Majlinda Keta: Ligjin e dekriminalizimit, e vlerësoj të vdekur

456
Ndokush, sidomos ndërkombëtarët, qoftë edhe për optimizëm, mund të mendojnë se dekriminalizimi i politikës shqiptare, do të fillojë, sepse edhe partitë politike do të kenë vullnetin e tyre politik, meqë ligji u miratua me konsensus të plotë. Majlinda Keta, lektorja e Filozofisë dhe një aktiviste e së Majtës, në intervistën për gazetën “Telegraf” që në fillim e vlerëson ligjin e dekriminalizimit, moralisht të vdekur, ende pa u lindur. Zonja Keta është skeptike, sepse edhe ky ligj merret me pasojat, pa u marrë me shkaktarët e kriminalizimit, që janë pikërisht, vetë po këta liderë partiakë. Zonja Keta ballafaqon realitetin, akuzat e ambasadorit amerikan për korrupsionin dhe deputetët kriminelë me mohimin e vazhdueshëm të kryeministrit Rama për të reflektuar. Pikërisht, thotë zonja Keta, ky mosreflektim politik i kryeministrit Rama, bind që moralisht ligji i kriminalizimit është i vdekur. Shpjegimin e kësaj politike, zonja Keta e argumenton: “Ne mbetemi me mendësi komuniste në drejtim shteti, ende. Ndaj DUHEJ të ishte kryer dekomunistizimi kah herë, pas të cilit kam bindje nuk do të jetësoheshin mbase edhe procese, si ky i dedrogizimit, dekriminalizimit, merkato deputetësh e partiçkash”.

-Zonja Keta, sipas jush, përse e Majta dje votoi kundër amendamenteve të ligjit të dekriminalizimit, për testin e drogës dhe dekomunistizimit? 
– E Majta, më saktë Partia Socialiste, ka kohë që është në pasiguri shprehjesh e qëndrimesh, në qëndrimin e saj ndaj pranimit të kriminalizimit të politikës së saj dhe elementëve të inkriminuar në lidershipin e saj politik. Nuk ka shqiptar që të ketë harruar pohimin e fillimqershorit 2015: “Kemi identifikuar kandidatë me histori kriminale”, nga Ambasadori Amerikan (për mua nuk ka rëndësi emri), pasi ai është zëdhënësi i politikës të SHBA në Tiranë. Dhe, po atë ditë, në përgjigje kemi pohimin e Kryeministrit të së Majtës: “Ajo që ju them unë me siguri është se në të 61 kandidatët e koalicionit të Aleanca për Shqipërinë Evropiane nuk ka asnjë të dënuar, për asnjë lloj vepre penale. Pastaj, fakte prova, dyshime, historira nuk janë pjesë e politikës, nuk janë pjesë e detyrës sime si kryetar i PS”. Pas votimit të ligjit të dekriminalizimit, sot jemi në fillesë të një realitet listash që do hapë procesin e dekriminalizimit të individëve, që PS-ja e Ramës pranoi të kandidonte dhe të opozitës… Votimi kundër amendamenteve është një qëndrim tjetër i pasigurt ndaj “Vetes” qeverisëse, që për nga rëndësia ishte po me aq peshë, sa edhe e para, pasi do t’i jepte fund terrnajës së kahershme, me efekte paralizuese publike për vlerat e së Majtës qeverisëse dhe shkallën e përgjegjësisë personale politike të individëve që qeverisin në emër të saj. Ne jemi një vend i vogël, si i tillë, pothuaj jemi nën një optikë dhe skaner publik, qysh nga cilësia e jetës në familjet tona, deri tek, sa herë dhe për çfarë shkojmë tek mjeku, apo psikologu, tek miqtë, apo fallxhorët. Për mua, e Majta do kishte kuotuar pozitivisht veten në rast se do ta pranonte dhe do i paraprinte me modelin e saj edhe një opozite, pa varësi toksinash antidemokratike, drogë apo ideologji komuniste. Sjelljet, si produkt i këtyre lloj toksinave antidemokratike janë të dëmshme, kur emetohen nga sigla dhe siguri institucionesh qeverisëse e jo më në nivel liderësh.

– Para 3 vjetësh, po me bujë u miratua ligji për heqjen e imunitetit, por deri tani është i paralizuar. Përse tani duhet të shpresojmë që ligji i dekriminalizimit do të bëjë katharsin e politikës nga krimi?
– Nuk dua të bëj Kasandrën, por këtë ligj moralisht e vlerësoj të vdekur, pa lindur. Si mund të jetë pjesë e lidershipit për ideim, votim, implementim e ekzekutim një Parlament, anëtarë të së cilit kanë këtë cilësi që vihet në fokus për t’u hetuar? I kriminalizuari nuk mund të dekriminalizojë. Më pëlqeu abstenimi i Blushit, të paktën pohoi skepticizmin në zbatim. 

