën e shëndetësisë falas, që gënjeu shëumëkënd në 2013.

Sa herë që në lojë vihet dilema e humbjes së jetës, debati për mirqenien dhe cilësinë e saj zbret në plan të dytë.

Për këtë arsye, tani, është vërtet e rëndësishme që paniku mos i mbivendoset arsyes, që ajo trupë mjeksore që ka mbetur mos dekurajohet, që ata të cilët kanë në dorë një vendimarrje, sa të rëndësishme, po aq edhe me risk, të mos punojnë nën presion.

Ashtu sikurse kërkoi kryeministri, të gjitha akuzat e deri djeshme janë shqetësime që presin dhe ato mund të rindizen me më shumë forcë nesër, pasi e keqja të kalojë.

Por, që kjo të ngjasë, kërkon domosdoshmërisht që apeluesi për pushimin e luftës, të ulë vetë i pari armët. Dhe këtë hap Edi Rama e ka hedhur gabim. Sepse fiks në atë kohë që ai bënte thirrje për unitet ndaj fatkeqësisë së përbashkët, po në të njëjtën mbronte me paturpësi, manipulimin e datës të 1.2 milionë maskave të skaduara, duke e etiketuar opozitën si maskë dhe duke vënë ministren Manastirliu ta trajtonte atë si pjesë të KÇK-së.