LSI, zgjedh ekipin drejtues, Ilir Meta: Zgjedhjet, një proces jashtëzakonisht transparent

367
Sigal

Zgjidhen strukturat e reja drejtuese

Ilir Meta: Faleminderit për pjesëmarrjen në garë dhe për mesazhet që dhatë në këtë Konventë. Të vazhdojmë për të krijuar forumet e tjera të LSI-së dhe për të çuar mesazhet e kësaj konvente në të gjithë vendin. T’i japim shansin çdo qytetari shqiptar të përfshihet dhe të integrohet më mirë në shoqërinë tonë

Konventa Kombëtare Zgjedhore e LSI-së mbylli punimet e saj dyditore. Në përfundim të procesit të votimit elektronik, si edhe të numërimit elektronik, Konventa zgjodhi strukturat e reja drejtuese të LSI-së. Vetëm pak minuta pas përfundimit të këtij procesi për të qenë sa më transparent me publikun, rezultatet e zgjedhjeve janë printuar në transmetim direkt televiziv gjatë konferencës për shtyp.  Duke folur gjatë kësaj konference, Kryetarja e LGI-së, znj. Klajda Gjosha, teksa shpalli rezultatet e votimit, falënderoi të gjithë ata që punuan për organizimin e kësaj konvente dhe mbarëvajtjen e procesit shembullor të votimit. Znj. Gjosha bëri me dije, se mbi 2286 delegatë kanë votuar për Komitetin Drejtues Kombëtar si dhe për përzgjedhjen e instancave më të larta drejtuese të LSI-së.  “Ka qenë një proces tejet demokratik, shumë i hapur, shumë intensive dhe mbi të gjitha LSI edhe këtë vit, ashtu sikundër edhe para 4 vitesh në Konventën Kombëtare Zgjedhore ka zgjedhur me një risi dhe me një model elektronik të gjitha strukturat drejtuese. Kjo është një risi që duhet të shkojë dhe më tej dhe ky është një mesazh edhe për politikën tonë, pse jo edhe për reformën zgjedhore, që duhet të ketë parasysh t’i bëjë zgjedhjet në Shqipëri për të gjithë qytetarët e saj në këtë mënyrë. Sepse ato bëhen më të kuptueshme, më të thjeshta, por edhe rezultate dalin në kohë rekord”, – tha znj. Gjosha.    

Sipas rezultateve: 

 Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së u zgjodh z. Endrit Braimllari me 1513 vota kundrejt 773 votave të fituara nga kandidati tjetër Dritan Ylli. 

Zëvendëskryetar u zgjodh z. Petrit Vasili me 2189 vota. 

Nënkryetarë u zgjodhën z. Luan Rama me 2029 vota dhe znj. Kejdi Mehmetaj me 1499 vota, e cila garonte përballë deputetes Silva Caka. Kjo e fundit mori 787 vota në këtë proces. 

Ndërsa lista me anëtarët e zgjedhur të Komitetit të ri Drejtues Kombëtar të LSI-së do të bëhet publike në vazhdim.

Pas shpalljes së rezultatit, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta, bëri një përshëndetje, duke uruar të gjithë garuesit. Ilir  Meta në fjalën e tij e vuri theksin te transparenca e procesit të zgjedhjeve brenda LSI-së duke i cilësuar atë si të jashtëzakonshme : “Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë delegatët që patën durimin dhe vendosmërinë për të votuar, sepse nuk ka qenë e lehtë, për arsye se ka pasur shumë kandidatë për Komitetin Drejtues Kombëtar. Gati 600 kandidatë, kështu që procesi ka kërkuar kohën e tij. Por mendoj që ka qenë një proces jashtëzakonisht transparent, – tha z. Ilir Meta. – Këtu është lista përfundimtare e Komitetit Drejtues Kombëtar, që në bazë të statutit, do të duhet nga Komisioni i Votimit, të renditet për arsye të ruajtjes së ekuilibrave midis LSI-së, LRI-së dhe LGI-së. Ndërkohë që kjo renditje do të bëhet nga komisioni, sepse është një proces relativisht i gjatë dhe duhet saktësi e plotë. Çdo anëtar ka të drejtë të paraqitet në LSI për t’u njohur me rezultatin përfundimtar”. Ndërkaq, Kryetari i LSI-së shprehu falënderimet e tij për strukturat e reja drejtuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke falënderuar gjithashtu edhe kandidatët e tjerë që ishin në garë. “Dua të uroj Petrit Vasilin për zgjedhjen e tij si Zëvendëskryetar. Dua të uroj Luan Ramën gjithashtu, Endritin dhe Kejdin për zgjedhjen e tyre. Por më shumë se këta dua të uroj Silva Cakën dhe Dritan Yllin që kandiduan. Pavarësisht se nuk ishin propozimet e kryetarit dhe kanë marrë një mbështetje mjaft të mirë”, – tha z. Meta. Në mbyllje të fjalës së tij, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim kërkoi nga drejtuesit e rinj, që të vijojnë procesin e krijimit të forumeve të tjera të partisë. “Ju faleminderit shumë për pjesëmarrjen tuaj në këtë garë, por edhe për mesazhet që ju dhatë në këtë Konventë dhe le të vazhdojmë për të krijuar edhe forumet e tjera të LSI-së dhe për të çuar mesazhet e kësaj konvente në të gjithë vendin. Në mënyrë që t’i japim shansin çdo qytetari shqiptar të përfshihet dhe të integrohet më mirë në shoqërinë tonë dhe të bëhet pjesë e suksesit të saj, e evropianizimit të saj”,- nënvizoi z. Ilir Meta.