– Pse jeni edhe ju skeptike?
– Në 14 dhjetor të këtij viti, vetë Ambasadori amerikan u shpreh: “Kush i trembet më shumë reformës në drejtësi?! Unë e di kush. Ministrat e korruptuar, deputetët kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët që marrin paratë tuaja, por kurrë nuk ndjekin penalisht dikë. Këta persona duan të vazhdojnë të mbushin xhepat e tyre me paratë e popullit shqiptar”, ndërkohë që vetë njëshi i qeverisë shqiptare në 30 korrik të këtij viti kishte një qëndrim, vlerësim totalisht të ndryshëm nga ky më sipër, ndërsa shprehej: “Në kushtet e sotme ligjore e kushtetuese, në parlamentin e Shqipërisë, nuk ka njerëz që kanë probleme me ligjin. Pra, në kuptimin, nuk flas për ata që janë bërë deputet, nuk janë futur në parlament njerëz që kanë pasur probleme me ligjin”. A mund të më thoni, kush do marrë përgjegjësinë e procesit të katharsisit, institucioni i diplomacisë amerikane (sinkron me filozofinë e procesit), apo qeveria shqiptare me institucionet e saj? Kjo e fundit, në premisë nuk pranon ekzistencën, jo më luftën për vetëpastrim. Ligji i dekriminalizimit, nuk standardizon luftën kundër faktorëve që e prodhuan kriminalzimin e politikës shqiptare të pas 2005-ës. Ai merret me pasojat. Për mua është alogjik.

– Kryeministri Rama, ditë më para pohoi publikisht që sa të miratohet ligji i dekriminalizimit, do të shikojmë që të inkriminuarit janë vetëm te opozita. Mos vallë do të kemi tani “gjuetinë e shtrigave” ndaj kundërshtarit, duke përdorur si kobure ligjin e dekriminalizimit?
– Kryeministrit publicist Rama, do t’i kujtoja që kjo është një sëmundje e vjetër e politikës shqiptare, nga e cila në 2015-ën duhet hequr përfundimisht dorë. Mjafton të lexojë Gurakuqin dhe Nolin, mbi “Fajet e opozitës” apo këshillat për “ta shuar urrejtjen me verë” që të kuptojmë, sesa mbrapa në standard të të bërit politikë është qeverisja e sotme, njësoj si ajo e 90 viteve më parë. Ndërsa, sa për gjueti shtrigash mes tyre, nuk besoj. Këto pari politike të 25 vjetëve demokraci nuk bëjnë gjueti mes tyre dhe familjarëve të tyre, gjuetinë e ushtrojnë vetëm ndaj përkrahësve, militantëve të kundërshtarit politik (pra, anëtarësisë dhe fansave), po aq sa ndaj mendimit ndryshe brenda partive që drejtojnë, ku oborri i Kryetarit aktivizohet maksimalisht, deri në nivelin e bashkëshortëve dhe fëmijëve të Mentuesit NDRYSHE, për gjueti të specializuar shtrigash. Ne mbetemi me mendësi komuniste në drejtim shteti ende. Ndaj DUHEJ të ishte kryer dekomunistizimi kah herë, pas të cilit kam bindje nuk do të jetësoheshin, mbase edhe procese si ky i dedrogizimit, dekriminalizimit, merkato deputetësh e partiçkash.

– A do të mundin reforma në drejtësi dhe ligji i dekriminalizimit të luftojnë korrupsionin dhe krimin në politikë?
– Jo, jam skeptike totalisht. Më duket fashion-izëm politik, sesa brendësi politike me moral.

– Shikoni zgjedhje të parakohshme, pasi të miratohen reforma në drejtësi dhe ndryshimet kushtetuese?
– Me këtë Parlament jo, me këto mendësi qeverisëse jo. Rrugë e mesme mund të ishte presioni i Metës (përmes zëvendësimit të ministrave dhe zëvendësministrave dhe drejtorëve politikë të tij) për rikompozim të qeverisë me prurje, mendësish dhe energjish të reja të së Majtës. E Majta qeverisëse nuk ka problem vetëm kriminalizimin e disa figurave qeverisëse dhe ligjbërëse, po kaq i madh është problem i efiçencës qeverisëse. Shihni ndryshimin në perceptim dhe mbështetje të ndryshimit nga Veliaj tek Klosi në Ministrinë e Mirëqenies. Klosi në pak muaj mori edhe vlerësimin publik “më i suksesshmi 2015”. Ky mund të ishte shansi i fundit i së Majtës qeverisëse për të mbajtur të Majtën në qeverisje dhe shkuar suksesshëm në zgjedhjet e 2017-ës. Nëse Rama po tregohet jashtë asaj që e kemi perceptuar, le të marrë flamurin Meta. 
Nuk ka dekriminalizim, pa u zhbërë Sistemi aktual Elektoral
– Ligji i dekriminalizimit nuk i referohet, nuk prek fare Sistemin Elektoral. Ju mendoni se ky ligj është i plotë pa u ndryshuar sistemi elektoral?
– Ndryshimet Kushtetuese të 2008-ës nga Rama-Berisha dhe Kodi Elektoral që pasoi dhe është në fuqi janë shkaktarët, frymëzuesit dhe mundësuesit, implementuesit dhe avokatura e kriminalizimit të politikës shqiptare, sidomos në 10-vjeçarin e fundit. Sa kohë që nuk do rivendikohen në standarde ligjore demokratike, këto burime të së keqes nuk do kemi progres në procesin e pretenduar të dekriminalizimit. Më habisin të huajt që nuk e pranojnë ende këtë logjikë, qoftë kjo edhe me pasoja ndjese dhe reflektimi për to para shqiptarëve, pasi, kur u kryen nga liderët tanë politikë të 2 partive të mëdha, u bekuan edhe nga ndërkombëtarët, të cilët nuk pyetën dhe nuk vlerësuan sheshin “Skënderbej” plot me protestues të partive të tjera kundër atyre ndryshimeve kushtetuese, që cenuan rëndë pluralizmin politik, po aq sa injoruan me dhjetëra shkrime e forume intelektualësh, që denoncuan dhe vazhdojnë të denoncojnë këto shkaktarë të kriminalizimit dhe merkatos poltike me shitblerje deputetësh dhe idealesh politike.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 19.12.2015
Sigal