73-vjeçarja në dhomë nuk ishte vetëm, flet djali i njërës nga pacientet: Ne kemi kaluar 3-4 ditë aty

609
Sigal

Në një komunikim me Repor Tv, djali i një prej zonjave që ka qenë në një dhomë me 73-vjeçaren që humbi jetën nga koronavirusi kundërshton Ministrinë e Shëndetësisë që thanë se e moshuara ishte e vetme në dhomë përpara se të identifikohej me COVID-19. Shkëlqim Buziu thotë se në dhomën numër 3 në katin e katërt tek patologjiku në Spitalin e Durrësit, kanë qenë për 4 ditë, edhe dy paciente të tjera, nëna e tij 84-vjeçare dhe një grua tjetër e sëmurë. Për 73-vjeçaren ai thotë se deri në moment të fundit ajo nuk kishte treguar pranë autoriteteve shëndetësore që kishte qenë së fundi në Itali, dhe vetëm kur gjendja e saj u përkeqësua dhe u kërkua t’i bëhen analiza, nga frika se do të zbulohej ajo tha se kishte shkuar në Bolonja të Italisë për t’u vizituar për problemet e shumta shëndetësore që ajo kishte.

”Ka pasur plot hyrje e dalje të familjarëve. Hynin e dilnin njerëzit, se shqiptari i shkretë shkojnë një në spital, e shkojnë të gjithë. Kontakte fizike ka pasur. Nuk kemi përdorur maska. Ka qenë moskompetenca e këtyre, gabimi fatal i mjekësisë. Kam qëndruar 4 ditë në dhomë me pacienten e sëmurë, bashkë me nënën time. I kërkova ISHP-së, erdhën kanë marrë vetëm analizat e mamit tim. I thash po ne të tjerët që kemi qenë atje. Unë po pres analizat e mamit se është moshë e vjetër, kollën e ka të vazhdueshme, temperaturë nuk kemi asnjëri shyqyr. Unë kam dhe gocën këtu që ka dy fëmijë të vegjël, 6 muajsh dhe 4-vjeç dhe nuk vjen njeri të interesohet. Edhe kam lëvizur se njerëz jemi, kam shkuar tek puna, kam ardhur në shtëpi. Punoj në kompani private. Me sa kam mundësi çdo gjë steril fare dhe shtëpinë time duke e larë me açe, dyshemetë, oborrin, çfarë të bëjmë ne. Nuk mund të them gjë pa marrë një analizë. Ne ndenjëm 4 ditë, këta po e bëjnë tragjedi për atë që e mohoi e fshehu dhe ndenji mes nesh. Jo të vinte mes njerëzish, se atje kishte të rinj, pleq, çfarë nuk kanë hyrë e nuk kanë dalë tek ata njerëz. Pa pikë turpi thonë që dhoma ka qenë vetëm. Ne kemi kaluar 3-4 ditë aty. Turp i madh është. Është frika se e mora pa dashje, nuk e mora se erdha nga Italia dhe nuk i tregova dikujt. Unë po rri këtu se me vjen keq pse ta marrin të tjerët përmes meje”.

Shkëlqim Buziu thotë se ishte vetë ai dhe vajza e gruas tjetër të shtruar në dhomë që kuptuan që diçka nuk shkonte me shëndetin e 73-vjeçares, pasi siç ai thotë, sapo i hiqnin oksigjenin ajo nuk mund të qëndronte dhe shfaqte probleme. “Unë me vajzën e konstatuam, ajo rrinte vetëm me oksigjen tek goja, sa i hiqnin oksigjenin nuk rriten dot”. Buziu thotë se edhe pse e kuptuan nuk mund të shpreheshin dhe u detyrua të nxjerrë nënën e tij nga spitali, ditën e hënë, pra tre ditë më parë dhe të njëjtën gjë bëri edhe vajza e pacientes tjetër. “Ditën e hënë e nxorra nga spitali, e pashë gjurulldinë aty. Edhe ajo goca tjetër mori nënën e saj. Nuk mund të flisnim se të çonin në burg, dhe thonë hap panik”.