Luçiano Boçi: Opozita nuk do të lejojë një Gjykatë Kushtetuese, marionetë e kryeministrit Rama. Reforma e dështuar

604
Sigal

Luçiano Boçi, ish deputet i PD-së

Nuk ka një marrëveshje të fshehtë apo të hapur të PD-së me partnerët ndërkombëtarë për të heshtur e lënë protestën. Kjo nuk përjashton zhvillimin e protestave njëkohësisht dhe nuk lidhet më datën 18. Protestat janë thirrje të qarta të publikut për të larguar Ramën si penguesin kryesor të integrimit evropian

Nuk do të lejojmë një Gjykatë Kushtetuese, marionetë e Kryeministrit Rama

 

Jakup B. GJOÇA

Luçiano Boçi, ish deputeti i PD-së në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se nuk ka marrëveshje të PD me ndërkombëtarët, as për të mos bërë protesta, as për zgjedhje të parakohshme në pranverën e 2020-s, por zgjidhja e krizës përmes zgjedhjeve parlamentare është largimi i Edi Ramës nga kryeministria. Zoti Boçi thotë se Opozita nuk do të lejojë një Gjykatë Kushtetuese të jetë marionetë e kryeministrit Rama, ndërkohë shton se deputetët që vetëquhen “opozitë” të kenë rol në reformën zgjedhore, për të përfituar privilegjet që kanë kërkuar për shtëpi me kredi zero.

-Zoti Boçi, ishte marrëveshje e PD me partneret ndërkombëtarë që Opozita deri në 18 tetor të mos bëjë protesta?

– Nuk ka një marrëveshje të fshehtë apo të hapur të PD me partnerët ndërkombëtarë për të heshtur protestën. Ka një përpjekje serioze të PD për të bërë një pasqyrë të saktë të situatës tërësore politike dhe kriminale tek partnerët tanë dhe nën këtë efekt për afruar qëndrimet e saj me ato të ndërkombëtarëve. Frytet e para kanë ardhur dhe ndryshimet në artikulimin e deklaratave e partnerëve janë të prekshme, me mesazhe të qarta për publikun për atë çka po vjen si zgjidhje e domosdoshme dhe e pritshme politike. Kjo nuk përjashton zhvillimin e protestave njëkohësisht dhe nuk lidhet më datën 18. Protestat janë thirrje të qarta të publikut për të larguar Ramën si penguesin kryesor të integrimit evropian dhe janë thirrje për një zgjidhje politike që stimulon pikërisht hapjen e negociatave. E gjitha është pjesë e skanimit të aksionit politik dhe e fokusimit të strukturës tek organizimi i zgjedhjeve të pritshme të parakohshme

PD-ja nuk merr pjesë në zbatimin e reformës në Drejtësi. A do t’i njohë institucionet e reja të Drejtësisë, sikurse Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, SPAK, BKH, KLP dhe KLGJ, të cilat plotësohen me anëtarë të parapëlqyer nga Mazhoranca, sikurse PD-ja po i denoncon vazhdimisht?

– Denoncimet e pandërprera të faktuara bindshëm për kapjen e institucioneve të drejtësisë nga Rama dhe banda e tij në pushtet, janë një përpjekje e vazhdueshme e PD për të korrektuar sado pak dëmin që këta po i shkaktojnë drejtësisë dhe njëkohësisht diskreditojnë deformimin politik që Rama po i bën asaj. Drejtësia nuk duhet të ekzekutohet në emër të reformës, sepse përndryshe është duke lindur një padrejtësi akoma më e madhe. Pak a shumë si dilema e djepit bosh apo me shejtanin brenda. Simptomat janë të qarta dhe të prekshme. Tredhja e drejtësisë dhe perspektiva e zymtë e saj përtej retorikës dëshirore të partnerëve tanë, u pasqyrua qartë në vendimin për Tahirin si dhe në një sërë vendimesh të tjera me karakter politik që lidhen me protesta e opozitës. Paralelisht ne kemi nxitur dhe kërkojmë ngritjen me shpejtësi, por dhe me cilësi të institucioneve të drejtësisë përfshirë dhe Gjykatën Kushtetuese dhe SPAK etj, pasi procesi duket qartë që ka një ngërç politik. Ngërç i cili vjen për shkak të kalkulimeve që zbaton Rama për të vendosur kudo në pikat kyçe marionetat e tij të cilat çuditshëm kalojnë dhe vettingun. Rama e di mirë se kapja që po i bën sistemit mund të jetë një litar shpëtimi për të, por që në çdo rrethanë të së ardhmes për shkak të humbjes së pushtetit që po vjen, mund të shndërrohet sa hap e mbyll sytë në litarin e trekëndëshit të tij politik. Makiavelizmi i zbatuar prej tij shume lehtë mund t’i kthehet në bumerang. Kjo e step të zbatojë afate kohore dhe e shtyn ta tej zgjasë procesin, duke mbajtur ndezur vetëm propagandën të cilën e interpreton në favor të tij me një mbështetje të gjerë mediatike e deklarative.

Zoti Boçi, nëse Gjykata Kushtetuese ngrihet qoftë edhe me 5-6 anëtarë, PD-ja a do ta njohë këtë Gj K të mbikëqyrur nga Kryeministri Rama?

– Ne inkurajojmë dhe mbështesim ngritjen e Gjykatës Kushtetuese profesionale dhe të pavarur politikisht, me njerëz të karrierës dhe që në filozofinë e tyre kanë yll polar mbrojtjen e Kushtetutës dhe jo konfirmimin e yllit në kushtetutë. Çdo eksperiment tjetër do ishte dëshpërues për sundimin e ligjit dhe një thikë për kolonat e demokracisë.

