Manjani: Magjistratët që nuk pranojnë emërimet, largohen

518
Ministri i Drejtësisë,  Ylli Manjani i është përgjigjur sot interesit të medias lidhur me vendimin e marrë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë mbi emërimin e magjistratëve të rinj në bazën e shortit, vendim i cili është ankimuar nga ana e këtyre magjistratëve.
Lidhur me këtë zhvillim, Ministri Manjani komentoi si më poshtë: 

“Unë jam njohur me këtë informacion sigurisht nëpërmjet jush dhe disa reagimeve dhe dua t’ju them se çdo i ri apo e re që hyn në Shkollën e Magjistraturës betohet që do t’i shërbej Republikës.Këta njerëz paguhen nga shteti edhe kur janë studentë dhe janë të gatshëm teorikisht sipas betimit, që t’i shërbejnë Republikës kudo që ajo ka nevojë dhe kjo është baza që duhet kuptuar. 

Së dyti nuk është e thënë që të kesh dalë mirë në shkollë dhe duhet të emërohesh në Tiranë. Gjykata e Tiranës dhe Gjykata e Tropojës, ligjërisht dhe nga pikëpamja kushtetuese janë njësoj. U shërbehet qytetarëve njësoj dhe pa asnjë paragjykim dhe nuk ka përse të krijohen diferenca të kësaj natyre siç kanë ndodhur për hir të së vërtetës në të shkuarën.

Në rastin në fjalë, një numër magjistratësh që kishin mbetur pa punë, ndërsa shteti vazhdon i paguan, ndërkohë që kishim dhe kemi vende vakante, meqë ishin vlerësuar njësoj me “shumë mirë”, atëherë vendosëm që të caktohen me short, një procedurë e paanshme, që nuk ka përse t’i japi hapësirë dikujt që ka mik dhe të ndëshkojë dikë që nuk ka. Kjo është një procedurë që unë e kam mbështetur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe me thënë të drejtën m’u duk shumë e ndershme. Shumë më e ndershme kështu se sa të krijojmë hapësira të tipit të komiteteve ekzekutive, ku po të ishe nxënës i mirë merrje bursën e mirë. Këto gjëra nuk mund të funksionojnë në demokraci sepse jemi në një shoqëri të hapur, ku duhet të shërbejmë në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët. 

Gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë paguhen për të qenë gjyqtarë dhe jo sindikalistë, kështu që sindikalistët të bëjnë punën e tyre ndërsa gjyqtarët duhet të shkojnë të marrin detyrën ku i kërkon Republika dhe kjo histori mbaron njëherë e mirë. Ligji është shumë i qartë, sigurisht që kush nuk merr detyrën nuk mund të jetë gjykatës”, u shpreh z. Manjani
Sigal