Luan Rama: Si po ndërhyn qeveria te Kolegji i Vettingut

435
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, denoncoi ato që i cilësoi si ndërhyrje të qeverisë në punën e strukturave të vettingut. “Kolegji i Posaçëm i Apelimit, institucioni kushtetues i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi është lënë bashkë me institucionet e tjera të vettingut tre muaj pa marrë pagat, pasi maxhoranca e Komisionit të Ligjeve në Kuvend i gjymtoi edhe strukturën e propozuar, çka nëse do të votohet edhe nga Kuvendi do të bëjë të pamundur përmbushjen e misionit për të cilin është krijuar, edhe zyrat do t’i ketë nën administrimin e ministrisë së drejtësisë!”, u shpreh Rama. Sipas tij, as më shumë e as më pak kemi të bëjmë me një akt tjetër të cenimit të pavarësisë funksionale te Komisionit të Posaçëm të Apelimit, i cili është institucion kushtetues, me të njëjtin status që kanë të gjitha institucionet kushtetuese. “Ligji shprehet qartë duke e barazuar statusin e Komisionit të Posaçëm të Apelimit me Gjykatën Kushtetuese! Atëherë ç’punë ka ministria e drejtësisë me zyrat e Komisionit të Posaçëm të Apelimit? Përse duhet t’i administrojë ajo?! Arsyeja është e qartë: gjithë investimet, përfshirë edhe sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve të Kolegjit dhe sistemin e sigurisë, përveç se do t’i realizojë ministria, ajo, pra ministria, do të ketë edhe kontratën e shërbimit të mirëmbajtjes së tyre!”, nënvizoi nënkryetari i LSI-së. Sipas tij, procedura e investimeve është njëri problem, madje më pak i rëndësishmi! “Problemi më i madh është aksesi në sistem!”, tha Rama. Ai sqaroi se disa muaj më parë, Ministrisë së Drejtësisë iu hoq me ligj aksesi në sistemin e çështjeve që shqyrtohen në gjykatat e vendit, ndërkohë që me një VKM i jepet ekskluziviteti i administrimit të zyrave të Kolegjit të Apelimit, përfshirë edhe aksesi në sistem, sepse operatori, marrëdhënien do ta ketë me Ministrinë e Drejtësisë! “Nga çdo pikëpamje që ta gjykosh, VKM është një akt skandaloz i cili duhet anuluar! Sepse nuk mundet që një institucion i qeverisë të kryejë investime e të administrojë zyrat e një institucioni të pavarur kushtetues! Sepse është njësoj që Ministria e Drejtësisë fjala vjen të administrojë zyrat e Gjykatës së Lartë apo të Gjykatës Kushtetuese, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit apo të Komisionerëve Publikë, të Avokatit të Popullit, të KLSH e kështu me radhë! Prandaj VKM-ja që i jep në administrim zyrat e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Ministrisë sē Drejtësisë, duhet të anulohet!”, kërkoi Luan Rama.
Sigal