Lulzim Basha: Bëhuni zëri im për ndryshimin e madh të Shqipërisë Në 26 prill shqiptarët do të festojnë fitoren e madhe

198
Sigal

 

Mbrëmë, Lulzim Basha, kryetari i PD-së pasi përmbylli mitingjet elektorale në Sheshin “Nënë Tereza”, u dërgoi një mesazh gjithë shqiptarëve, duke i ftuar, që të votonin numrin 9, që të bëhen zëri i Tij dhe Ai do të jetë zëri i shqiptarëve.

Mesazhi i Lulzim Bashës

Të dielën sjellim ndryshimin! Fitorja më e madhe dhe më e bukur, sepse kjo është fitorja e Shqipërisë. Ndryshimi është i pandalshëm, sepse shqiptarët nuk munden më të vazhdojnë me 4 vite të tjera si këto 8 që kaluan dhe, kanë vendosur t’i hapin rrugën ekonomisë të zhvilluar, Shqipërisë anëtare të Bashkimit Evropian. Ajo që do të ndodhë me 25 prill nuk është e partive, është e shqiptarëve, është e familjeve të tyre, për fëmijët e tyre, prandaj është e pandalshme, sepse Shqipëria më 25prill, do të vendosë për një jetë më të mirë për familjet, për fëmijët dhe për veten e tyre.

 

Tirana: Fitorja më e madhe dhe më e bukur, sepse kjo është fitorja e Shqipërisë

Kreu i PD, Lulzim Basha, në mitingun e fundit të PD-së për këtë fushatë elektorale në Tiranë, tha  se është çështje orësh që ndryshimi të vijë, edhe pse deklaron se tashmë ka ardhur, pasi e sheh tek çdo shqiptar, dhe kërkon që më 25 prill, të votohet numri 9. Lulzim Basha: “Ky është fundi i një rrugëtimi që e nisëm këtu, nga Tropoja në Sarandë, nga Korça në Durrës, cep më cep, të një Shqipërie të mbushur me shpresë, të një Shqipërie që po mbushet me gëzimin e fitores që po vjen. Shqipëria si gjithë Evropa duke votuar numrin 9! Ndryshimi është çështje orësh, është madhërisht këtu, në këtë shesh, në zërin tuaj, në zemrën tuaj, ushton, ushton, ushton numri 9, për ndryshim, për fitoren e çdo familje shqiptare, për fitoren e nënave shqiptare, lotët e nënave që nuk kanë pasur të tharë, me burrat e shpunësuar, me shtëpitë e prishura, pa siguri për të nesërmen, pa rend, pa drejtësi, por nënat shqiptare kudo ku i kam takuar që ju shoh sot në këtë shesh, e kanë ngritur kokën, sepse të dielën vjen ndryshimi për to. Baballarët tanë të stërmunduar në 8 vite të një dimri pa fund. Vetëm me vuajtje e mjerime, borxhe, çmime që rriteshin, i shoh sot, i dëgjoj thirrjet e tyre, ndryshimi po vjen, ditën e dielë ndryshimi po vjen, duke votuar numrin 9.

Në Shkodër: Ju i keni prirë ndryshimit do i prini dhe fitores

Nga Shkodra e nisi rrugëtimin kryetari i PD-së për ta mbyllur fushatën zgjedhore sot pasdite me një miting në Tiranë. “Fitorja e të dielës do të nisë nga Shkodra. Nga maja e Kelmendit e do të zbresë në çdo skaj të Shqipërisë”, tha Basha. Mes qytetarëve që kishin dalë për ta pritur edhe pse binte shi, Basha i ftoi të votojnë masivisht për të larguar përfundimisht Ramën nga qeveria. “Ju i keni prirë ndryshimit do i prini dhe fitores. Votë masive popullore për numrin 9 dhe largimin përfundimtar të Edi Ramës nga skena politike”, u shpreh Basha. Sot Partitë politike do të mbyllin fushatën elektorale për të lënë nesër vendin në “heshtje zgjedhore”.

 Lulzim Basha mesazh punonjësve të administratës publike

 Mos kini frikë, dilni masivisht të votoni për ndryshimin!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vjen sërish me një apel drejtuar administratës, që të mos kenë frikë, por të dalin për votime më 25 Prill dhe të votojnë ndryshimin. Përmes një videomesazhi, lideri demokrat theksoi se, i vetmi ndryshim për të cilin do të votojnë, është largimi i atyre që ju kanë përdorur dhe kthimi i dinjitetit.

Mesazhi i Bashës:

Dilni masivisht të votoni për ndryshimin! Dua të jap një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë për të gjithë punonjësit e administratës: mos kini frikë. Dilni masivisht të votoni për ndryshimin! I vetmi ndryshim për të cilin do të votoni është largimi i atyre që ju kanë përdorur dhe kthimi i dinjitetit, normalitetit dhe i mundësisë për t’i shërbyer ligjit dhe qytetarëve.

