Majlinda Keta: “Parlamenti ynë akademik” do jetë shumë herë më i mirë, se ai i politikës!

Lektorja e filozofisë dhe njëherësh Kryetarja e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës, Majlinda Keta, në një intervistë për gazetën “Telegraf” flet për risitë e zgjedhjeve të radhës, ku për “Rektor” të UT kandidojnë prof. Klodeta Dibra dhe prof. Munir Koni, për “Anëtar i Senatit Akademik” konkurrojnë 12 studentë (për 4 vende) dhe 45 prej kandidatëve nga personeli akademik janë me titull “Profesor”, mes të cilëve 18 janë zonja

Universiteti i Tiranës është përfshirë në një situatë zgjedhore. Çfarë do të thotë “Zgjedhje” për një institucion si i juaji?

Universiteti i Tiranës (UT) është institucioni më i madh akademik në vend dhe si i tillë është edhe sfidanti kryesor i cilësisë së lirisë dhe i autonomisë, ku zgjedhjet janë element i autonomisë organizative, ku personeli akademik dhe studentët ushtrojnë të drejtën e tyre për t’u vetëqeverisur, për të zgjedhur organizmat dhe autoritetet drejtuese. Demokracia zgjedhore është fryma që po i jepet procesit zgjedhor, kjo, pasi për UT është prioritet cilësia e organizimeve që respektojnë, mbrojnë dhe zgjerojnë të drejtat e individëve. UT ka hyrë në këtë proces zgjedhor me misionin e të pranuarit publikisht si institucioni akademik model i qytetarisë demokratike.

Sigal

Në cilësinë e Kryetares së Komisionit Institucional të Zgjedhjeve (KIZ), si e garantoni publikun shqiptar, taksapaguesit, se ky proces nuk do të njohë korruptim administrativ?

Së pari, dua t’i pohoj publikut shqiptar që procesi po drejtohet nga 3 disiplina të forta institucionale, nga ajo ligjore, etike dhe komunikuese. Jo vetëm komisioni që unë drejtoj, por edhe Komisionet Zgjedhore të Fakulteteve dhe njësive nën varësi të UT kanë dalë nga një proces zgjedhor model në zbatim të Rregullores që MAS për secilin prej nesh. Rregullorja vetëm 1 ditë pas deklarimit zyrtar ka qenë një informacion për çdo punonjës të UT me qëllim që procesi i ndërtimit të strukturave për menaxhimin e zgjedhjeve të koordinonte vullneti personal të stafeve për të qenë pjesë e garës për anëtar të këtyre komisioneve, por edhe për t’u votuar për të fituar anëtarësinë në to bazuar në një proces transparent zgjedhor. Një nisje e tillë në këto zgjedhje, si ajo për zgjedhjen e KIZ dhe KZF si struktura bazë të menaxhimit dhe standardit zgjedhor është një shprehje sa e disiplinës së rreptë ligjore të demokracisë zgjedhore në UT po aq edhe tregues i një disipline etike institucionale në emër të UT që shpreh më së miri integrimin e premtimit me realizimin e tij, të fjalës së dhënë me veprimtarinë në terren dhe kjo përmes shprehjes së seriozitetin në sjelljen institucionale, ndershmërisë në konkurrim po aq sa respektimit maksimal të ligjit. Nga ana tjetër aftësia për një disiplinë të fortë komunikuese është garancia tjetër që ne i japim taksapaguesit shqiptar, pasi kemi qenë tepër korrekt në zbatimin e afateve dhe detyrimin për komunikim publik në emër të transparencës. Këto 3 standarde janë një garanci solide për të na besuar në misionin tonë institucional, UT do të prodhojë demokracinë zgjedhore më model dhe ofrojë modelin më të mirë të procesit zgjedhor të pranuar e mbështetur nga të gjithë. Për ju mediat përbën ende lajm emri i konkurruesit, për ne si KIZ ka shumë rëndësi fryma e institucionalizimit zgjedhor bazuar në ligj, etikë dhe komunikim kur dhe ku duhet. Demokracia e sotme si institucion bazë të sistemit politik ka atë të votës së lirë e të barabartë. Ne këtë do t’ia mundësojmë dhe mbrojmë personelit akademik dhe studentëve të UT se për t’ia garantuar e ka bërë ligji.

