Loja politike me ligjet dhe reformat

458
Sigal

Reforma në Drejtësi
dhe ndëshkimi i ministrave dhe deputetëve


Gazeta Telegraf/


Dhimitër
Gegprifti

 

Reforma në
Drejtësi është reforma më e madhe e këtyre viteve të tranzicionit, konkretisht
nga 2013, kur në pushtet erdhi koalicioni “ASHE” duke e vlerësuar atë më
prioritaren e këtij mandati deri në mbarimin e tij në 2017. Opozita ka dërguar
në Kushtetuese Ligjin e Vetingut dhe mendohet se mund të dërgohen edhe pesë
ligjet e tjera. Por ç’është e vërteta e gjithë kjo reformë e këtyre përmasave,
me të tilla vlera e pritmëri të madhe për shqiptarët po kalon një kalvar të
gjatë e të vështirë, si asnjë reformë tjetër. Edhe kjo ka arsyen e vet, pasi ka
të bëjë me një përmbysje të madhe të sistemit të drejtësisë me objektiv
themelor luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe hetimin e tij në të gjitha
nivelet me personazhet “VIP”. Por nuk është vetëm kaq, sistemi i ri dhe
institucionet e reja, që janë në proces e sipër, dhe duhet pranuar se është një
proces shumë i vështirë: me akuza e kundërakuza midis pozitës dhe opozitës,
institucionet e reja do të hetojnë edhe çështje të tjera me dosje të mbyllura
me “arsye” nga më të ndryshmet dhe më të çuditshmet. Palët politike akuzojnë
njëra-tjetrën se kanë frikë nga kjo reformë. Dhe vërtet, dikush duhet të ketë
frikën e ligjit, por edhe të gjithë ata, që e kanë shkelur atë apo kanë abuzuar
dhe kanë përfituar padrejtësisht me funksionet, që kanë patur në hierarkinë
shtetërore. Opozita shqiptare, jo vetëm kjo e sotmja, por edhe ato të djeshmet
nuk e kanë në programin e tyre ideor tolerancën, konsensusin, i cili në të
gjitha këto vite ka qenë dhe mbetet ende sporadik. Në shumë raste ka qenë i
diktuar nga faktorë të tjerë, por edhe si një “lëshim” në emër të së
përgjithshmes. Natyrshëm lind pyetja: Kur dhe cilat ligje apo reforma opozitat
i kanë votuar me konsensusin e vërtetë të pa imponuar nga asnjë faktor i
jashtëm? Edhe kjo dukuri e ka shkakun e saj: palët  politike pozitë e opozitë me radhë kur janë
në pushtet, quajnë dhe miratojnë ato ligje e vendime, që i hartojnë vetë e jo
opozitarët. Një dukuri e tillë në politikën shqiptare të bën të mendosh se
opozita është pasojë e politikës zgjedhore dhe nuk është vlerë ashtu si thuhet
e deklarohet ndonjëherë. Opozita e sotme 
vazhdon praktikën e saj me braktisje të Parlamentit dhe me dosje drejt
Kushtetueses dhe ky nuk është rasti i parë. Të dy palët politike deklarojnë dhe
“argumentojnë” se kanë të drejtë me argumentin se “po luftojnë për moskapjen e drejtësisë
nga politika, nga institucionet e shtetit e të tjera, duke i vlerësuar ligjet
dhe vendimet si antikushtetues?! Ditët e fundit opozita po përplaset edhe me
ndërkombëtarët, kryesisht me Ambasadën Amerikane, duke e “akuzuar” atë për palë
me pozitën, por nuk kanë munguar dhe deklaratat publike të kësaj ambasade? Drejtësia
ligjore, Reforma po “përplaset” dhe “akuzohet” nga palët, nga individë dyerve
të Drejtësisë së sotme, në intervista, në opinione, media të shkruara dhe
elektronike. Opinioni i gjerë mbarëkombëtar dhe evropian pret gjykimin dhe
vlerësimin e Kushtetueses për Ligjin e Vetingut, në mos shkofshin e dhe ligjet
e tjera? Me kë është e vërteta, kush ka të drejtë? Vërtet është një moment
tepër delikat dhe shumë i vështirë, mund të sjellë edhe të papritura? Gati 100
% e popullsisë është pro kësaj reforme dhe po pret të shohë konkretisht
zbatimin e saj. Sipas deklaratave të ndryshme të politikanëve, analistëve,
opinionistëve për t’u zbatuar tërësisht u dashkan vite! Kjo sikur na tremb, na
bën të dyshojmë, se kështu si është nisur, si po zvarritet, si po tentohet të
miratohet, s’është çudi që mund të shkojë atje ku u nis dhe gjithçka shkon kot.
Kjo në Shqipëri ndodh. Ne jemi të mendimit se do të ishte më mirë, më e sigurt,
më e lehtë, më e zbatueshme, jo me 1.8 milionë euro kjo reformë me kaq kosto,
me struktura, me ndryshime kushtetuese, me kohë të gjatë implementimi, me kaq
debate të ashpra, nëse në kushtet që ishte drejtësia të forcohej e të zbatohej
me rreptësi ligji për drejtësinë. Gjyqtarë, prokurorë dhe çdo punonjës tjetër i
drejtësisë, nëse i vërtetohej korrupsioni apo shkelje ligji në forma nga më të
ndryshmet, zgjidhja do të ishte e lehtë, e shpejtë dhe efektive: Hiqi të
drejtën e ushtrimit të profesionit dhe sanksione të tjera. Ligjet dhe vendimet
e reja, që mbështesin këtë reformë, sipas nesh, kanë edhe hapësira se shumë të
“akuzuar” mund t’i shpëtojnë edhe Vetingut, pasi ligjet po bëhen për ata, që do
të punojnë në sistemin e ri të drejtësisë dhe pak ose aspak për ata, që janë
sot. Nuk e dimë se sistemi i ri i Drejtësisë do ta zhduk korrupsionin, cilët do
të jenë raportet midis sistemit dhe njerëzve, që punojnë në to, sa do të
ndikojnë pagat 226.000.300 lekë dhe bonuset, se mos duhet t’i shtojmë përsëri?!
Palët dhe populli pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese: Kush ka të drejtë për
Ligjet e Drejtësisë? Le të presim!