Lulzim Basha: Rifreskoni anëtarësinë në secilën degë

513
Jakup B. GJOÇA
Besnik Mustafaj paralajmëron Bashën: Nëse humbet zgjedhjet në 2019-n, je i humbur
Partia Demokratike është në një udhëkryq politik, për shkak se në prill mblidhet Kuvendi Kombëtar, i cili do të analizojë punën nga 23 qershori 2017 e deri tani, por edhe do të zgjedhë strukturat më të larta të PD-së. Kryetari Basha gjendjet tashmë para provës më të madhe politike. Zgjedhjet vendore të 2019-s, ndoshta do të jenë përcaktuese edhe për vetë postin e tij si kryetar i PD-së, sepse një humbje e tretë radhazi e PD-së do të vinte në pikëpyetje drejtpërdrejtë edhe vetë ekzistencën e tij në krye të PD-së. Madje, ish-ministri i Jashtëm i PD-së Besnik Mustafaj e shprehu hapur dje mendimin se, humbja e tretë elektorale e PD, do të jetë edhe fundi i Bashës si kryetar i PD-së.
Basha takim me krerët e degëve të PD: Riorganizimi i PD-së, detyrë parësore
Lulzim Basha zhvilloi një takim me krerët e degëve të PD. Ai i informoi ata mbi vendimin e Kryesisë për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD. Basha u dha lirinë e shprehjes drejtuesve të degëve për idetë e tyre. “Të gjithë të kenë hapësirë të bëjnë propozime. Në mbledhjen e Kuvendit, në datat 28 dhe 29 prill, të jenë të pranishëm të gjithë që janë pjesë e Kuvendit,” tha Basha. Kryedemokrati i dha atyre disa udhëzime në lidhje me elektoratin si dhe me anëtarësinë në secilën e degë. “Duhet parë procesi i riorganizimit, të mos zhvendoset vëmendja nga takimet me elektoratin. Duhet të rifreskoni anëtarësinë në secilën dege,” mësohet të ketë thënë Basha. Kjo porosi e kryetarit të PD-së Basha, do të thotë se duhet të riorganizohet PD-ja në çdo qelizë strukturore të saj. 
Besnik Mustafaj: Zgjedhjet e 2019-s vendosin fatin e Bashës në krye të PD-së


Analisti Besnik Mustafaj, u shpreh dje se pas muajit prill Partia Demokratike duhet të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme. Duke u ndalur tek zgjedhjet vendore që pritet të zhvillohen vitin e ardhshëm, Mustafaj thotë se zgjedhjet lokale nënvlerësohen nga partitë politike. Ai thotë se kjo do të jetë përballja e tretë e Bashës në zgjedhje, qofshin ato parlamentare apo vendore, nga koha kur është vendosur në krye të PD-së. Sipas Mustafajt, një tjetër humbje në zgjedhje, do të ishte “vdekja e tij përfundimtare politike”. 
Besnik Mustafaj: Zgjedhjet e 2019-s do të jetë përballja e tretë e Bashës në zgjedhje, qofshin ato parlamentare, apo vendore, nga koha kur është vendosur në krye të PD-së. Një tjetër humbje në zgjedhje, do të ishte, “vdekja e tij përfundimtare politike”.
Deputeti socialist Hyseni: Do të thirret edhe Berisha si dëshmitar për hetimin e Tahirit


Ende nuk ka filluar punën Komisioni Parlamentar i Hetimit, dhe anëtari i këtij komisioni parlamentar, deputeti socialist Alket Hyseni deklaroi se ka shumë mundësi që të thirret si dëshmitar edhe ish-kryeministri Berisha. Deputeti socialist Hyseni, pranoi se ky komision parlamentar do të hetojë edhe deklaratat politike që janë bërë për çështjen “Tahiri”. Gjithashtu, si deputet, Hyseni, i pyetur nëse e ka takuar deri tani deputetin Tahiri, pohon se ish-ministri Tahiri nuk është ndonjë person që nuk duhet takuar. “Nuk e konsideroj si njeri që s’duhet takuar. S’më kujtohet sa kohë kam pa e takuar. Por do e takoj me kënaqësi për aq njohje sa kemi.”- përgjigjet deputeti Hyseni. Ndërsa i pyetur për lobingun e PD-së me rusët, deputeti Hyseni iu përgjigjet: “PD-ja u kap me presh në dorë. Si ish-drejtuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit të Parave, nuk më lejohet të komentoj për këtë pjesë. Por ky është një shqetësim i madh, lidhja me qarqe antishqiptare.”
Sigal