Nga Elbasani: Do t’jua kthejmë qytetin njerëzve!

Nga qyteti i Elbasanit, kryedemokrati Lulzim Basha u bëri thirrje qytetarëve të votojnë numrin 9 më 25 Prill. Basha tha se PD do iu kthejë qytetin elbasanllinjve, do iu kthejë sigurinë, paqen, si dhe askush nuk do ua vjedhë votat. “Më 25 Prill, elbasanasit do të votojnë për qetësinë e familjeve të tyre, për paqen në zemrat e prindërve, për sigurinë e fëmijëve të tyre, për punësimin e nënave dhe baballarëve dhe për ta kthyer Elbasanin dhe universitetin e tij në një model arsimi për rininë. Dielli i fitores rrëzëllit në sytë tuaj, nata e të keqes bie për herë të fundit këtë të diel, sepse Elbasani do të marrë në dorë fatin e vet, të familjeve të veta. Vëllezër dhe motra, ëndrrat tuaja dhe ëndrrat e mia për Elbasanin, nuk kanë mbaruar. Ëndrrat e mia, ëndrrat tona, për Elbasanin nuk kanë mbaruar, më 25 Prill le të fillojë punën me votën tuaj për të bërë realitet këto ëndrra, për të vazhduar projektet, për të çliruar familjet, sipërmarrjet, fermerët, mjekët, mësuesit dhe rininë, dhe për t’i dhënë mundësinë për zhvillim, punësim, pensione dinjitoze, për të rikthyer modelin e vyer e të çmuar, që na bënë të gjithë krenarë, qytetarinë. Do ta bëjmë realitet, sepse të dielën e gjithë Shqipëria dhe zemra e saj, Elbasani, do të votojnë masivisht për numrin 9, për të ardhmen e tyre, për prindërit e tyre, për paqe, siguri dhe zhvillim ekonomik, për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Evropian.

Policia  e Shtetit pranë shtabit elektoral të PD-së në Elbasan

Forcat e Policisë  ushtruan dje kontroll në makinat e PD-së pranë shtabit elektoral të Partisë Demokratike në Elbasan. Kandidati për deputet i PD-së, si dhe drejtuesi politik i Qarkut të Elbasanit, Gazment Bardhi, ka pasur momente tensioni me efektivët e policisë, pasi këta të fundit largohen pas kontrollit. Bardhi u kërkon efektivëve procerverbal për ato që kanë gjetur gjatë kontrollit. Bardhi siç shihet edhe nga video të publikuara, u thotë efektivëve: “Për çfarë ke ardhur në shtabin tim, makina është pastër. Dua procesverbal, ti ke ardhur në shtabin tim, jo unë, pse ke ardhur këtu. Ju urdhërojnë bandat, shkoni atje, jo në shtabin tim”. Tre ditë më parë në Elbasan mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën katër të tjerë, pas një shkëmbimi me armë zjarri.

Presidentja e Grave të PPE, Doris Pack, mesazh të fortë për shqiptarët

 Të dielën votoni numrin 9, votoni ndryshimin dhe Lulzim Bashën!

Presidentja e Forumit të Grave të PPE-së, Doris Pack, mbështet ndryshimin në Shqipëri dhe nxit shqiptarët të shkojnë të votojnë. Në një videomesazh inkurajues për shqiptarët, Doris Pack thekson se “Partia Demokratike është forca që do të sjellë ndryshimin” dhe se “tani është është koha e duhur për ndryshimin e qeverisjes”. “Ju inkurajoj të shkoni të votoni ditën e diel. Votoni për numrin 9, votoni për Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën. Jam e sigurt se kjo parti ka mësuar nga historia e saj dhe do të sjellë ndryshimin. Do të luftojë korrupsionin dhe do të jetë e interesuar në çështjet e përditshme, për edukimin, për shëndetësinë, për çdo gjë që e bën jetën në Shqipëri sa më mirë që është e mundur. Që dhjetra mijëra të rinj të mos vazhdojnë të lënë vendin. Shpresoj shumë se ju e kuptoni mesazhin tim se unë dua ndryshimin dhe jam e bindur se edhe ju gjithashtu e doni ndryshimin”, thotë Doris Pack në mesazhin e saj. Edhe Presidenti i PPE-së, Donald Tusk, mbështeti më herët fitoren e PD në zgjedhje. “Lulzim Basha do të realizojë integrimin në Bashkimin Evropian”, tha Presidenti Tusk. Mesazhet e përfaqësuesve të lartë të BE-së vijnë pak ditë përpara zgjedhjeve të 25 Prillit, kur do të vendoset fati i Shqipërisë për integrimin në familjen evropiane dhe zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.