Më në fund, dje në orën 15:00, ju keni shpallur kandidatët për konkurrim për “Rektor” i UT dhe “Anëtar i Senatit Akademik”. Pse kjo zgjatje, ndërsa mediat kishin kohë që kishin shpallur kandidatët për “Rektor”?

Nuk ka pasur asnjë zgjatje, përkundrazi janë respektuar afatet e përcaktuara në Rregulloren e MAS “Për organizimin e zgjedhjeve të para për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të Arsimit të Lartë në RSH”. Vetëm tani mua më lindte e drejta të shprehesha me emra për kandidatët sikurse them se ky është lajmi i vërtetë që mediat duhet të kishin dhënë për këtë element të procesit zgjedhor. Të tjerat janë sensacione mediatike dhe që jo pak keqinformuan publikun. Unë ju garantoj që kandidatët në konkurrim kanë deklaruar veten dhe janë verifikuar për çdo standard të vetdeklaruar dhe që duhej të vërtetohej institucionalisht bazuar në Rregulloren. I jam shumë mirënjohëse zyrave të burimeve njerëzore të çdo fakulteti, drejtuar nga ajo e rektoratit që, së bashku me dekanët në detyrë, kanë dhënë gjithë informacionin e nevojshëm për të dhënë sa më shumë siguri për kandidatët konkurrues.

Kjo do të thotë që ju e keni vlerësuar si standard çështjen e pastërtisë së figurës së kandidatëve për konkurrim?

Ne kemi respektuar vetdeklarimin e kandidatëve për këto standarde:
– “Nuk kam qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale;
– Nuk kam shkak për të qenë objekt i ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike;
– Nuk kam shkak për të qenë objekt i ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Mirë do ishte që të kishte filluar punë Autoriteti Qeveritar, i cili do të jetësonte standardin filtrues që ligji i prillit 2015 parashikon. Gjithsesi me funksionimin e tij dhe vetëdeklarimet e kandidatëve mendoj se çdo gjë do rikonfirmohet. Unë nuk besoj që pas kërkesës për vetëdeklarim të ketë kandidatë që “luajnë” me prestigjin e tyre akademik dhe publik.

Si e vlerësoni cilësinë e kandidatëve konkurrentë për “Rektor” dhe “Anëtar i Senatit Akademik”?

Për UT për “Rektor” kemi 2 kandidatë të shpallur, Prof. Klodeta Dibra dhe Prof. Munir Koni. Siç e shihni ka një balancë gjinore të respektuar. Për “Anëtar i Senatit Akademik” konkurrojnë 12 studentë për 4 vende. Lista shprehet se kanë konkurruar 63 kandidatë nga personeli akademik me kohë të plotë, nga të cilët 45 janë me titull “Profesor” dhe prej të cilëve 18 janë zonja me titull “Profesor”. Vendin e parë për zonjat “Profesor” të kandiduara e zë Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, ku nga 8 zonja të kandiduara (nga 12 gjithsej), 7 prej tyre janë me titull “Profesor”. Fakulteti Juridik është për t’u vlerësuar, ku nga 9 të kandiduar për Senat, 5 janë zonja dhe 2 prej tyre janë me titullin “Profesor”. Ndërsa nga Fakulteti i Shkencave Sociale kandidojnë na balancë gjinore 10 kandidatët për Senat dhe vetëm 1 nga zonjat ka titullin “Profesor”. Në total kemi 27 kandidate femra, që garojnë për Senat dhe uroj që në finale, pas votimit, “Parlamenti Akademik” të ketë një balancë gjinore të spikatur për të mos thënë në avancë zonjash për të shprehur realisht shumicën e cilësuar që zonjat kanë në jetën akademike të UT. Mosha e të kandiduarve varion nga 34 vjeç deri në 64 vjeç. Jam e bindur që “Parlamenti ynë akademik” do jetë shumë herë më i mirë, se ai i politikës, në çdo standard.

A ka mes kandidatëve, nga ato që ishin zëra kritikë për Reformën dhe Ligjin e Arsimit të Lartë?

