Marko Dajti: Rama i la në rrugë të majtët, socialistët të vijnë te Fronti i Majtë

492
Fronti i Majtë i bën të ditur opinionit publik se ka vendosur të garojë në zgjedhjet e 21 qershorit jashtë koalicioneve të drejtuar nga Lulzim Basha dhe Edi Rama dhe është regjistruar në KQZ si subjekt më vete. Largimi ynë nga koalicioni me Ramën ishte një domosdoshmëri e diktuar nga politikat antipopullore dhe antikombëtare të qeverisë Rama. Madje edhe vetë PS-ja, kjo parti biznesmenësh, nuk përfaqëson më asgjë nga idealet e majta. Ne jemi kundër varfërimit të tejskajshëm të shoqërisë shqiptare, kundër politikave të favorizimit ndaj zengjinëve që po majmen përditë e më shumë duke grabitur djersën e popullit, kundër travestitëve politikë, që i përdorën idealet e majta për të ardhur në pushtet, kundër karagjozëve që shfrytëzuan zhgënjimin e masave të gjera ndaj Sali Berishës për t’u shndërruar në tregtarë kolltuqesh. Ne nuk mund të bëhemi pjesë e cirkut të Edi Ramës, sikurse qenushët që prisnin një kockë nga Tahir Baçova. Nuk kemi kërkuar kurrë të bëhemi pashallarë dhe nuk kemi kërkuar pushtet, por drejtësi sociale, bukë për të pangrënët, strehë për të pastrehët, arsim për të paditurit, shërim për të sëmurët, punë për të papunët dhe një jetë dinjitoze për të gjithë shqiptarët. Ky vend është i bekuar, por mallkimi i kësaj politike të shitur e ka katandisur këtë popull në mizerje. Ideali i majtë, edhe pse i përdhosur nga flamuri i rreckosur i Rilindjes, nuk ka vdekur. Zgjedhjet e 21 qershorit janë një shans i madh për të majtët e vërtetë që, të grupuar rreth Frontit të Majtë, do të tregojë se ka një alternativë dhe kjo është e majta e papërlyer nga koalicionet e turpit. Edi Rama le të bëjë marrëveshje me mbeturinat politike të Sali Berishës, madje le të thërresë edhe mikun e tij, Fatmir Gërdecin, por kjo nuk do ta shpëtojë nga damka e turpit si një nga tradhtarët më të mëdhenj të vetë socialistëve. Tashmë PS-ja nuk është më streha e të majtëve, por harremi i Edi Ramës. Socialistët e vërtetë nuk kanë fituar më 23 qershor, megjithëse e shporrën satrapin Sali Berisha. Ata kanë ngelur rrugëve, të papërfillur, të denigruar, të ofenduar nga një tufë karagjozësh, servilësh dhe injorantësh që kanë marrë në dorë pushtetin real. Në vend të kontratës me socialistët, Edi Rama ka zgjedhur kontratën me Sali Berishën dhe oborrtarët e tij. Dy njerëz që sa herë janë ulur në tavolinë, kanë bërë marrëveshjet se si t’ia futin sa më thellë miletit. Ashtu sikurse kanë bërë edhe sot në KQZ, duke ndryshuar rregullat e lojës vetëm pak ditë përpara skadimit të afateve për regjistrimin e kandidatëve. Fronti i Majtë i bën thirrje gjithë intelektualëve të majtë që nuk e ndjejnë veten të përfaqësuar nga kjo politikë sharlatanësh, të rigjejnë idealin e tyre te partia jonë. Atdheu është në rrezik dhe ka nevojë më shumë se kurrë për njerëz të mençur, të ndershëm e patriotë. Të sjellin kandidaturat e tyre për kryetarë bashkish apo këshilltarë në të gjithë vendin. E majta nuk mund të ngelet as në dorë të fundërrinave të Berishës, as të 99-shave.Të punojmë për veten tonë, për një të ardhme më të mirë. Kur jemi shumë, ne e përmbysim edhe këtë pushtet të kalbur që po na merr frymën! Siç e shporrëm Sali Berishën. Ky do të jetë fundi i atyre që duan të bëhen mbretër e sulltanë! 
Për Frontin e Majtë
KRYETARI
Marko Dajti
Sigal