Marrëveshja me Detin me Greqinë

173
Sigal

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias pohon se vendimi i përbashkët me qeveritë e dy vendeve për të shkuar në Hagë për Detin është kapitull i ri. Marrveshja është mbyllur që në tetor 2020. Reagon opozita: Pazarxhiu i kufijve po shet detin në fshehtësi e po tradhëton shqiptarët pas shpine!

Vendimi për të shkuar në Hagë për Detin, me Shqipërinë, është kapitull i ri

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, pohon se marrëveshja është mbyllur në tetor 2020

Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias, përsëri dje, pohoi se Marrëveshja Detare  me Shqipërinë është mbyllur që në tetor 2020, ndërsa tani po negociohet për temat që do të paraqesin në Gjykatën e Hagës.

Deklarata

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias: “Greqia dhe Shqipëria hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet e tyre bilaterale, me vendimin për të referuar caktimin e kufijve detarë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”. Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias, e bëri këtë deklaratë, në një organizim të zhvilluar online  nga ELIAMEP në bashkëpunim me Fondacionin e Shoqërisë së Hapur Shqipëri (OSFA), mbi marrëdhëniet Greko-Shqiptare, me temë “Marrëdhëniet Shqipëri dhe Greqi: Çfarë mendojnë qytetarët”. “Ky vendim është shembullor në atë se si çështjet e rëndësishme mund të zgjidhen, kur të dy palët janë përqendruar në respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë,” – tha Nikos Dendias, raporton gazeta greke “Kathimerini”. Ministri i Jashtëm përmendi lidhjet historike midis Greqisë dhe Shqipërisë, kontributin e minoritetit grek, si dhe të shtetasve shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në Greqi, në krijimin e një ure të qëndrueshme miqësie midis dy vendeve.