Me çfarë kompetencash ligjore dhe kushtetuese do të marrë pjesë PD (dhe opozita) në Reformën Zgjedhore, përderisa nuk është në parlament?

– Çdo reformë zgjedhore e bërë në vendin është konsultuar nga komisione bipartizane pra bipartiake, çka nënkupton së pari prezencën e vullnetin e dy partive më të mëdha dhe pozicionet e tyre në raport me qeverisjen sipas të qenit në mazhorancë ose opozitë. Qenia jashtë parlamentit e PD nuk i heq asaj mbështetjen dhe faktin e të qenit partia më e madhe opozitare. Do nuk do Rama apo Ruçi, opozita nuk janë disa rrogëtarë pa mbështetës dhe pa besim publik që ata i mbajnë të lidhur pas sallës së parlamentit. Prania aty e ca individëve që kërkojnë shtëpi nga parlamenti e favore nga Rama, nuk i jep atyre atributin të përfaqësojnë votuesin që as nuk i njeh për përfaqësues dhe as nuk i ndjek për të tillë, përpos prej gallatës që prodhojnë çdo moment me deklaratat tyre komike. Opozita është PD dhe partitë e tjera që kanë zgjedhur për hir të interesave të vendit ta luajnë këtë rol dhe kjo opozitë ka të gjithë të drejtën ligjore dhe kushtetuese që të jetë pjesa domethënëse e reformës zgjedhore. Aq më tepër roli i saj është krejt i pashmangshëm sepse ajo është iniciatorja dhe propozuesja konkrete për çlirimin e zgjedhjeve nga krimi.

– Opozita parlamentare e tanishme do të ketë rol në Reformën Zgjedhore, derisa nuk përfaqësojnë Elektoral?

– Opozita parlamentare është një matrix i mbarsur në zyrat e PS dhe si e tillë ajo nuk është as reale dhe as opozitë. Ajo më së miri e gjen veten të shprehur në gjuhën dhe kërkesat e Ballës ose të Gjiknurit dhe në këtë aspekt nuk ka nevojë për të pasur përfaqësues fare. Nuk i takon as ligjërisht, sepse ata nuk përfaqësojnë një forcë politike. Qenia grup parlamentar fiktiv, nuk i jep të drejtë atyre të jenë pjesë e reformës zgjedhore pasi nuk kanë përkatësi politike. Reformën nuk e bëjnë grupet parlamentare, por partitë politike me përfaqësuesit e tyre. Grupet parlamentare janë rrjedhojë e partive politike. Ky arsyetim dhe ky moment është akoma më i rëndë për ta sepse ai nxjerr më shumë në pah butaforinë politike të këtyre formacioneve ‘fake’ që janë më shumë si formacione parapolitike të PS, se sa grupime të njerëzve me bindje politike. Brenda tyre nuk gjen dot dy njerëz që mendojnë njësoj madje dhe një që të mendojë njësoj gjatë gjithë kohës. Është shumë kohë e humbur të diskutohet kjo pjesë për të faktorizuar falsitetin politik.

– A do PD-ja që të ndryshohet sistemi aktual zgjedhor?

– Sistemi aktual zgjedhor në shumë pika të tij lë hapësira të mëdha që stimulojnë deformimin e votës. PD-ja ka dalë me propozime konkrete për këtë gjë që janë pjesë dhe e paketës së saj. Synimi është krijimi i një kuadri ligjor që rregullon dhe mbron një proces demokratik brenda të cilit vullneti i votuesit shprehet qartë dhe është i garantuar. Ndryshimi i sistemit ndërkohë kërkon dakordësi dypalëshe dhe shenjat nga mazhoranca janë të vaktë, pavarësisht angazhimit tonë për të ofruar një sistem sa më efikas që i jep përgjigje reale dëshirës së votuesit dhe vlerëson alternativën politike më të mirë jashtë ndikimeve apo interesave të pista të momentit.

– A ka pranuar Opozita që zgjedhjet parlamentare të Përkohshme të bëhen pasi të miratohet Reforma e re Zgjedhore?

– Rruga nëpërmjet të cilave kalojnë zgjedhjet e parakohshme është largimi i Ramës dhe ngritja e një qeverie tranzitore në fokusin e së cilës do jetë lufta ndaj krimit të organizuar dhe atij elektoral, sikurse realizimi i një reforme tërësore zgjedhore. Kjo reformë do të çojë në rregullimin dhe mbikëqyrjen e një procesi zgjedhor të vërtetë dhe demokratik brenda të cilit vota nuk blihet, nuk trysnohet, nuk kriminalizohet dhe vullneti i votuesit shprehet i plotë dhe i pavarur.

-Faleminderit!

Drejtësia nuk duhet të ekzekutohet në emër të reformës, sepse përndryshe është duke lindur një padrejtësi akoma më e madhe. Simptomat janë të qarta dhe të prekshme. Tredhja e drejtësisë

Ne inkurajojmë dhe mbështesim ngritjen e Gjykatës Kushtetuese profesionale dhe të pavarur politikisht, me njerëz të karrierës dhe që në filozofinë e tyre kanë yll polar, mbrojtjen e Kushtetutës. Çdo eksperiment tjetër do ishte një thikë për kolonat e demokracisë

Qenia grup parlamentar fiktiv, nuk i jep të drejtë atyre të jenë pjesë e reformës zgjedhore, pasi nuk kanë përkatësi politike. Reformën nuk e bëjnë grupet parlamentare, por partitë politike me përfaqësuesit e tyre