Marko Dajti: Ben Blushi humbi mundësinë të bëhej një Cipras për të Majtën në Shqipëri

411
Marko Dajti, kryetar i Frontit të Majtë, në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se populli ende beson te e Majta, por nuk beson te PS, pasi, siç thotë shoku Marko Dajti, Lidershipi i PS shpërdoron idealet e majta dhe bën aleancë me partitë e rregjimit të Berishës. Ndaj, sipas shokut Dajti, kostoja elektorale ra mbi PS, dhe vota shkoi te LSI dhe te partitë e tjera të së Majtës. Shoku Dajti konstaton se Ben Blushi humbi rastin që të bëhej një Cipras për të Majtën shqiptare, por tani pret vetëm rastin që t’i shkasë këmba Liderit të PS. Ndërsa për referendumin grek, shoku Dajti pohon se “Ishte ndër rastet e rralla në botë që një popull arrin të ruajë dinjitetin dhe sovranitetin e vet nëpërmjet një referendumi dhe kjo padyshim është një meritë e madhe e Kryeministrit aktual, Aleksis Cipras, pasi kjo BE siç është sot nuk është ndërtuar për t’u siguruar mirëqenie e solidaritet popujve”. 
– Zoti Dajti, PS në këto zgjedhje mori vetëm 26 % kur në 2013 kishte 41 % ose 311.131 vota më pak. Cili është shkaku që elektorati i majtë nuk votoi PS?
– Vota e 23 qershorit tregoi se populli ende beson tek e Majta, ndonëse nuk beson tek Partia Socialiste. Lidershipi aktual i PS nuk po bën gjë tjetër veçse po shpërdoron idealet e majta, duke mos mbajtur asnjë nga premtimet parazgjedhore, duke zgjedhur te bëjë aleanca me partitë-mbeturina të regjimit të Sali Berishës dhe duke katapultuar në pushtet njerëz që nuk i lidh asgjë me Partinë tradicionale Socialiste. Kjo tendencë është shfaqur edhe në vitet 2009-2013, kur Partia Socialiste nuk pati rritje, edhe pse ishte ne opozitë. Partia Socialiste erdhi në pushtet jo sepse u rrit vetë, por sepse u rritën aleatët e saj natyrorë, LSI dhe partitë e tjera të majta. Po ato parti që vijuan të rriten, edhe pse Partia Socialiste erdhi duke u zvogëluar.
– Rritja e votave për partitë e tjera të së majtës ju si e shpjegoni?
– Partitë e tjera nuk kishin mundësinë të zgjidhnin me cilët do të ishin në koalicion dhe nuk mund të ndëshkohëshin për këtë me votë. Kostoja e “aleancës me të gjithë, përtej së Majtës dhe përtej së Djathtës” ra totalisht mbi Partinë Socialiste, për arsyet e zgjedhjeve personale të Kryeministrit Rama. Ishte ai që i doli përballë publikut, duke buzëqeshur bashkë me Bamir Topin, Shpëtim Idrizin dhe Nard Ndokën. Të majtët nuk mund ta jepnin votën për këta politikanë kolltuqesh dhe e transferuan votën nga Partia Socialiste te partitë e tjera të vogla.
– Derisa tani Rilindja do të ketë qeverisjen edhe të 75 % të pushtetit vendor a përbën rrezik që të abuzohet kjo maxhorancë e PS të abuzojnë me pushtetin absolut që zotërojnë?
-Kryebashkiakët socialistë nuk fituan me zgjedhje të lira, por praktikisht i blenë votat. “Bursa” këtë radhë shënoi një kulm të ri me 150 mijë lekë për votë. Në këtë pazar fituan kandidatët socialistë, të ndihmuar edhe nga paaftësia e rivalëve të tyre demokratë. Kur votuesit u gjetën përballë alternativave që përfaqësoheshin nga dy njerëz të urryer, ai që paguan është më pak i urryer dhe e keqja më e vogël. Arroganca? Natyrisht, ai që nuk ka fituar me zgjedhje por duke blerë votat, është shumë e lehtë të bëhet edhe arrogant, sepse nuk ndjen që të ketë detyrime ndaj askujt.
– Ben Blushi ka kritikuar ashpër qeverisjen e Rilindjes kryeministrin Rama ngaqë ka paralizuar PS. Mendoni se te elektorati socialist ka boshllëk dhe nëse Blushi krijon një parti, do t’i marrë PS elektoratin që nuk e votoi në 21 qershor?
– Ben Blushi nuk është nga ata trima, por edhe nëse bëhet, trimat pas luftës dhe të urtët pas kuvendit, nuk i duhen askujt. Ben Blushi e kishte mundësinë e artë në këto zgjedhje për t’u bërë një Cipras i dytë dhe ta shpëtonte Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe që e ka zënë, por ai uli kokën si gjithë socialistët e tjerë që presin sa t’i shkasë këmba “shefit” dhe pastaj t’i vënë këmbën sipër. 
– Cili është mesazhi që dha populli grek në referendumin e djeshëm?
– Ishte ndër rastet e rralla në botë që një popull arrin të ruajë dinjitetin dhe sovranitetin e vet nëpërmjet një referendumi dhe kjo padyshim është një meritë e madhe e Kryeministrit aktual, Aleksis Cipras. Disa vite të shkuara, populli grek ishte peng i politikës së vjetër që kalonte nga njëra dorë në tjetrën. Dy partitë e mëdha përfaqësonin kalbëzimin e një kaste politikanësh që veçse e zhyste vendin në borxhe, pranonte çdo lloj skllavërie për popullin e vet, mjaft që të ruante për vete privilegjet ekonomike e politike. As më shumë e as më pak si sistemi shqiptar, me Partinë Demokratike e Partinë Socialiste që janë bërë gangrena jonë politike. Por Greqia e zgjidhi me një të rënë shpate “nyjen gordiane” dhe “të vdekurit e pakallur” i çoi në varr. Është ky një shembull i madh edhe për popullin shqiptar, që duhet të çojë në varr politikën e vjetër dhe të dërgojë në pension këtë klasë të kalbur të drejtuesve politikë, të majtë e të djathtë, që përulen përpara çdo përfaqësuesi të Europës dhe pranojnë çdo marrëveshje në dëm të interesave tona kombëtare. Greqia nuk votoi vetëm për veten e saj, votoi edhe për ne, për të gjithë popujt që nuk duan të jetojnë në skllavëri.
– Kjo BE kështu siç është sot a mund të sjellë progres dhe mirëqenie e solidaritet për gjithë popujt anëtarë të saj dhe për popujt që aspirojnë të bëhen anëtarë të saj?
– Kjo BE siç është sot nuk është ndërtuar për t’u siguruar mirëqenie e solidaritet popujve. Deri dy dekada më parë, popujt e Europës kishin një mirëqenie të sforcuar, të detyruar nga rrethanat e Luftës së Ftohtë dhe nga mundësia e shtrirjes së Revolucionit Sovjetik edhe në këto vende. Me rënien e Bashkimit Sovjetik, ra edhe frika e kapitalit. Europa e sotme nuk është veçse instrument në duart e kapitalit financiar që në vetvete është një piramidë e madhe financiare me afat të shkurtër skadence. Gjithë përpjekjet që po bëhen është që ky afat skadence të shtyhet sa të jetë e mundur, pasi ditën kur afati skadon, është dita kur fillon Lufta e Tretë Botërore në Europë . Dhe kjo ditë nuk është shumë e largët.
Sigal