Sigurisht që ka përfshirë këtu edhe Forumin për Liri Akademike” me në krye Prof. Fugën. Kush është intelektual i vërtetë në të punësuarit në akademizëm, sigurisht që vlerëson peshën dhe ndikimin që ka për progresin në cilësinë e universiteteve fakti i të qenurit anëtar i Senatit Akademik. Arsimi i Lartë nuk ka progresuar apo regresuar vetëm e vetëm nga ato çka reformat politike shkruajnë në ligje e rregullore. Ato do progresojnë apo do atrofizohen në mision kur vdes intelektualizmi nga radhët e të punësuarve në akademizëm. UT është një gjenerator i intelektualizmit në vend dhe ka ruajtur me shumë përpjekje lirinë akademike. Unë shpresoj shumë në kompozimin e pritshëm të një senati intelektual më shumë se akademik për UT.

Rregullorja e Ministrisë “Për organizimin e zgjedhjeve të para për autoritetet dhe organe drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë“ u bë në nxitim e sipër, bile ishte e vonuar në raport me kohën e miratimit të Ligjit për Arsimin e Lartë. A ka paraqitur probleme deri më tani, në procesin e zgjedhjeve që po kaloni? A keni ndonjë sugjerim?

Ka paqartësira që në rrugë e sipër na kanë detyruar të kërkojmë edhe asistencë ligjore nga Drejtoria Juridike pranë Rektoratit të UT, por kam bindjen që do kërkojnë edhe MAS. Këto janë të pritshme nga “nxitimi“, por edhe si mosrakordim për qartësim nga Ligji për Arsimin e Lartë. Ka paqartësi në saktësimin e rregullatorit të termit “filial“, “degë“ në situatë zgjedhore nga Ligji tek Rregullorja; ka një mungesë të neneve mbi “Etikën zgjedhore“ po aq sa “Për Edukimin e votuesve“ dhe përgjegjësitë për to, sidomos për ato që votojnë për herë të parë. Kjo përvojë e KIZ të UT do konkludojë edhe për sugjerime përmirësuese të Rregullores. Në jetën akademike edhe në veprimtari të tilla duhet parë kërkimi shkencor.

Zakonisht në Shqipëri në rotacione pushtetesh, ato që mbarojnë mandatin janë “të painteresuar” dhe jo mbështetës për stafet elektorale. Në UT, si është situata në raport me këtë sjellje institucionale?

Akademizmi dhe politika në Shqipëri në 25 vjet janë shumë larg njëra – tjetrës edhe në këto standarde sjellje institucionale. E gjithë veprimtaria jonë si komision, por edhe komisionet në fakultete lehtësohen nga Rektori Kule dhe dekanët përkatës, nga kancelarët dhe sekretaritë mësimore apo zyrat e burimeve njerëzore, në mjedise, infrastrukturë dokumentare dhe rrjete komunikimi. Ndryshe nga politika ne jemi konkurrentë nën një fanellë, fanellën “UT“ dhe tek ne sfida është për standardet më të mira në emër të skuadrës UT. Politikës do t‘i kërkoja të mos i ngjyrosë me ngjyrat e flamujve politikë fanellat e konkurrentëve. Sfida elektorale në akademizëm është sfidë për demokracinë dhe progresin e kombit, shtetit. Në akademizmin intelektual nuk mund të ketë individë që venë politikën mbi akademizmin. Nuk ma pranon mendja se ka kandidatë që do përdhosin auditorët akademikë më flamuj dhe struktura partish. Akademizmi di të ndajë detyrën nga fushata elektorale. Programet dhe takimet elektorale të kandidatëve nuk do cenojnë procesin mësimor akademik. Fushata mes konkurrentëve do të priret nga konkurrenca programore dhe nën një etikë komunikimi dhe do jetë modeli më i mirë i demokracisë elektorale në vend. Qysh nga e hëna, pas shpalljes së kandidatëve konkurrues për “Dekan“ dhe “Përgjegjës për njësinë bazë“ do të funksionojë edhe faqja elektronike e Zgjedhje 2016, si një komponent i faqes zyrtare të UT. Ky është tregues i cilësisë së sjelljes institucionale UT, nga ku nuk bën përjashtim edhe Komisioni Institucional i Zgjedhjeve që mua më është besuar drejtimi, por që drejtojmë si një skuadër.