Luan Rama: “Asnjë bandit, me uniformë polici apo pa uniformë nuk do mund ti ndalë qytetarët shqiptarë që të votojnë”

395
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama në një deklaratë për shtyp është shprehur i revoltuar se një anëtar i LSI-së është qëlluar, është plagosur nga tre njerëz të armatosur në përbërje të një grupi të njohur kriminal të Rilindjes, që prej ditësh vepron nën mbrojtjen e strukturave kriminale të Policisë së Shtetit në atë qark. “Ky është rasti i tretë në Lezhë që aktivistë të LSI-së plagosen nga e njëjta bërthamë kriminale”, shprehet Rama, dhe e gjitha kjo pa asnjë pengesë nga forcat policore. Rama më tej shtoi se çdo pikë gjaku e qytetarëve të pafajshëm, të derdhur në Lezhë apo gjithkund tjetër, përgjegjësia bie drejtpërdrejtë mbi Kryeministrin e Rilindjes, Edi Rama dhe mbi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Haki Çako. 
Deklarata për median e Nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama
Jam këtu për të bërë të njohur faktin, që një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur në qarkun e Lezhës, më konkretisht në qytetin e Shëngjinit kur përpara pak çastesh një aktivist, anëtar i LSI-së është qëlluar, është plagosur nga tre njerëz të armatosur në përbërje të një grupi të njohur kriminal të Rilindjes, që prej ditësh vepron nën mbrojtjen e strukturave kriminale të Policisë së Shtetit në atë qark.
Qytetari i plagosur quhet Florian Dushku, ka qenë në punën e vet, në një aktivitet normal dhe është plagosur, siç e thashë, nga ata që Rilindja i ka fabrikuar, i ka klonuar në mënyrë të kriminalizuar, për t’i përdorur siç i ka përdorur gjatë gjithë fushatës zgjedhore, por më drejtpërdrejtë për t’i përdorur siç i përdori sot.
Është rasti i tretë në Lezhë që aktivistë të LSI-së plagosen nga e njëjta bërthamë kriminale që vepron atje, nga njerëz të armatosur, që në mes të ditës, në ditën për diell, shkojnë pa patur asnjë pengesë me gjithë të ashtuquajturat shërbimet të përforcuara të policisë.
Natyrisht, ky nuk është rasti i vetëm, por është njëri prej rasteve që është produkt i kësaj klime të inkriminuar që është krijuar prej investimit kriminal të Rilindjes dhe ashtu siç ka ndodhur deri më sot për çdo pikë gjaku të qytetarëve të pafajshëm, të derdhur në Lezhë apo gjithkund tjetër, përgjegjësia bie drejtpërdrejtë mbi Kryeministrin e Rilindjes, Edi Rama dhe mbi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Haki Çako. 
Sepse i është kërkuar Haki Çakos edhe nga Ministri i Brendshëm ta shkarkojë ekipin drejtues të Policisë së Lezhës pas një morie rastesh kriminale të shfaqura atje, pas një morie aktesh kriminale që janë bërë atje edhe nën mbështetjen e Policisë dhe nuk ka reaguar. 
Ky pra është një mosveprim kriminal që krijon pikërisht atë terren dhe atë situatë që është reflektuar edhe sot në qarkun e Lezhës, më konkretisht në Bashkinë e Shëngjinit.
Sepse përballë nuk kanë një polici që i mbron, por kanë një polici që i pret në besë dhe nxit kriminelët t’i vrasë.
U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Lezhës dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë të ruajnë qetësinë, t’i shmangen provokimeve që vijnë prej këtyre grupeve kriminale që janë të financuara nga paratë e hashashit dhe nga e gjithë veprimtaria tjetër kriminale. Dhe me qetësi, me dashuri, me maturi dhe përgjegjësi për njëri–tjetrin dhe për atdheun të votojnë kundër kësaj kaste kriminale, që i vret njerëzit, siç po ndodh në Qarkun e Lezhës. Siç ndodhi edhe mbrëmë gjatë natës në Njësinë Administrative të Kasharit, ku gjithashtu prej eksponentëve të Rilindjes u plagos një komisioner i Lëvizjes Socialiste për Integrim, që u qëllua në kokë nga këta kriminelë.
Asnjë kriminel, asnjë bandit, me uniformë polici apo pa uniformë, me po Kryeministri apo pa post Kryeministri nuk do të mund t’i trembë, nuk do të mund t’i frikësojë dhe nuk do të mund t’i ndalë votuesit shqiptarë për të votuar për dinjitet, për të votuar për lirinë e tyre, për të votuar për integritetin e tyre dhe kundër kësaj kaste dhe bande kriminale. Faleminderit!
Sigal