LSI kërkon shkarkimin e Haki Çakos

512
Dhunën ndaj mbështetësve të Lëvizjes Socialiste për Integrim e ka dënuar ashpër edhe Nënkryetari i kësaj force politike, Luan Rama. Në një dalje urgjente për mediat, Rama kërkoi nga Ministria e Brendshme shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako, si dhe të disa drejtuesve të policisë në disa rrethe.
“Këto janë akte të shëmtuara dhune ndaj mbështetësve të LSI. Ditën e sotme persona të armatosur goditën Blerim Çelën me levë, ndërsa policia aty afër nuk ndërhyri. Burra cuba të Rilindjes kanë dhunuar dhe sulmuar dy femra. Në njoftimet që na vijnë nga struktura tona të monitorimit nga Shkodra për Pukën dhe nga Durrësi për Fushë – Krujën rezultojnë të identifikuar persona konkretë. Për të gjitha këto raste ne kemi njoftuar strukturat përkatëse. Këto raste dëshmojnë edhe njëherë sa e inkriminuar është një pjesë e policisë, ndaj kërkojmë shkarkimin e mënjehershëm të Drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe Shefit të Komisariatit të Policisë në Pukë, Berat, Lezhë dhe Fushë Krujë. Nëse nuk merren masa, atëherë në të kundërt mosveprimi në një rast të këtillë përballë këtyre fakteve skandaloze është bashkëfajësi e funksionarëve më të lartë shtetërorë përfshirë këtu kryetarin e Rilindjes. Jemi të detyruar të mbrojmë votën dhe veten pa i kapërcyer kufijtë ligjorë. Socialistët të ndahen nga rastet e dhunës”
Sigal